Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën e “Opinion”, në News 24, nisjen e sesionit të ri parlamentar. Duke komentuar fjalën e kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, analisti Lubonja u shpreh se ky është pushteti i disa oligarkëve dhe trafikantëve, dhe se ky regjim mund të quhet oligarkia e kriminelëve.


“Ky është pushteti i disa oligarkëve dhe trafikantëve, ndaj ky regjim mund të quhet oligarkia e kriminelëve. Deklarata e Ruçit për demokraci është e krahasueshme me propagandën e Enver Hoxhës. Lidhur me shtrirjen e dorës … ky kryeministri tani e zbuloi se Valdrin Pjetri ju paska dalë pa dashje jashtë loje dhe po bëjnë lidhje të reja. Ata e dinë shumë mirë dhe e kanë vënë për atë që është atje. Dhe kanë vënë në Parlament shumë njerëz të lidhur me krimin dhe janë vetë në krye”, tha Lubonja.


Sa i përket taktikës së mazhorancës, për të bërë një rrëfim mbi atë që është bërë deri më tani dhe vendimin për të ashpërsuar ligjin e Dekriminalizimit, analisti u shpreh se gjithçka është një gënjeshtër, të cilën tashmë e dinë edhe qytetarët.


“Po pse nuk arrestohet ai Valdrin Pjetri? Pse dosja “184” transferohet në Dibër? Për mua është një narracion, që po iu imponohet shqiptarëve. Gënjeshtra të imponuara. Ky narracion bëhet gënjeshtër, që e dinë të gjithë se është e tillë”, u shpreh analisti.

Ndërsa, lidhur me debatin mes ballistëve dhe partizanëve, analisti deklaroi se ky nuk është problemi më i madh i Shqipërisë, ndaj dhe duhet kaluar.

“Është një pseudo-problem në raport me problemin që kemi. Po të shohësh këta oligarkët, nga e kanë origjinën, ca janë ballistë, dikur kanë qenë me PD, ca me Ramën. Ky është problemi i madh, njerëz pa princip që kanë kapur shtetin, po shkatërrojnë Tiranën. Kemi krijuar një shoqëri që janë vetëm ca të pasuar që sundojnë dhe shumica që janë të varfër. Ky debat duhet kaluar, problemi më i madh është oligarkia kriminale. Historia duhet shikuar nga historianët”, theksoi ai.

(d.ç./BalkanWeb)