SHKODËR- Partia Socialiste po mban një miting elektoral në metropolin e veriut, Shkodër, në mbështetje të kandidates për kryetare të kësaj bashkie, Keti Bazhdari. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në këtë tubim tha se ka një ndryshim të madh mes bashkive ku drejtojnë socialistët dhe atyre ku drejtojnë bashkiakët e PD-së. Sipas tij, kjo pasi nga bashkitë e drejtuara nga PD-ja nuk ka asnjë nxitje, dëshirë apo projekte për të bashkëpunuar me qeverinë.  Ai kërkoi mbështetje për Bazhdarin që do ta çojë Shkodrën sipas tij në drejtimin e duhur dhe që do tu japë zgjidhje problemeve të shkodranëve.

“Mirënjohje për këtë mikpritje të jashtëzakonshme. Sot kam pasur ditën më të vështirë të fushatës sepse më qëlloi që të kaloj nga mëngjesi e deri tani në stacione ku nuk ka ndryshuar asgjë, ku ka drejtuar bashkitë PD-ja. Të gjitha këto realitete dallojnë shumë fort dhe kanë kontrast me qytetet ku drejtojnë bashkiakët socialistë dhe progresistë. Në ato bashki ka qenë nxitja, ka qenë forca e projektit, ka qenë vullneti i kryetarëve të bashkive dhe padyshim edhe mbështetja e qeverisë. Ndërkohë që bashkitë e drejtuara nga PD-ja, nuk ka pasur absolutisht asnjë nxitje, asnjë dëshirë asnjë projekt për të kërkuar nga qeveria bashkëpunim”, tha Rama duke sjellë si shembull për mungesën e bashkëpunimit pikërisht “konfliktin” për çelësat e stadiumit “Loro Boriçi” i cili po rindërtohet.

“E vetmja gjë që mbaj mend nga bashkëpunimi me bashkinë e Shkodrës është që na u desh 3 javë për të marrë çelësin për stadiumin e Shkodrës. 3 javë për të marrë një çelës për të hyrë jo në një stadium por në një ferr. 3 javë vetëm për një çelës për të filluar një investim që nuk është për politikën, por është për Shkodrën, për shkodranët për Vllazninë. Kur këtyre iu duhen 3 javë për të dorëzuar një çelës, sa iu duhen për të dorëzuar një projekt?”, u shpreh kryeministri.

Edhe njëherë Rama është ndalur tek premtimet e opozitës për ulje taksash duke i quajtur ato qesharake pasi zgjedhjet lokale nuk janë zgjedhje politike por për problemet e komunitet.

“Është një fushatë që flet për problemet e komunitetit dhe që flet për kandidatë që janë angazhuar në dëgjimin e komunitetit. Ja ta zëmë se do i votoni por me çfarë do i bëjnë këta. Taksat më të ulëta në botë si do tua japin me 21 qershor me çelësin e stadiumit? Këto janë zgjedhje për familjen që kur del nga muret e shtëpisë ka nevojë për bashkinë sepse çdo gjë që fillon jashtë derës së shtëpisë është e lidhur me çfarë kryetari bashkie ke. Për familjen që është e interesuar për ujin, për kopshtet, shkollat, për rrugën, për transportin, për familjen që ka nevojë për një derë të një shtëpie të përbashkët, për të gjetur ato zgjidhje që nuk mund të gjenden brenda mureve të shtëpisë, por mund të gjenden nën çatinë e madhe të bashkisë. Por në anën tjetër është alternativa tjetër. Çfarë programi kanë? Thelbi i atij programi është pikërisht ky: që ku të munden të gjejnë budallenj që më 22 qershor do e marrin energjinë qyl, që nuk do kenë taksa që rrota e historisë do kthehet mbrapsht. Në kohën kur njerëzit të shkojnë tek kjo këngëtarja, do tu thotë Rama-Meta ka maru, ka maru, ka maru. Një parti që ka humbur programin dhe që shpreson vetëm të nxisë sherrin e çdo të enjteje në parlament”, deklaroi Rama.

Nga Shkodra, kryeministri Rama ka folur edhe për kandidaten e djathtë për bashkinë e këtij qyteti, duke u shprehur se “nuk ka asgjë kundër saj”.

“Nuk kam asgjë kundër. Madje mendoj se Shkodra është në krye në këtë aspekt, pasi ka dy gra mes të cilave mund të zgjedhë. Por për sa kohë ajo parti numëron tespihet e plakut Mere, harrojeni se mund të dalë ndonjë që të bëjë dallimin nga sa keni parë më përpara”, tha kryeministri Rama.

META: TË NISEMI DREJT 21 QERSHORIT ME KULTURË, ME QETËSI DHE ME DASHURI PËR TË VOTUAR KETI BAZHDARIN

I pranishëm në mitingun elektoral të koalicionit të ASHE, ishte edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili shprehu bindjen se Shkodra do të votojë më 21 qershor Keti Bazhdarin për të ardhmen e saj.

“Edhe pak ditë dhe ne do të nisemi me kulturë, me qetësi dhe dashuri për të votuar për Keti Bazhdarin. Shkodra dhe shkodranët nga Velipoja në Theth do të shkojnë të votojnë si europianë dhe demokratë të vërtetë në emër të dashurisë që kanë për Shkodrën, për të ardhmen e Shkodrës tonë. Keti Bazhdari nuk ka limite në pasionin që ka për Shkodrën. Kjo është arsyeja që ne e mbështesim fort sepse tek projekti i Ketit shohim të ardhmen e këtij komuniteti”, tha Meta.

Sipas tij, Shkodra nuk ka nevojë për një kryetar partiak por për një alternativë si e Keti Bazhdarit. “Ne jemi të ndërgjegjshëm se në 18 muaj ende mjaft familje shkodrane ndeshen me probleme të mëdha por me Ketin do ti zgjidhim këto probleme më shpejt dhe më mirë. Ndërsa alternativa tjetër partiake ofron vetëm konflikt politik. Ne kemi respekt për të gjithë kandidatët dhe mendoj se është gjë shumë e mirë që kemi dy zonja kandidate. Por këtu bëhet fjala për të ardhmen e Shkodrës, dhe jo për ti shtuar konfliktet politike. Shkodra do të jetë vendi ku projektet do të realizohen me shpejtësi sepse Keti Bazhdari ka treguar që është e aftë Jam i bindur se komuniteti i Shkodrës duke votuar Ketin ka votuar për ta bashkuar Shkodrën. Ti japim fund një bashki-partie këtu në Shkodër, duke votuar Ketin. Vota për Ketin është votë për komunitetin dhe për këtë bëhen zgjedhjet e 21 qershorit”, u shpreh Kreu i Kuvendit.

Ai premtoi se me Bazhdarin në krye përkrahja për Shkodrën do të jetë pa limite. “Është një moment historik se na duhet kryebashkiakja më e aftë këtu në Shkodër për të implementuar reformën administrative. Ta lidhim Velipojën edhe me Ulqinin edhe me Shëngjinin. Përkrahja jonë do të jetë pa limite për Ketin se është pa limite për Shkodrën. Ju ftojmë të nisemi drejt 21 qershorit me kulturë, me qetësi dhe me dashur për Shkodrën dhe për Keti Bazhdarin”, the Meta, duke ja lënë më pas fjalën kryeministrit Rama, të cilin e quajti garant të premtimeve.

BAZHDARI: SHKODRA NUK MUND TË JETË KURRË MË PENG I POLITIKËS

Në nisje të aktivitetit, kandidatja Bazhdari falënderoi qytetarët për mbështetjen, ndërsa shprehu bindjen e saj se Shkodra këtë herë do të zgjedhë drejtimin e duhur dhe nuk do të mbetet bastion i politikës që e ka mbajtur peng për 25 vite.

“Më bëtë të kuptoj se secilit nga ne i jepen mundësitë në jetë për tu bërë më i mirë. Ju jam mirënjohëse për mbështetjen që më jepni. Unë e ndiej se Shkodra ka zgjedhur këtë herë të mos jetë më bastion i politikës që e ka mbajtur peng për 25 vite. Ka zgjedhur të mos gënjehet më, që të përfaqësohet nga mbetjet e fundit të diktaturës. Shkodra ashtu si Tirana nuk ka nevojë për një ish-nënkryetare bashkie, nuk ka nevojë për një Lul që sajon premtimet. Nuk ka nevojë të përdoret për politikat e Lulit, plotësisht të paaftë. Jam këtu të garantoj se Shkodra nuk mund të jetë kurrë më peng i politikës. Për të garantuar se Shkodra nuk do të renditet më në vendet e varfra”, tha ajo. Më tej Bazhdari premtoi se do ta bëjë Shkodrën bashkinë ku të gjithë do donin të jetonin.

“Do krijojmë mundësi të reja për një formim sa më të plotë për të përballuar sfidat e jetës. Shkolla të sigurta, kopshte të sigurta. Së bashku do ja dalim ta bëjmë Shkodrën bashkinë ku të gjithë do donin të jetonin”, tha ajo.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb