TIRANE

Partia Socialiste ka mbledhur sot Kongresin në Pallatin e Kongreseve, ku pritet të ketë rreth 8 orë diskutime.

“BalkanWeb” ka siguruar programin e Kongresit ku është parashikuar të flasin një numër i madh ministrash, deputetësh, kryetarësh bashkish etj.

Kryeministri Edi Rama pritet të flasë në seancën e dytë të Kongresit, pas kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili do të prezantojë edhe kandidatët e PS për anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë.

Seanca e tretë do të zhvillohet në tre vende të ndryshme, ndërsa Kongresi do të mbyllë punimet në orën 17:00.

Një nga të ftuarit në Kongres është edhe ish kryeministri Fatos Nano, i cili pritet të marrë pjesë, por nuk do mbajë fjalim.

  • foto galeri
  • foto galeri

 

Ora 12:30 – “Nuk më keni bërë asgjë” mesazhet në Kongresin e PS jo vetëm me deklarata

Kënga e përzgjedhur nga PS në kohën kur delegatët dhe të ftuarit po hynin në Kongres, ishte “Non mi avete fatto niente” – (Nuk më keni bërë asgjë). Këngë me të cilën Ermal Meta, këngëtari shqiptar fitoi festivalin italian të këngës Sanremo.

Nëse e lidhim titullin e këngës së perzgjedhur nga organizatorët e kongresit socialist me krizën e rëndë politike dhe protestat e opozitës, mesazhi është i qartë, Partia Socialiste nuk ndalet dhe nuk cënohet nga lëvizjet politike të opozitës dhe protestave të saj.

Ora 12:00 Spiropali apel opozitës: S’ka pushtet në tavolinë, as me dhunë

Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali u shpreh se pushteti nuk merret me Pazar dhe në tavolinë, por me votë. Gjatë fjalës së saj në Kongresin e PS, Spiropali apeloi opozitën të marrë pjesë ne zgjedhjet lokale, ku PS sipas saj do fitojë edhe në bashkitë që mban peng opozita.

“Ne kurrë nuk e braktisëm betejën dhe nuk i lëmë në baltë ata që na kanë besuar. Jashë mureve të kësaj salle ka plotë shqiptarë që na dhanë besimin e tyre. Jemi më të obliguar për prosperitet. Ne nuk e tradhtuam interesin tonë kombëtar kurrë edhe kur na thoshin hiqni dorë nga lufta e infromalitetit dhe nga reforma në drejtësi. Mos i mbyllni bastet etj. Për të mos folur për reformën në drejtësi. Të gjitha i bëmë me Edi Ramën dhe PS. Edi Rama dhe PS janë realizuesit e kësaj platforme të domosdoshme për Shqipërinë . Respekt për ata që respektojnë protestën. Ata që braktisin detyrën dhe që përdorin dhunën dhe i hedhin Shqipërisë baltë. I keni dëgjuar kur thonë hiqni Edi Ramën se nuk e mundim dot. Ata që po përpiqen të na ndajnë në socialistë të vërtetë dhe rilindës, që thonë hiqni Ramën se ne nuk fitojmë dot, përmbysni qeverinë u them, o të keqkuptuar pushteti nuk merret me Pazar as dhunë, por me votë e vetëm me votë shihemi në zgjedhjet e qershorit ku do fitojmë Shkodrën, Kukësin, Mallakastrën, Devollin, Lezhën dhe gjithë bashkitë. Ju presim në fushën e betejës dhe të zgjedhjeve të 2021 ku ne prapë do fitojmë. Deri më atëherë nuk ka pushtet në tavoline”- tha Spiropali.

Ora 11:40 Cakaj: Rruga e Shqipërisë në BE, me vepra dhe jo me fjalë

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj tha se Shqipëria për tre muaj pret një përgjigje për hapje të mundshme të negociatave të vendit tonë me Bashkimin Europian. Cakaj tha se hapja e negociatave nuk bëhet me fjalë, siç mendon ndokush, por me vepra. “Kongresi mbahet 3 muaj përpara se të jepet përgjigja për hapjen e mundshme të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Opozita e Shqipërisë sot del në rrugë për interesa personale të ngushta. Ne nuk jemi këtu për interesa të ngushta, por për interesa madhore të Shqipërisë, për hapa përpara të vendit për në BE, për një komb të bashkuar”, tha Cakaj.

Ora 11:26 Klosi: Kthyem dashurinë për natyrën dhe mjedisin

“Ne kemi bërë shumë reforma ndër të cilat kemi kthyer dashurinë për natyrën dhe mjedisin. Në shpëtuam kanionet e Osumit, Malin e shenjtë të Tomorrit, masakrën në Malin e Krujës. Njerëzit janë kthyer nga emigracioni sepse kanë kuptuar se Shqipëria mund të ofrojnë çdo gjë. Ne kemi kaq shumë njerëz që na duan sepse e dinë se e vetmja forcë politike që mund të sigurojë një jetë të denjë është Partia Socialiste”, u shpreh Klosi.

Ora 11:05 Margariti: Kultura, motori i zhvillimit të një vendi

Ministrja e Kulturës Eva Margariti tha se kultura është shumë e rëndësishme për një vend. Margariti tha se të huajt e vlerësojnë bukurinë e Shqipërisë, ndërsa ne e kemi për detyrë që të promovojmë kulturën shqiptare. “Të huajt e vlerësojnë kulturën shqiptare, ndërsa ne, rinia sidomos duhet që të promovojë atë. Me kulturën tonë kemi të drejtë të krenohemi, ta mbrojmë atë dhe ta nxjerrim faqebardhë përpara kulturës europiane. Shqipëria ka bukuri të jashtëzakonshme si Thethi, Valbona e deri në thesaret e bukurive në jug. Ne po investojmë dhe po promovojmë kulturën e bukur shqipe”, tha Margariti.

Ora 11:14 Manastirliu: Do përmirësojmë akoma më shumë shëndetësinë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se kjo qeveri do të përmirësoje akoma më shumë shëndetësinë.

“Jemi ku e ku më mirë se kundërshtarët tanë. Sfida jonë nuk është me ata që braktisin ata që i kanë votuar. Kur ishin në qeveri i braktisën duke punuar për veten ndërsa sot në opozitë i braktisin nga përfaqësimi. Ne ndërtojmë aty ku të tjerët lënë gërmadha. Në këto vite sistemi shëndetësor ka pësuar ndryshim rrënjësor. Ne do të përmirësojmë akoma më shumë shëndetësinë përmes sistemit tonë qeverisës. Shqipëria që ne duam do të bëhet vetëm me fuqinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, u shpreh Manastirliu.

Ora 11:02: Shahini: 4500 mësues të punësuar në 5 vite, rritëm cilësinë

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha gjatë fjalë së saj në Kongresin e PS se në 5 vite janë punësuar 4500 mësues dhe nuk ka më punësime me ndërhyrje, por përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë’.

Sot përshpejtimin më të madh në përmirësimin e rezolutave në arsim e kemi bërë në 5 vitet e fundit. Mësuesit sot testohen dhe ata me aftësi më të mira punësohen përmes portalit. Nuk ka më ndërhyrje për punësimin e mësueseve 4500 mësues janë punësuar në 5 vitet e fundit. Reforma në arsim ka dhënë rezultate duke rritur cilësinë e arsimit. Protesta  studentët na tërhoqi vëmendjen dhe ne u përkushtuam që realizojmë disa kërkesa.

Ora 10:20 – Balla: PS ndez motorët e fushatës, të gatshëm për dialog me opozitën

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS, kreu i grupit parlamentar të kësaj force politike, Taulant Balla tha se PS është partia më e madhe e gjithë shqiptarisë dhe se sot ndez motorët e zgjedhjeve vendore të qershorit. Sipas Ballës, opozita u mundua për të sajuar një ngërç pas braktisjes së mandateve dhe shprehu gatishmërinë e qeverise për dialog në të mirë të vendit.

Ora 10:27 – Gjonaj: Reformat të pandalshme, korrupsioni s’zhduket me një mandat

Reforma në drejtësi ishte fokusi i fjalës së ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj në fjalën e saj në Kongresin e PS-së. “Reforma në drejtësi, sado janë përpjekur per ta ndalur, është e pandalshme dhe rezultatet e saj janë vetëm fillimi. PS dhe kjo maxhorancë është e vendosur për të ecur në rrugën e reformave për shtet. Ne zgjodhëm një qasje të re për qeverisje, një koalicion për qytetarët me qytetarët. Beteja vazhdon, korrupsioni nuk zhduket me një mandat. “ tha Gjonaj

Ora 10:37 – “Shohin muret”, Braçe: Zyrtarët që s’i shërbejnë njerëzve ikin

Zëvendëskryeministri Erjon Braçe tha se mbi 22 mijë qytetarë kanë marrë zgjidhje për problemet e tyre në platformën e bashkëqeverisjes. Gjatë fjalës së tij në Kongresin e PS, Braçe u shpreh se kush zyrtar nuk i përgjigjet problemeve të qytetarëve do të largohet.

Ora 10:45   Balluku: Bëmë reformën energjetike, opozita po largohet nga frika

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku në fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste tha se në sektorin energjetik janë bërë ndryshime të rëndësishme. “Opozita përballë frikës së humbjes në zgjedhje ka vendosur të djegë mandatet Ne na shqetëson akti i tyre por nga ana tjetër ne vazhdojmë punën për t;i shërbyer qytetarëve. Qytetarët nuk e harruan situatën energjitike kur ne e morëm qeverinë. Ishte një kohë kur energjia trajtohej si mall pa Zot.” tha Balluku.

Ora 10:50 – Manastirliu: Treguam se dimë të ndërtojmë ku lihen gërmadha

“ Sfida jonë është me veten tonë. Për një Shqipëri më të mirë. Nuk jemi të kënaqur sepse kemi ende probleme të pazgjidhura, por jemi të vendosur për të transformuar shëndetësinë.” U shpreh ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu,ndërsa foli për projektet e të ardhmes në shëndetësi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: