“PS do ketë në pranverë më shumë se 800 mijë vota”, Rama: Dikush mund të thotë se Reformën në Drejtësi e solli SHBA me avion ose BE me vapor… U bë për të goditur majtas dhe djathtas
30 Dhjetor, 2024 13:38
Madhësia e tekstit:
Kryeministri Edi Rama, në komunikimin prej rreth tre orësh me gazetarët, foli edhe në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 2025.
Ai u shpreh se në pranverë partia Socialiste do të marrë edhe më shumë se 800 mijë vota që mori në zgjedhjet e kaluara.
“Ajo që po ndodh me drejtësinë nuk është se është shkëputur nga ajo që unë kam thënë, janë bashkë. Kur kam thënë se janë njerëzit që korruptojnë, por sistemi që korrupton njerëzit…nuk e kam shpikur unë, është dituri publike kjo, e kam mësuar dhe e besoj 100%. Pikërisht sepse e kam besuar atë që kam thënë, kam udhëhequr përpjekjen për Reformën në Drejtësi si pjesë e betejës për të ndërtuar një sistem që njerëzit nuk mund ta korruptojnë. Kur ju thoni sa shumë njerëz… E para nuk e di me çfarë e masni këtë. Shumë apo pak është relative.
Dhe varet nga çfarë pike referimi nisesh për të thënë shumë ose pak. PS ka 800 mijë mbështetës do të ketë edhe më shumë në pranverë. Gjatë 3 mandateve ka patur mbi 50 ministra, besoj, mbi 500-600 drejtues vendorë, mund të ketë patur mbi 200 deputetë. Çfarë do të thotë shumë tani? E dyta, patjetër se ju dhe kush të dojë mund të thotë që Reforma në Drejtësi e solli Amerika me aeroplan, BE-ja me vapor nga Brindizi. Por kush njeh historinë e Reformës në Drejtësi mjafton të kthehet mbrapa kur ne ishim në opozitë, shumë më parë se 2013, se janë në dokumente. Ka një dokument të shkruar që opozita e asaj kohe ia ka çuar qeverisë së asaj kohe një dokument propozimesh që quhej “Pakti për shtetin e së drejtës”. Lexoni çfarë shkruhet aty në atë pakt.
Thonë ia kapën të gjithë…çfarë më kapën mua? Nëse kjo po ndodh në Shqipëri, të drejtën e autorit për faktin se u shemb një sistem, e kam thënë, i keni të regjistruara, që nga i ndjeri president që s’është më tek të tjerët që më sulmonin pse thoja se do ta shembim këtë sistem drejtësie… A do ta pastrojmë llumin nga sistemi i drejtësisë? Janë fjalitë e mia… U pastrua? Si ishte kjo? Kujt po ia thoni këto? Mos vallë mendoni se unë kam thënë në mënyrë të përsëritur se duam një drejtësi që të shohë drejt, as majtas dhe as djathtas dhe kur të jetë për të goditur të godasë kë duhet goditur majtas e djathtas. Mendoni se kam bërë retorikë për qejf? Unë çdo që them e mendoj, në kuptimin që e besoj. Gjëra që nuk i besoj, nuk i them…”, tha ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb