TIRANË- Partia Socialiste ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për rritjen e çmimit të energjisë. Deputetja Olta Xhaçka tha se Partia Demokratike duhet të sjell fakte dhe argumente dhe jo të mashtrojë.

“Është për të ardhur keq se ku është katandisur Partia Demokratike. Që kishte probleme me shifrat, kjo dihej që në kohën kur ishin në qeveri. Por që shkalla e mashtrimit publik të arrinte në nivelin e këtyre ditëve të fundit, kjo është vërtetë për të ardhur keq. Pasi shqiptarëve u duhet një opozitë që di të mbajë qeverinë nën vëzhgim, por edhe të ofrojë alternativa. Por edhe vetë qeverisë i duhet një opozitë që sjell fakte dhe argumente, jo thjesht dhe vetëm që mashtron gjithë ditën e ditës”, tha Xhaçka.

Ndryshe nga sa deklaroi deputeti i PD-së, Luçiano Boçi se rritja e çmimit të energjisë do të sjellë rritjen e çmimit të bukës, Xhaçka tha se çmimi i energjisë për furrat nuk ka ndryshuar.

“Sot opozita arriti kulmin kur tha se çmimi i bukës do të rritet si pasojë e rritjes se çmimit të energjisë. Por e vërteta është se çmimi i energjisë për furrat e bukës nuk ka ndryshuar. Është i njëjti çmim që ka qenë edhe më parë. Pra qytetarët duhet të jenë të qetë për këtë gjë”, sqaroi Xhaçka.

Deputetja e PS-së deklaroi edhe njëherë se çmimi i energjisë nuk është rritur por është mesatarizuar, ndërsa sipas saj ishte PD-ja që rriti çmimin.

“Nga ana tjetër, dëshiroj t’u tregoj shqiptarëve diferencën mes nesh, që sot po qeverisim Shqipërinë, dhe atyre që ishin në pushtet për plotë tetë vjet.
Ne themi se çmimi i energjisë u mesatarizua. Më parë deri në 300 kilovat paguhej 7,7 lekë, mbi 300 kilovat paguhej 13,5 lekë. Ndaj, tani që çmimi është njehsuar 9.5 lekë, kjo do të thotë mesatarizim. Partia Demokratike derdh lot krokodili. Mirë që pas tetë vitesh e solli sistemin energjetik në prag falimenti, por çfarë bëri me çmimin tetë vjet rresht? E rriti. Nuk e mesatarizoi, por e rriti”, u shpreh deputetja e PS-së.

Xhaçka tha se gjatë kohës që ishte në pushtet, PD-ja e rriti dy herë çmimin e energjisë.

“Për fashën 300 kilovat e gjeti çmimin 4.5 lekë, e rriti njëherë në 7 lekë dhe në fund e rriti në 7.7 lekë. Për fashën mbi 300 kilovat e gjeti çmimin 9 lekë, e rriti njëherë 12 lekë dhe në fund e rriti në 13.5 lekë. Për çmimin e konsumit të ambienteve të përbashkëta, e gjeti çmimin 4,5 lekë, e rriti njëherë në 7 lekë dhe në fund e rriti në 8 lekë. Në tetë vjet, i rritën çmimet plot dy herë, njëherë në 2006-tën e pastaj në 2010-ën. Dhe në fund, humbjet në rrjet u rritën, vjedhjet u shtuan, sistemi shkoi drejt falimentit. Ndaj sot, kur çmimi nuk po rritet, por thjesht po thjeshtëzohet e mesatarizohet, e mira është që opozita të paktën të mos gënjejë, si në rastin e furrave të bukës, çmimi i energjisë për të cilat nuk ka ndryshuar”, përfundoi ajo.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb