NGA: THANAS GJIKA*

Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet e ralla kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja e bukur fizike, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti.

Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij. Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Përshëndetja e tij binte në sy: të shikonte në sy dhe me dorën e djathtë e çonte pak kapelën. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë në këmbë tek katedra duke folur, ai lexonte vetëm fragmente nga stujuesit e tjerë sa për ilustrim. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë.

Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim ti përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë. Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare, por botëkuptimi dhe sjellja e tij të brumosura që në rini gjatë jetës në Austrinë katolike, e kishin ndihmuar të ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një të krishteri të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e përkushtuar. Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fun di i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi: -”Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos është e pamundur, ta ndreqësh atë. Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shembullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetëra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekësh njeriun. Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me muhabete gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura. Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja. Gjithçka shikojeni me sy kritik. Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend. Mos bëni asnjë punë shkel e shko. Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj. Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet. Mos merrni dhe mos lejoni tju marrin dinjitetin nëpër këmbë. Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kryesore….”.

Profesor Çabeu nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht
Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash të Shënuara Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studiuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lazgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familje vendase. Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të dielave për vizitë në shtëpi të tij.
Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte. -Unë me Lasgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i rregullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të dielë tha: -Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor. Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por dhe qejfli e modern, që dinte ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se prof. Çabeu kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z.-in Mitrushi thashë: -Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar. -”Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…”. Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935.

Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare u kishte thënë nxënësve: -Eqrem Çabeu ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës. Si redaktor i Radios, për të përgatitur emisionet shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj. Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që ti ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha… Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabeun. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për ti dëgjuar dhe pastaj të njeri dosnim çduhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit. Aty, gjatë tetor-nëntorit 69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrige të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona. Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte. Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet. Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë.
Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm i Radio Tiranës. Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysmë. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës. Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.
Të dielën e parë të dhjetorit 69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj. Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, që mund të transferohesha nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë letrare e gazetareske të rilindasve tanë, të cilët i admiroja. -”Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…”.

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabeun e admironim të gjithë Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado), etj., me shef Koço Bihikun. Profesor Çabeu, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamionët që parakalonin për festën e 1 Majit veshur me kompesato e beze. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re: -”Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…”. Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bankat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i di jo mirë. -”Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim”. Unë, pas pak, për tu treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog i cili duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën. -”Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq tia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë atë femër tek dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryese, ose e çuditshme.

Dihet se pasanikët i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri. Çdo gjë do kohën e vet…”. Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi: -”Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…”. Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabeu në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Sulmet ndaj tij

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabeut. U kritikua vajza e tij, atëherë 16-17 vjeçe, se mbante minifunde. Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë: -Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode. Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, tashmë studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore… Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terrorit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me të si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona. Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabeu nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkriptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua e u botua atë vit në Rumani, por në fakt atë e dërgoi ambasada jonë nga Bukureshti pas disa vjetësh, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa.

Vijon numrin e ardhshëm

(d.b/MILOSAO/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: