Presidenca ka reaguar ashpër pas vendimit të mazhorancës për të rrëzuar kandidaturën e tretë të Presidentit Ilir Meta për në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milo. Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi, i është përgjigjur kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili tha sot në Kuvend se kandidaturat e Metës janë të papërshtatshme.


Në një reagim në “Facebook”, Blushi shkruan se Balla ka të drejtë që i quan kandidaturat e Metës të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash.


“Tao Tao ka të drejtë që kandidaturat e propozuara nga Presidenti Meta për Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë të papërshtatshme, pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i dënuar më parë jashtë vendit për trafik droge, trafik prostitucioni apo vjedhje banesash.


Po kështu asnjë prej tyre nuk e ka marrë diplomën e shkollës së lartë, pa bërë fare të mesmen. Presidenti Meta është i paaftë të propozojë kandidatë me rekorde kaq pozitive që do garantonin hapjen e negociatave në 18 tetor 2019 me ovacione nga të gjitha vendet anëtare”, shkruan zëdhënësi i Metës.

Kujtojmë që para emrit të Petraq Milos, mazhoranca i ka rrëzuar Presidentit Ilir Meta edhe dy emra të tjerë, atë të gjyqtares Vitore Tusha dhe të këshilltarit të tij, Bahri Shaqiri.

 

  • foto galeri

(d.ç./BalkanWeb)