TIRANE – Dy kryetarët e grupeve parlamentare të mazhorancës, i PS-së, Gramoz Ruçi dhe ai i LSI-së, Petrit Vasili iu përgjigjën dje, Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për çështjen e përcaktimit të kritereve për anëtarët që duhen dekretuar për tri vendet vakante në Gjykatën e Lartë. Në limitin e kohës që iu kishte caktuar kreu i shtetit, Ruçi e Vasili i dërguan dje përgjigjen, po përmes një letre, ku sqarojnë rëndësinë e transparencës me të cilën duhet të zgjidhen anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ata i kërkojnë Presidentit që të rihapë procesin e kandidimit për tri vendet vakante në Gjykatën e Lartë, bazuar në ndryshimet ligjore për këtë çështje, kryer nga mazhoranca në fillim të dhjetorit të vitit që shkoi, ndryshime për të cilat Presidenti nuk është shprehur ende me dekretin, për miratimin apo rrëzimin e tyre. Këto ndryshime parashihnin ngritjen e një Këshilli Konsultativ pranë Presidentit të Republikës me krerët e institucioneve të pavarura, Këshill që do të bënte një raport vlerësuar për kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Por pa marrë parasysh këto ndryshime, Presidenti iu kërkoi grupeve parlamentare, bazuar në ligjin e vjetër për Gjykatën e Lartë, dhënien e mendimeve për përcaktimin e kritereve konkrete dhe performancën që duhet të anëtarët e rinj. Në këto kushte, krerët e grupeve kuvendore të mazhorancës në këtë leter i kujtojnë Presidentit që bazuar në ndryshimet ligjore të hapë procesin e emërimeve në Gjykatën e Lartë.
LETRA
I nderuar zoti President,
Në vlerësim të letrës suaj datë 26 dhjetor 2014, nëpërmjet së cilës, Ju kërkoni bashkëpunimin e grupeve parlamentare për dhënien e mendimeve për përcaktimin e kritereve konkrete dhe performancën që duhet të kenë dy anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, në respekt të kërkesës kushtetuese për kualifikim të lartë, përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatës së Lartë, në cilësinë e kryetarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Grupit Parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, në kushtet kur qëndrimet dhe vlerësimet tona në lidhje me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kanë qenë krejtësisht të ndryshme nga ato të mbajtura nga institucioni juaj, me synimin për të orientuar qëndrimet e mbajtura drejt përputhjes me standardet kushtetuese, dëshirojmë t’Ju parashtrojmë, ashtu siç Ju e keni kërkuar, me shkrim dhe publikisht, opinionin tonë konsekuent në lidhje me këtë çështje.
Ne vijojmë të shpresojmë se mund të ndajmë me Ju shqetësimin madhor se përbërja cilësore që duhet të ketë Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, veçanërisht në këto momente, kur sistemi gjyqësor perceptohet gjerësisht si i prekur në mënyrë sistematike nga fenomene të tilla, si korrupsioni dhe mungesa e profesionalizmit, është drita e shpresës, që duhet të duket në fund të këtij tuneli reformash, të cilat kjo mazhorancë ka vullnetin t’i zbatojë për sistemin e drejtësisë.
Shprehim keqardhjen tonë që procesi konsultues në mënyrën e zhvilluar nga ana Juaj me krerët e grupeve parlamentare, në kuadër të procesit të përzgjedhjes dhe të emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë nuk ka arritur t’i shërbejë krijimit të një raporti bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Që prej hyrjes në fuqi të ligjit nr.151/2013, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, në trupën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë janë krijuar 3 vende vakante.
Për tri herë me radhë, Ju zoti President keni sjellë pesë dekrete emërimi, të cilat janë rrëzuar pas një arsyetimi të plotë ligjor nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, qëndrim i cili është pasqyruar në raportet e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, që shoqërojnë vendimet e Kuvendit për rrëzimin e dekreteve tuaja.
****
Procesi i përgjithshëm përzgjedhës i funksionarëve publikë shoqërohet me procedura të cilat synojnë të garantojnë ndër të tjera, transparencë, meritë dhe profesionalizëm. Këto kritere janë implementuar edhe në legjislacionin që rregullon rekrutimin dhe karrierën në sistemin e drejtësisë. Për rrjedhojë, Kuvendi ka synuar që të garantojë këto kritere edhe në përzgjedhjen e gjyqtarëve të Lartë, me synimin për të krijuar besimin publik se nëpërmjet këtij procesi synohet forcimi i një institucioni profesional dhe të përgjegjshëm për t’u shërbyer interesave publike në administrimin e drejtësisë.
****
Prandaj, identifikimi i kandidaturave të spikatura dhe me integritet të lartë profesional dhe moral, që do të përzgjidhen për të kryer funksionin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë është, pikësëpari, një çështje e Presidentit të Republikës, por edhe një përgjegjësi po aq e madhe, kushtetuese, ligjore, morale dhe politike e Kuvendit.
Në këtë kuadër Ne sugjerojmë që:
– Të rihapet procesi i kandidimit në funksion të ndryshimeve të reja të bëra me ligjin nr.177/2014 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8588, datë 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë” të ndryshuar”;
– Procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm, bazuar në kushtet e kriteret ligjore, duke respektuar fort kriteret objektive dhe kriteret shtesë, bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë;
– Vlerësimi, përzgjedhja, konsultimi e vendimmarrja të bëhet mbi përcaktimin e përparësisë së kritereve objektive dhe kritereve shtesë, duke i analizuar secilin prej tyre në veçanti, dhe për çdo kandidat, bazuar në dokumentet e paraqitura ose në dokumentet shtesë që mund të kërkohen sipas ligjit, detyrim i cili nuk është përmbushur në asnjë nga dekretet e mëparshme për emërimin e gjyqtarëve;
– Përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe nga përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike, veçanërisht në fushën e së drejtës administrative, që krahasuar me të tjerët, përmbushin, në nivelin më të lartë cilësor, misionin kushtetues që ka Gjykata e Lartë për unifikimin e praktikës gjyqësore, në funksion të uniformitetit dhe qëndrueshmërisë në zbatimin e së drejtës.
Ky proces që është në përgjegjësinë Tuaj zoti President i Republikës, të mos konsiderohet si një formalizëm, por të realizohet me seriozitetin dhe kthjelltësinë e nevojshme, për të qenë në lartësinë e duhur të ushtrimit të përgjegjësive që Kushtetuta dhe ligji na detyrojnë t’i ushtrojmë së bashku.
Me konsideratë,
Gramoz Ruçi
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS
Petrit Vasili
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb