Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, i ftuar në studion e News24 ka analizuar situatën në kampin e mazhorancës në nisjen e sezonit të ri politik, duke theksuar se partia është në një proces rinergjezimi për të përballuar sfidat e ardhshme.

Në një analizë të situatës aktuale të PS-së, Koçi ka deklaruar se ndryshimet në strukturën e partisë duhet të jenë graduale dhe të qëndrueshme. Ai ka sugjeruar se pritet të ketë ndryshime në kryesinë e partisë, në sekretariatin e saj, dhe ndoshta në disa drejtues të qarqeve, por ka theksuar se një ndryshim radikal nuk është i nevojshëm në këtë moment.

“Ndryshimet që do të realizojmë janë me këmbë në tokë,” ka thënë Koçi, duke e shpjeguar këtë qasje si një përpjekje për të ruajtur stabilitetin dhe vazhdimësinë e PS-së. Ai ka shtuar se, sipas të dhënave të sondazheve, stabiliteti në pëlqimin elektoral të partisë është i dukshëm dhe nuk ka shenja të një rënie të ndjeshme të mbështetjes popullore.

Koçi theksoi se aktualisht nuk ka asnjë alarm për një krizë të brendshme në parti dhe se besimi në drejtimin e partisë është i plotë.

Në lidhje me opozitën, Koçi tha se ajo vazhdon të përballet me probleme të trashëguara, veçanërisht në raportet me komunitetin ndërkombëtar. Koçi ka përmendur edhe shpalljen “non-grata” të Sali Berishës si një faktor që ka ndikuar në kompleksitetin e situatës politike dhe që nuk ka mekanizma të mjaftueshëm për të korrigjuar problemet e raportit me ndërkombëtarët.

“Të dhënat tregojnë stabilitet në pëlqimin elektoral të PS, flas për sondazhe të vazhdueshme. Nuk jemi në kushtet ku flasim se ka një rënie të pëlqimit, nuk ka një alarm, por ka besim të plotë se jemi në rrugën e duhur. Në këtë objektiv është edhe ndihma e opozitës, e cila mbetet me trashëgimin e një problematike të pakorrigjueshme, ku më themelorja është ajo e raportit me ndërkombëtarët, ku vetë shpallja non-grata e Berishë, nuk ka instrument ta korrigjojë”, tha ai.

Në përfundim, Koçi ka siguruar se Partia Socialiste është e angazhuar në një proces të përmirësimit të vazhdueshëm dhe rienergjizimit dhe se ndryshimet që po ndodhin janë të nevojshme për të rritur efikasitetin dhe për të përballuar sfidat e ardhshme politike si zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb