Misionari italian Pietro Quaroni ka lënë kujtime të këndshme në aspektin e trashëgimisë historike, sa i përket elitës politike shqiptare. Në të gjitha ka një ndjenjë të vrazhdësisë dhe paqytetarisë të individëve politikë, paçka se një pjesë e madhe e tyre kishin kulturë, edukatë dhe etiketë shoqërore më shumë sesa ai. Kulmin e përçon një moment, kur vëzhgimin e shtron me një parabolë ku edhe vetë Zoti ishte i kënaqur me Shqipërinë dhe i zemëruar me Francën, Anglinë e Gjermaninë!!!Arsyeja: shqiptarët kishin mbetur në stadet e dikurit, kurse vendin e tyre e kishin lënë djerrë, ashtu si e krijoi i Madhi Zot..

Në vitet post demokraci, të huajt tregonin një histori tjetër për shqiptarët anarkistë dhe të paorganizuar dhe madje që pengonin kudo njëri-tjetrin. Dy peshkatarë kishin lënë një kovë me karavidhe shqiptare në buzë të detit, të pafrikësuar se do të iknin, sepse ato pengonin njëra-tjetrën…

A paralajmëruan ndonjëherë të huajt për realitetet e shqiptarëve?! Në kujtime, epistolarë dhe vendime kupton se ka një pjesë të huajsh të dashuruar me vendin tonë, që e kanë bërë më së miri këtë. Shumë albanologë dhe studiues kanë mësuar shqiptarët, por edhe janë mësuar prej tyre. Disa syresh, cilësitë më të mira të shqiptarëve, i kanë përcjellë deri në apoteozë. Vetëm se ata që kanë qenë si mbikëqyrës të administratës dhe hapave të këtij shteti jo pak herë kanë gabuar. Nuk mund të thuhet kështu për italianët e viteve ’20 dhe ‘30, sa i përket koncepteve të tyre qytetëruese, por aspak politikës për ta kthyer vendin tonë në koloni. Gjermanët e Luftës së Dytë Botërore shkuan më tepër dhe në raportin konfidencial për burimet ekonomike-sociale-politike të Shqipërisë përmendin mungesën e organizimit, dyfytyrësinë e administratës kuislinge dhe mbi të gjitha aspekte të drejtpërdrejta, që pothuaj qëndrojnë edhe sot te individi shqiptar. Gjithsesi, pak vite më vonë erdhën komunistët dhe atë dembelinë proverbiale të shqiptarëve e kthyen në energji. Dhe, veçmas atyre që sot anatemohet me të gjithë regjistrin, nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria ndryshoi dhe ngriti një industri të mirë dhe përmirësoi bujqësinë. A ishte e mjaftueshme?! Vitet ’90 treguan që modeli ekonomik i zgjedhur dhe ecuria e vendit nuk i shkonte logjikë së kohës. Vendi ishte sërish i varfër, fatkeqësisht, ndërsa i krahasuar me vendet e tjera të kontinentit, sërish kishte mbetur në fund.

Aman të huajt kishin një trashëgimi të tërë sa i përket zhvillimeve të vendit dhe këshilla të mira. SHBA-ja e eksploroi e para vendin tonë, duke ditur shumë mirë dhe konjukturat gjeostrategjike, që shpesh i shkakton vetë. Fred Abrahams, do të pohojë në një intervistë për Nick Robins-Early se: “Një gabim i madh i politikës së Perëndimit ishte se ata besonin se demokracia vjen vetëm me zgjedhjet dhe reformën në tregun e lirë. Shqipëria tregon se ky nuk është rasti. Demokracia vjen me institucione demokratike dhe kulturë demokratike dhe këto gjëra i mungojnë sot Shqipërisë”. Dhe argumenti i tij është për Berishën, që asokohe mendohej si zgjedhja e qartë e Uashingtonit, por edhe politikani më i talentuar i asaj kohe. Megjithatë, po kjo SHBA demokratike zgjodhi njeriun, që me të kaluar komuniste, premtoi të shkatërrojë trashëgiminë komuniste, duke shkelur mbi opozitarët, gazetarët, etj. Por, falë tij Shqipëria plotësoi kreditet, që i dhanë vizat dhe anëtarësimin në NATO, një element, që konsiderohet ekuilibër për të huajt karshi vendit tonë. Shumë vite më vonë, kjo do të ndodhë me një investim tjetër personaliteti të të huajve, por që sot nuk i duhet burimi përveç akuzave. Edi Rama po rezulton gjithashtu një zhgënjim me mënyrën e sjelljes, por edhe aktin për të drejtuar si autokrat.

Një nga gabimet më të mëdha të huajve është se u kanë shterur albanologët e mëdhenj që hidhnin dritë në shumë probleme antropologjike, kurse tjetra është globale: Vendet e vogla në zhvillim gjithnjë janë një eksperiment i mirë për të huajt, që kavjen e tyre e joshin me lloj-lloj fjalësh.

Në një farë mënyre, Shqipëria ka qenë një eksperiment i dhimbshëm për qytetarët e saj dhe sfidues për të huajt që na kanë treguar sesi edhe vetë ata janë të paqartë me vendin tonë. Tek e fundit, vetë shqiptarët, e kanë të vështirë t’i njohin shqiptarët. Mbi të gjitha angazhimin për të bërë realisht institucione demokratike… (Homos Albanicus)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb