Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka komentuar vendimin e marrë në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PS, për zëvendësimin e Pandeli Majkos si drejtues politik në qarkun e Kukësit, nga Eduart Shalsi.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar. Sipas tij regjistruesi ishte vendosur për të regjistruar pazare të trafikut të lëndëve narkotike, por në to del edhe Majko.

“Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës.
Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty.
Aty shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë.
I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës.
Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet.
Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë.
Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar.
Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin.
Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është.
Pra, ky është Majko.
Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb