ANKARA- Presidenti Erdogan e bën veten qesharak, kur thërret ambasadorin e Gjermanisë për shkak të një videoje satirike. Diplomacia gjermane përpiqet ta ruajë atë sa më shumë nga turpërimi, mendon Matthias Bölinger.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është një njeri që njeh shumë armiq. E parë më saktë, Presidenti turk ndodhet në mënyrë permanente në luftë kundër komploteve të të gjitha llojeve: një predikuesi në SHBA, i cili thuhet se ndjek një plan të gjerë për rrëzimin e Erdoganit, kundër gazetarëve të pabindur, prokurorëve me një agjendë të fshehtë, kundër fuqive të errëta të huaja. Lista e atyre që i duan sipas tij të keqen atij dhe shtetit të tij është e gjatë. Tani, Presidentit iu desh të durojë edhe një sulm tjetër ndaj nderit të tij.

Të qeshësh për dikë, nga i cili je i varur
Emisioni satirik Extra 3 i Norddeutsche Rundfunk guxoi që të qeshte në një videoklip për sundimtarin turk. Krahas muzikës së Nenas “Disi, Diku, Dikur” i këndohet “Bosit të Bosforit”: “Një gazetar, që harton një gjë, që nuk i pëlqen Erdoganit, që të nesërmen është në burg”, thuhet në vargjet me rimë në gjermanisht. Ose “Të drejta të barabarta për gratë. Edhe ato hanë dru”. Kjo shoqërohet me pamje të dhunës policore kundër një demonstrate për Ditën Botërore të Grave. Presidentit, kaq është e sigurt, nuk i erdhi për të qeshur nga shakaja. Që javën e kaluar ai ka thirrur me sa duket Ambasadorin gjerman, për t’u ankuar. Berlini është në një pozicion të vështirë. Sepse fakti që Evropa dhe veçanërisht qeveria gjermane janë të varura në politikën e refugjatëve nga Turqia – ose e kanë bërë veten të varur – është i padiskutueshëm. Pikërisht në momentin kur qeverisë turke i rrëshqasin nga duart frerët në Lindjen e Afërme, ajo ka marrë një levë të përmasave të mëdha. Kështu Turqia arriti ndër të tjera rinisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, megjithëse Turqia po flak tej gjithnjë e më shumë vlera demokratike. “Ji sharmante, se ai të ka në dorë”, shprehet Extra 3 përmbledhtazi në video. Në video shihet Angela Merkeli, si i shtrëngon dorën Presidentit të kënaqur me veten.

“Jo konfirmim” në këtë rast është “po”
Për takimin midis Erdoganit dhe ambasadorit gjerman në çështjen e Extra 3, nga Ministria e Jashtme gjermane nuk të jepet konfirmim zyrtar. Por për këtë nuk ka as nevojë. Sepse mund të jesh i sigurtë që lajmi do të qe kundërshtuar menjëherë, po të mos qe zhvilluar takimi. Në fund të fundit, takimi i vogël nuk është i pakëndshëm vetëm për Ambasadorin gjerman, edhe Erdogani vetë vetëm mund ta dëmtojë veten me aksione të tilla. Një njeri, që e ngre një shaka në një aferë shtetërore, tregohet para së gjithash jo njeri i lartë. Dhe i jep momentit të përplasjes një vëmendje, që ndoshta nuk do ta kishte pasur kurrë. Erdogani përpiqet ta kundërshtojë shpotinë, duke e bërë veten krejt qesharak. Por nga vaniteti, atë nuk mund ta shpëtojë as diplomacia gjermane.

(ed.me/DW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: