Nënkryetari i Kuvendit, Myslim Murrizi akuzon dy forcat e mëdha politike si përgje-gjëset kryesore të situatës në të cilën gjendet në përgjithësi vendi dhe në mënyrë të veçantë politika shqiptare. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” Murrizi thekson se vetëm nëpërmjet një sistemi zgjedhor ku deputetët zgjidhen nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive politike do të sjellë rikthimin e normalitetit politikë në vend. Duke komentuar edhe cilësinë e deputetëve të rinj që u futën në Kuvend pas dorëzimit të mandateve nga PD dhe LSI, Murrizi thekson se ky është një tjetër tregues i asaj çfarë sjell në Kuvend një sistem ku emrat e deputetëve i rendisin kryetarët dhe jo votuesit.

“Deputetët nuk i zgjedhin qytetarët, por i emërojnë kryetarët sipas servilizmit dhe ngrohjes së xhepit”,-thotë Murrizi. Nënkryetari i Kuvendit flet edhe për një marrëveshje që sipas tij ekziston mes PS dhe PD për të lënë opozitën parlamentare jashtë reformës, por i kujton socialistëve se reforma zgjedhore do kalojë vetëm me votat e deputetëve në Kuvend. “PS dhe PD kanë marrëveshje bashkë prej 29 vitesh por reforma zgjedhore votohet vetëm në parlament. Kështu që votat i kanë ata 40 deputet që disa kllounë politikë nuk i llogarisin, por edhe këta 40 deputetë nuk llogarisin asnjë birbo apo klloun politik që leh jashtë gardhit”,-tha Murrizi. Ai ka folur edhe për tentativën për shkarkimin e kryetares së grupit “Demokrat” Rudina Hajdari, duke bërë të ditur se pati një kërkesë që ajo të jepte dorëheqjen, por që nuk u finalizua për shkak se disa deputetë hoqën dorë prej saj. Ndaj thekson Murrizi, Rudina Hajdari vijon të jetë kryetare e grupit.

Z.Murrizi çfarë synon konkretisht opozita e re parlamentare në Kuvend?
Opozita në parlament ka 3 grupe parlamentare dhe të gjithë së bashku kanë deklaruar si mision të tyren ndryshimin e sistemit zgjedhor që është një arsye shumë e fortë e krizës artificiale politike në vend. Pastaj opozita e sotme në parlament po bën atë që ka bërë çdo opozitë prej 29 vitesh. Opozita fjalën ka, dhe unë besoj që prej 6 muajsh është folur dhe denoncuar çdo aferë e qeverisë.

Pse nuk po arrin dot opozita parlamentare qe të kthehet në një forcë të djathtë politike?
Nuk ka qenë deri tani aspiratë e deputetëve që janë sot në Kuvend nga listat e PD-LSI krijimi i një force politike. Shqipëria nuk ka vuajtur se nuk ka parti politike, pasi ka mbi 70 të tilla, por Shqipëria nuk ka demokraci në asnjë forcë politike, dhe kjo falë këtij ligji zgjedhor që vret demokracinë, vret konkurrencën garën brenda çdo partie dhe shton servilizmin ndaj kryetarit dhe rrit në mënyrë fiktive autoritetin e tij.

Për cilat arsye kjo opozitë nuk po shndërrohet dot në alternative të së djathtës?
Kjo është në gjykimin e gjithsecilit. Nëse ju mendoni që ka të djathtë politike në Shqipëri unë jam kundër. Këtu kanë qeverisur prej 75 vitesh vetëm komunistët që pas vitit 90 u ndanë në dy parti, por që vijnë nga PPSH. Cila parti mund të quhet e djathë në Shqipëri??? Cila parti nuk ka në struktura të larta drejtuese ish-komunistë, ish spiunë sigurimi, bijtë e komunistëve?

Situata politike ishte dhe vazhdon të jetë në favor të opozitës së re për kthimin e saj në një alternativë, por si e shikoni ju vetë opozitarizmin e deritanishëm të opozitës së re?
Opozita në Kuvend nuk them që ka bërë maksimalen, por besoj që më shumë është folur këta 6 muaj për çështje konkrete sesa para 6 muajsh ku vetëm shaheshin formalisht para kamerave dhe ndanin e ndajnë së bashku qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve tek të njëjtët individ (10-12) biznese prej 20 vitesh.

Jo rrallë kemi parë deputetët e rinj të opozitës qe lë të kuptohet qartë se janë niveli jo i duhur për të mos thënë i ulet, nisur nga fakti që ka nga ata që kanë probleme edhe me leximin e deklaratave në sallën e parlamentit?
Niveli i ulët i deputetëve është fiks hartimi i listave nga Rama, Basha dhe Monika. Ata nuk janë aty me votë të qytetarëve dhe as kanë konkurruar me CV. Por unë mendoj që niveli më i ulët i parlamentit ka qenë kur në atë parlament ka patur deputet trafikantë, tutorë dhe hajdutë e burgaxhinj ordiner të ardhur aty nga firma e dy “liderëve” global. Po t’ju pyes ju, sa nga 62 ish-deputetët mbani mend ndonjë që ka qenë realisht deputet? Sa ka nga ata që vetëm kanë marrë rrogën dhe nuk kanë folur asnjëherë? E gjitha kjo është pasojë e sistemit zgjedhor antidemokratik e gati- gati komunist që aplikohet në Shqipëri prej vitit 2009, ku deputetët nuk i zgjedhin qytetarët por i emërojnë kryetarët sipas servilizmit dhe ngrohjes së xhepit.

Si i keni përcjellë sulmet e opozitës jashtë parlamentare ndaj deputetëve të opozitës parlamentare duke i cilësuar si “tradhtare”?
Kjo historia me tradhtarë në këtë vend është një histori banale që në vetvete mbart psikologji komuniste. Ajo që është vënë re me tradhtaret gjatë 29 vitesh është fiks historia e Nako Spiros që një 5 vjeçar shpallej armik e një 5 vjeçar dëshmor. Merrini me radhë tradhtarët prej 29 vitesh se çfarë kanë përfituar ata. Filloni nga Imami, Ceka, Xhuveli, Pollo, Idrizi e deri tek Kaç Islami. I kanë vënë jo shkelmin, por tankun PD-së dhe janë bërë ministrat më të fuqishëm tek PD duke zëvendësuar ata që qëndruan përballe tyre. Ndaj përçmoj me neveri çdo lehës që artikulon një fjalë të tillë, e aq më shumë kur këta lehës vijnë në PD pa asnjë kontribut dhe si bij të baballarëve prokurorë, gjyqtarë, hetues e sigurimsash.

Ekziston mundësia që të bëni “paqe” me Partinë Demokratike?
Unë mendoj që nuk jemi ne në luftë me PD-në që të vendosim paqe. Ne jemi në luftë me sistemin zgjedhor që, si PD dhe PS nuk, duan ta ndryshojnë.

A “flirtoi” opozita e re me mazhorancën e majtë siç akuzon opozita jashtë parlamentare?
Të vetmit që flirtojnë me njëri-tjetrin dhe që kanë flirtuar prej 29 vitesh janë ata që janë jashtë dhe ata që qeverisin. Shihni sa ka punësuar kjo qeveri nga ata të qeverisë së djeshme dhe në poste shumë të larta e pastaj e nxirrni vetë konkluzionin. Shihni ku i kanë të punësuar bashkëshortët, fëmijët, motra e vëllezër, kunetër e baxhanakë dhe pastaj flisni. Gjeni një familjarë të këtyre 40 deputetëve që janë sot në parlament të punësuar në nivelet e atyre “parimorëve”. Gjeni një biznes apo një tender që është ortak me këta 40 deputet dhe bëjeni publike. Shihni ku i kanë “strehuar” bizneset dhe zyrat e tyre, të afërmve të tyre ata që janë jashtë. Shihni ku i kanë vilat dhe do të shikoni se janë komshinj tek të njëjtët biznesmenë.

A është opozita e re e bashkuar brenda saj apo ka përçarje që u reflektuan edhe te “grupi demokrat” në Kuvend?
Opozita e re është e bashkuar rreth një qëllimi të vetëm që është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Për të tjera ata kanë treguar me vepra që janë deputetë rebelë e nuk mund të pretendoj askush se mund t’i mbajë në rresht apo t’i trajtojë si ushtarë.

Pse u tentua shkarkimi i Rudina Hajdarit nga kryetare e grupit dhe cili është konkretisht qëndrimi juaj në ketë rast? Çfarë ndodhi realisht?
Çdo grup ka debate dhe kjo për mua është gjë e mirë. Për disa arsye të mos funksionimit në mënyrë perfekte të grupit, nga disa deputet u kërkua që znj.Hajdari të jepte dorëheqjen nga kreu i grupit duke menduar që është e ngarkuar me disa funksione të tjera. Pastaj disa deputet u tërhoqën nga kjo kërkesë dhe kaq. Rudina vazhdon të jetë kryetare e grupit.

A po tentojnë PD e PS që të lënë opozitën e re jashtë reformës së re zgjedhore?
PS dhe PD kanë marrëveshje bashkë prej 29 vitesh por reforma zgjedhore votohet vetëm në parlament. Kështu që votat i kanë ata 40 deputet që disa kllounë politikë nuk i llogarisin, por edhe këta 40 deputetë nuk llogarisin asnjë birbo apo klloun politik që leh jashtë gardhit.

Të plotë e lexoni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb