TIRANE

Partia Socialiste vendosi në mbledhjen e sotme të kryesisë të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, pas vendimit të këtij të fundit për të shfuqizuar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit.

Por çfarë thuhet në Kushtetutën e Republikës lidhur me shkarkimin e Kreut të Shtetit nga parlamenti?

Menjëherë pasi Presidenti Ilir Meta lajmëroi anulimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, Kryeministri Rama dhe mazhoranca u shprehen të vendosur ë deklaratat e tyre se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Nga të gjitha palët, pati reagime dhe qëndrime në varësi të pozicionit të tyre. Disa u shprehën se mazhoranaca duhet të shkarkojë Presidentin, disa të tjerë se kjo është e pamundur në mungesë të një parlamenti të plotësuar me 140 deputetë dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Në nenin 90, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rastin kur shkarkohet Presidenti.  “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij. Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra”.

Por në kushtet kur vendit i mungon gjykata Kushtetuese, pasi procesi i vettingu nxorri jashtë sistemit një pjesë të mirë të anëtarëve të saj, rruga duket të jetë më e komplikuar dhe me sa duket maxhoranca po kërkon shtigje të tjera që ia mundësojnë këtë gjë. Kujtojmë se kryeministri Edi Rama u shpreh se “Presidenti ia ka shkruar fatin vetes” dhe se “i ka humbur e drejta për të qendruar në atë zyrë.

Shkarkimi i Presidentit për shkelje të Kushtetutës, pasi vendosi të anulojë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, do e bënte nul dekretin e firmosur nga kreu i shtetit për anulimin e zgjedhjeve vendore në fund të këtij muaji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb