ELBASAN

Komuniteti i biznesit në Elbasan por edhe biznesmenë nga zona të ndryshme të vendit janë bërë bashkë për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Në Elbasan ku është organizuar aktiviteti për mbledhjen e fondeve kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i grupit parlamentar të PS Taulant Balla, deputetë si dhe nënkryetari i PD dega Elbasan Zamir Muzhaqi.

Elbasan
Elbasan

Balla tha në fjalën e tij se sot është dita për të treguar solidaritet duke falënderuar përfaqësuesin e PD të pranishëm duke shpjeguar se qëllimi është t’i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama për të kontribuuar përmes llogarisë në e-albania për familjet e prekura nga tërmeti.

“Sot është dita për të treguar solidaritet. E mora fjalën thjesht për të falënderuar një përfaqësues të Partisë Demokratike të Elbasanit që është këtu bashkë me ne e që kjo nisi thjesht, ishte një ide e vogël u mbush me kaq shumë njerëz. Është ftuar i gjithë komuniteti i biznesit të Elbasanit por edhe plot zona të tjera. Qëllimi është t’i bashkohemi thirrjes së kryeministrit Edi Rama, qeverisë për të kontribuar përmes një llogarie që është krijuar në e-albania dhuro, përmes këtij apeli në e-albania dhuro kushdo që ka mundësi si ai gjyshi që dhuroi 10 euro që kishte nga pensioni kështu të bëjmë të gjithë por komunitetit të biznesit i bie pak më shumë përgjegjësia të kontribuojë”, deklaroi Balla.

Pd
Pd

Deputeti i PS i qarkut Vlorë, Vullnet Sina ka dhuruar 100 mln lekë të vjetra përveç pagës mujore të deputetit për familjet e prekura nga tërmeti.
“Ndjehem shumë mirë që jam mes jush, jam deputet i qarkut të Vlorës. Sot është një ditë e shënuar për vendin tonë, dita e Çlirimit të vendit nga pushtuesi fashist. E keqja e tërmetit na ka bashkuar të gjithëve bashkë.
Doja të shprehja hidhërimin tim, ngushëllime familjarëve që kanë humbur të afërmit e tyre dhe të përshëndesja të gjitha trupat e specializuara që kanë ardhur për të na ndihmuar për të nxjerrë nga rrënojat ato jete njerëzish dhe ata që humbën jetën.
I thashë kryetarit, që përveç rrogës dua të jap dhe 100 mln lekë të vjetra nga llogaria ime personale. Ftoj me gjithë zemër të gjithë që të japin kontributin e tyre me sa të kenë mundësi. I lutem Zotit të mos na vër në prova kaq të vështira”, deklaroi Sina.

Nënkryetari i PD dega Elbasan Zamir Muzhaqi falënderoi organizatorët dhe donatorët duke theksuar se strukturat e PD janë më këmbë për të ndihmuar të gjithë të prekurit nga tërmeti.

“Në emër të PD Elbasan dhe emrin tim personal të falënderoj organizatorët e këtij evenimenti, donatorët që janë prezentë dhe që nuk janë por që nga data 27 janë prezentë në dhimbjen e vëllezërve tanë në Durrës e Thumanë. E gjithë struktura e PD është në këmbë”, tha Muzhaqi.

Në total bashkë me bizneset u mblodhën 350 milion leke (te vjetra), 50 mije dollarë dhe 65 mije euro.

Elbasan Balla (1)
Elbasan Balla (1)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb