Gjatë kohës kur po vazhdonin polemikat për vrasjen e gazetarit Khashoggi, sikur për ta ngritur për një nivel më lart konspiracionin, gati krejt pa zhurmë, Turqia e liroi priftin amerikan që po e mbante për dy vjet në paraburgim për shkak të dyshimeve se ai ishte pjesë e “puçit” ushtarak, akt i cili i kishte tendosur raportet e tyre me SHBA-të.

Këtë akt të Turqisë e përshëndeti Donald Trumpi dhe tha se një gjë e tillë do t’i normalizonte marrëdhëniet në mes dy shteteve.

A mund të ndërlidhet lirimi i priftit me ngjarjen në konsullatë? Këtë gjë ndoshta nuk do ta dimë kurrë, por është e pabesueshme që këto dy ngjarje të janë koincidencë e pastër. Stambolli që prej Luftës së Dytë Botërore, për shkak të pozitës gjeografike, që i lidh dy kontinente, gjithmonë ka qenë fushëbetejë e shërbimeve sekrete. Sigurisht që këto shërbime nuk kanë vendosur t’ia fusin gjumë gjatë këtyre ditëve të fundit.

Në anën tjetër, derisa po ndodhnin këto zhvillime, Arabisë Saudite po i dështonte forumi ekonomik që ishte planifikuar të quhej “Davosi në Shkretëtirë”. Vitin e kaluar Princi Bin Salman kishte paralajmëruar që shumë shpejt do të fillonte ndërtimi i një mega-qyteti në mes të shkretëtirës, ku do të fillonin të vlenin rregulla të reja religjioze. Informata të këtilla kishin qenë muzikë e mirë për Perëndimin, se më në fund dikush kishte vendosur që t’i hapte dritaret për ta ajrosur këtë vend të mykur nga primitivizmi. Mirëpo, pas incidentit në konsullatë kompanitë më të fuqishme të botës filluan ta paralajmërojnë bojkotimin e samitit. Të njëjtën gjë e bënë edhe shtetet e Bashkimit Evropian. SHBA-të po kërkonin pak më shumë prova që do ta dëshmonin involvimin arab në krimin e kryer në Stamboll.

Presidenti Trump po kalkulonte. Herën e dytë kur doli përpara mediave, pas bisedës që e kishte zhvilluar me Mbretin dhe Princin arab, tha se ekzistonte mundësia që krimi i kryer në konsullatë të ishte realizuar pa dijeninë e mbretërisë arabe, kokë në vete nga një elitë vrastare, e dalë jashtë kontrolli. Presidenti Trump, dhe të gjithë ata që po provonin ta zbusnin përgjegjësinë e Princit, po aludonin që truri i operacionit kishte qenë zëvendësshefi i shërbimeve inteligjente saudite Ahmed bin Hassan bin Mohammed Assiri. Kjo zbutje e qëndrimit amerikan u duk sikur po u jepte oksigjenin e duhur sauditëve, që, ndonëse kishin kaluar dy javë nga krimi, edhe më tutje nuk e kishin ndarë mendjen se si ta pranonin këtë vrasje e të mos penalizoheshin nga bota, respektivisht SHBA dhe Bashkimi Evropian.

Donald Trump, në bazë të reagimeve të bëra, dukej i interesuar që situatën ta mbante të tensionuar, ta rriste presionin ndaj Arabisë Saudite, por që çdo gjë të mbetej nën kontroll – nën kontrollin e tij. Pak a shumë Trumpi ishte i interesuar që ai personalisht t’i përcaktojë kushtet e dorëzimit për arabët. Dukej që kur fliste për gazetarin e vrarë ai në mendje e kishte një kontratë të lidhur më herët me Arabinë Saudite, në vlerë prej mbi 100 miliardë dollarë. A kishin filluar amerikanët ta shfrytëzonin mundësinë e artë për t’u vënë kushte arabëve që të fillonin të paguanin shumën e kontraktuar, në këmbim të mbështetjes së tyre në këtë kohë kaq të rëndë për ta? Këtë marrëveshje kaq të madhe financiare, e cila premtonte 600.000 vende të reja të punës, Trumpi e kishte propaganduar aq shumë në opinion, mirëpo MBS edhe më tutje nuk e kishte vënë dorën në kuletë.

Ky dukej një moment ideal për Presidentin Trump, i cili gjithashtu, sikurse edhe Erdogani, nuk ka qenë kurrë ndonjë mik i madh i gazetarëve, por as i të drejtave të njeriut. Prandaj kishte mundësi që kriza e re në Lindje të Mesme të ishte një mundësi më shumë për të që të impononte kërkesat e tij. Pa ndonjë transparencë të madhe ai e nisi për në Arabi Saudite dhe Turqi sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarjeje, e sigurisht për t’i bërë të ditura sy më sy edhe kërkesat e Amerikës. Arabët ndërkohë po luanin shumë ashpër. Po e mohonin që e kishin vrarë gazetarin dhe gjithashtu po thoshin se kushdo që do të guxonte t’i penalizonte me sanksione, ata do t’i përgjigjeshin me të njëjtën mënyrë.

Arabia Saudite, dhe satelitet e saj në rajon, duke qenë prodhuesi kryesor i naftës në botë, vazhdimisht vetëmbrohet duke kërcënuar me ndalje të prodhimit të naftës, duke shkaktuar ngritje çmimesh kudo. Ngritja e përnjëhershme e çmimeve të naftës do ta dridhte ekonominë botërore. Përveç kësaj, Arabia Saudite një letër tjetër të fortë në dorën e saj e ka edhe mbajtjen nën kontroll të Iranit, kundër të cilit SHBA-të po planifikojnë sanksione të reja. Një gjë e tillë është e pamundur, pa mbështetjen e sauditëve. Por, në anën tjetër, as sauditët nuk janë në pozitë për t’u shkëputur nga influenca amerikane. E gjithë forca e tyre ushtarake është e mbështetur në blerjet nga SHBA dhe BE, e posaçërisht nga të parët. Ata edhe po të donin nuk do të mundnin që të krijonin një aleancë të re politike dhe ushtarake kaq shpejt e shpejt.

Për të gjitha këto arsye, shumëkush ishte i bindur që gjatë ekspeditës së Pompeos në Riad dhe Ankara, vrasja e gazetarit, ose enigma e vrasjes së tij, do të mund të ishte vetëm njëra nga temat, por assesi më e rëndësishmja. Pak a shumë sikurse vrasja e Princit Ferdinand në Sarajevë. Kur Gavrillo Principi kishte shtënë në princin austriak askush nuk kishte thënë “o burra filloi Lufta e Parë Botërore”. Ajo vrasje vetëm e kishte hapur lojën. Në fundin e Luftës së Parë Botërore të gjithë e kishin harruar princin e gjorë. Lufta ishte bërë për territore dhe për aleanca.

Mirëpo është herët ndoshta që të kalkulojmë në përmasa të tilla. Ajo çfarë dihet është se Pompeo nuk kishte kaluar kushedi sa mirë në Arabi Saudite. Këtë gjë e reflektoi Trumpi kur filloi ta sforconte gjuhën duke deklaruar se “hakmarrja do të jetë e ashpër nëse vërtetohet që Arabia Saudite qëndron pas vrasjes”. Trajektorja e deklaratave të Presidentit Amerikan gjatë gjithë kësaj kohe ka ndryshuar. Çdo bisedë telefonike e tij ose e bashkëpunëtorëve, çdo takim sy me sy, ka krijuar situata të reja retorike.

Ndërkohë Arabia Saudite i kishte dhënë leje Turqisë që të futej në konsullatë, por edhe në objektet e tjera të personelit saudit, që të kryente hetimet e duhura, për të mësuar se çfarë kishte ndodhur. Një gjë të tillë po e prisnin të gjithë, në mënyrë që ta jepnin verdiktin final. Derisa turqit ishin futur në objektet diplomatike, mediat Perëndimore po raportonin se Princi MBS ishte afër që ta pranonte përgjegjësinë e vrasjes së gazetarit Kashoggi, por që për një gjë të tillë ai do t’i fajësonte të tjerët. Hetuesit turq, në anën tjetër, po raportonin se si në segmente të caktuara të Konsulatës së Arabisë Saudite ngjyra e murit ishte e freskët, që dëshmonte se personeli aty ishte preokupuar për t’i fshehur gjurmët e gjakut.

“Ne po kërkojmë fakte për krimin, mirëpo ne po e shohim që fakti kryesor është ky, dikush e ka ngjyrosur konsullatën për t’i fshehur krimet. Çfarë faktesh të tjera po kërkojmë?”, e shtronin pyetjen gazetarët e mediave amerikane, një numër i të cilëve kishin punuar me gazetarin e vrarë.

“Asnjë krim nuk është perfekt. Nuk do të mund të fshihen gjurmët e gjakut. Sot teknologjia ka përparuar mjaftueshëm sa për ta zmadhuar 1000 herë më shumë një njollë të vogël të gjakut, e cila mund të jetë fshehur diku në ndonjë skutë të konsullatës”, tregonte në CNN një eksperte e fushës mjeko-ligjore. Spekulohej se sauditët tashmë nuk kishin ku të fshiheshin më, përveçse ta pranonin krimin. Pyetje që shtrohej ishte se në çfarë forme do ta bënin këtë? A do të mbahej përgjegjës MBS për këtë krim, dhe i njëjti të largohej nga detyra që e mbante, si zëvendëskryeministër dhe si trashëgimtar i fronit mbretëror? Nëse ky jo, atëherë cilat koka do të binin dhe a do ta pranonte Perëndimi, pas kësaj ngjarjeje MBS-në si interlokutor?

Kur po bëheshin këto pyetje, në ditën e 17-të të zhdukjes së gazetarit Jamal Kashoggi, Arabia Saudite për herë të parë e pranoi se i njëjti ishte vrarë në selinë e tyre në Stamboll. Sipas versionit zyrtar, vrasja kishte ndodhur kur hetuesit sauditë kishin provuar që të bisedonin shtruar me Kashoggin, brenda në Konsullatë. Ndërkohë kur ata kishin filluar të bisedonin me të, vazhdon përralla saudite, kishte shpërthyer një përleshje me grushte në mes të Kashoggit dhe 18 sauditëve dhe në përleshje e sipër Kashoggi kishte humbur jetën.

“Mirëpo, nëse kjo është e vërtetë, atëherë për çfarë arsye njëri prej 18 agjentëve specialë sauditë e kishte me vete një sharrë për prerje të kockave”, pyet në editorialin e vet gazeta “The New York Times”.

Sauditët, në rrëfimin e tyre zyrtar, thanë se kur e kishin parë që Kashoggi kishte vdekur atëherë një staf lokal në konsullatë e kishte marrë trupin e tij dhe e kishte hedhur diku në pyjet rreth Stambollit.

Askush, përveç Presidentit Trump, nuk e mori seriozisht këtë rrëfim imagjinar të sauditëve. Kjo marrje e përgjegjësisë prej anës së tyre erdhi vetëm disa ditë pasi që në Bloomberg, Mohammad bin Salman kishte thënë se Jamal Kashoggi kishte dalë i gjallë nga konsullata. Brenda kësaj fjalie vetëm gjysma është e vërtetë: Jamal Kashoggi kishte dalë nga konsullata.

Mediat Perëndimore, të cilat deri dje i referoheshin me një simpati princit saudit si MBS, akronim i shkronjave të para të emrit dhe mbiemrit, tash kanë ndërruar mendje, ani pse po vazhdojnë ta përdorin të njëjtin akronim, mirëpo për arsye tjera: Mr. Bone Saw, ose Zotëri Sharra e Kockave.

“Është e mundshme të ketë ndodhur kështu”, tha Trumpi, duke shtuar se do ta vazhdojë planin për tregti me princin saudit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb