I ftuar në studion e News24, sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, sqaroi incidentin e ndodhur në Kuvend, ku u përplas me deputetin Agron Shehaj.
Sipas Nokës, tensionet nisën kur Shehaj i liroi vendin në foltore Pranvera Resulajt, ndërsa atij iu mohua e njëjta mundësi. “Ka një qasje ndryshe për PS dhe një tjetër për ne,” u shpreh ai, duke akuzuar mazhorancën për diskriminim në trajtimin e deputetëve të opozitës.
Gazetarja Ola Bruko e pyeti Nokën për arsyen e bllokimit të interpelancës së Shehajt me ministren Balluku. Në përgjigje, Noka theksoi se rregullorja e Kuvendit nuk lejon zhvillimin e dy interpelancave për të njëjtën çështje brenda një sesioni. Ai përmendi se një interpelancë e ngjashme ishte zhvilluar më parë nga deputetja Hoti.
Kur u pyet për incidentin e hedhjes së telefonit të Shehajt, Noka tha: “Pranvera Resulajt i liroi vendin të fliste, ndërsa mua më tha ‘gjallë s’të lë të flasësh’. Kjo është e papranueshme.”
Flamur Noka theksoi gjithashtu se Partia Demokratike ka qenë aktive në mbështetjen e qytetarëve, duke përmendur protestat për projektin Thumanë-Kashar dhe reagimin për taksën e pronës. “Vetëm PD ka reaguar për tre muaj rresht në Thumanë,” përfundoi ai.