Në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ekziston ideja se Edi Rama është aq i fuqishëm sa vendos vetë për gjithçka.

Por a është vërtet kështu? Po të pranojmë se është kështu duhet t’i përgjigjemi një pyetjeje tjetër: ku qëndron fuqia e tij?

Nëse do të kërkojmë bazën e pushtetit të Ramës mendoj se kjo qëndron në rolin e tij si mediator midis katër pushtetesh, që, figurativisht, do t’i krahasoja me katër këmbët e poltronës piramidale të pushtetit të Ramës: pushteti ekonomik i të ashtuquajturve oligarkë; pushteti i krimit të organizuar që është investuesi kryesor sot në ekonominë shqiptare; pushteti mediatik ku kanë investuar një pjesë e të parëve dhe të dytëve; dhe, së fundi, por ndoshta më vendimtari: pushteti i atyre që i quajmë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Kuptohet se këto katër këmbë kanë gishta, thonj, kthetra e thundra të shumta interesash klientelare të ngulura në bazën e piramidës, d.m.th. në ekonominë, në politikën dhe në shoqërinë shqiptare.

E pra Rama qëndron sot i vetëm si autokrat në majë të kësaj piramide sepse deri tani është treguar mediatori më i aftë për të harmonizuar e konverguar interesat e këtyre katër pushteteve, duke i bindur, me fjalët dhe veprat e tija, se ai u shërben më mirë se kushdo të katërve, madje se, se sikur ai të bjerë, kjo do të ishte edhe rënie e interesave të tyre.

Loja që ai po bën me ndërhyrjet në krizën Kosovë-Serbi nuk mund të kuptohet jashtë punës së këtij mediatori për të ruajtur e fuqizuar katër pushtetet që e mbajnë në ndenjësen e poltronës. Në momentin aktual  ai po punon më së pari për të rritur besimin ndaj tij te SHBA dhe BE, të cilët, në kuadrin e luftës në Ukrainë, kërkojnë qetësi dhe stabilitet në Ballkan dhe për këtë u duhet t’i bëjnë disa lëshime Vuçiçit paçka se këto mund të jenë kundër interesave të Kosovës.

Ndërkaq duke bërë këtë ai po punon njëherësh edhe për interesat e lidhura me tre këmbët e brendshme që tek Rama shohin jo vetëm përfitimet e tyre të paligjshme në hapësirën shqiptare, por edhe garantin që duke u bërë ky sa më i fortë i mbron edhe nga ndonjë goditje ndërkombëtare.

Në këtë kontekst mendoj se, përtej retorikave të mbushura me shqetësimin për interesat e Kosovës e të Shqipërisë, puna që Rama po bën me ndërhyrjet e tij është në funksion të dobësimit në mos eliminimit nga skena politike të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Pse kështu? Për të shpjeguar këtë nuk mjafton ideja e disave se Kurti është problem për Ramën pasi nuk ka ndaj tij komplekset e inferioriteti që kishte Thaçi.

Sipas meje kjo ndodh pasi Kurti paraqet një pengesë për shtrirjen e pushtetit të Ramës në krejt botën shqiptare, me çka nuk duhet të kuptojmë thjesht pushtetin e Ramës, por shtrirjen në Kosovë të sistemit katër këmbësh për të cilin fola më lart.

Se si dhe pse Kurti është pengesë ndaj tre këmbëve shqiptare të këtij sistemi që kanë degëzime edhe në Kosovë, madje edhe në Serbi, kjo është e qartë? Së pari ai e ka marrë pushtetin duke luftuar klasën ekonomike politike që, në bashkëpunim edhe me Ramën, ka punuar për modelin e tre këmbëve shqiptare në Kosovë. Së dyti, me mënyrën se si po qeveris deri tani, oligarkët nuk e po e bëjnë dot për vete, por po i ka kundër sëbashku me mediat e tyre. Gjithashtu, duket se ai nuk ka lidhje as me krimin e organizuar.

Pyetja më e vështirë që lind është: po pse të ketë kundër partnerët të cilët presupozohet se duhet ta mbështesin duke pasur parasysh se është kundër të mësipërmve? Së pari, sepse, siç e tregoi edhe kriza e rrëzimit të tij gjatë pandemisë nga amerikanët, raporti i tij me ta nuk është ndërtuar sipas modelit të Shqipërisë ku politikanët, midis të cilëve shkëlqen Rama, venë gjithmonë interesat e partnerëve para atyre të shqiptarëve (le të kujtojmë vetëofrimin për të sjellë armët kimike, muhaxhedinët, afganët, zgjidhjen e çështjes së kufirit detar duke kënaqur Greqinë, dhënien së fundi të ujit shqiptar Italisë etj. etj.).

Së dyti, sepse ambasadorët nuk duket se e kanë aq të lehtë të sillen me Kurtin si guvernatorë që e trajtojnë kryeministrin shqiptar si ambasadorin e tyre, çka u ka rezultuar më komode e ndoshta edhe më fitimprurëse me paraardhësit e Kurtit, e prandaj parapëlqejnë më shumë ata. Dhe, po ashtu, – këtë po e them për provokim – nuk u rezulton të jetë i korruptuar, apo i përfshirë në krime të luftës, që ta shantazhojnë me burg apo me non-grata.

Kështu, gjatë krizës së fundit, Kurti, ose për shkak se kërkon të shkruajë një tjetër faqe të historisë shqiptare ose thjesht për shkak se, duke pasur kundër të gjithë aktorët që përmenda, po e mbështet pushtetin në politika që i pëlqejnë votuesit kosovar, – prandaj dikush i quan populiste, – që i japin përparësi interesave shqiptare për një shtet sa më funksional dhe sa më dinjitoz në raport me Serbinë, por edhe me partnerët. Kjo zgjedhje duket se e ka armiqësuar edhe më shumë me këmbën perëndimore të poltronës së mediatorit të katër këmbëve.

Dhe ja ku këtij të fundit i shfaqet edhe një herë rasti për ta nxjerrë jashtë loje këtë kundërshtar. Në diskurset e tij lidhur me krizën ai përmend vazhdimisht  shqetësimin e tij për rrezikimin dramatik që po i bën Kurti interesave të Kosovës. Por nuk mund të mos ngrihen disa pyetjet rreth sinqeritetit të këtij diskursi? Pse ai nuk e mbron Kurtin në sytë e partnerëve duke u kujtuar atyre  politikat e tij për të çliruar shtetin e Kosovës nga kapja – aq më tepër duke pasur parasysh se çfarë zhurme ka bërë, së bashku me ambasadorët amerikanë dhe britanikë, për rrezikun ndaj SHBA-së dhe Britanisë lidhur me të korruptuarin non-grata  Sali Berisha? Po ashtu, a nuk do të duhej që historia, kultura, kushtetuta shqiptare, por edhe thjesht buon-sensi  ta kishte nxitur të pozicionohej kundër izolimit të Kurtit dhe jo të bëhej izoluesi i tij i parë, siç ndodhi para disa ditësh?

A nuk mund të përdorte në favor të tij edhe argumentet  e mjaft analistëve perëndimorë që shprehen kundër sakrifikimit të interesave afatgjata të Kosovës dhe të vetë Perëndimit, për disa interesa gjeopolitike afatshkurtra – dhe jo shumë bindëse – të partnerëve, që qartazi kanë hallin të qetësojnë Vuçiçin? Pse mediatori i aftë nuk ka punuar më herët me Kurtin për të hartuar një draft për asosacionin duke e diskutuar me të, me partnerët, madje dhe me Vuçiçin, por nxitoi të hartojë një të tillë ditët e krizës dhe t’ua dërgojë direkt Macronit dhe Schulzit pa ia dërguar më parë Kurtit?

Mund të ngrihen shumë pyetje të tilla përgjigja e të cilave, përtej retorikave të tij, të çon tek ideja se  ai nuk ka hall të mbrojë Kurtin dhe interesat e asaj Kosove që voton Kurtin, por ta rrëzojë atë në emër të interesave të asaj Kosove dhe Shqipërie që sundohet nga tre këmbët që mbështesin Ramën. Dhe që të arrihet kjo zgjidhja e krizës duhet të vijë nga ai, i  vetmi partner i besueshëm shqiptar për partnerët, kurse Kurti duhet të trajtohet si shkaktari i saj, si nacionalisti irracional destabilizues që mundësisht duhet eliminuar, pasi rrezik i vazhdueshëm – në fakt i sistemit që mban në këmbë mediatorin e katër këmbëve.

Pa i dhënë të drejtë Kurtit në gjithçka po bën apo mënyrën se si po e bën, dhe gjithë duke mbetur i vëmendshëm ndaj  idesë që qarkullon ndër intelektualë kosovarë se nesër ky kryeministër i gjithëpushtetshëm mund të kthehet në rrezik për demokracinë në Kosovë, mendoj se sot Kurti, me krizën që ka nxitur, po bën mirë e se prandaj ka nevojë të mbështetet, ndihmohet, (ndoshta edhe të korrigjohet), por kurrsesi të izolohet apo eliminohet.

Dhe një nga të mirat që po bën, përveç asaj se po i jep dinjitet Kosovës duke kërkuar të trajtohet si shtet i pavarur nga ata që e kanë njohur si të pavarur, është se ka vënë në krizë sistemin Rama – Thaçi – Vuçiç – Partnerë, i bazuar ky në liderë autoritarë që së brendshmi mbahen në pushtet nga oligarkë kriminalë dhe së jashtmi nga politikanë perëndimorë naivë, cinikë apo të korruptuar që i shohin këta autokratë si mjete të shpejtë për të zgjidhur problemet e tyre paçka se kështu thellojnë problemet e popujve që vuajnë këto autokraci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb