Një plagosje ka ndodhur para pak minutash në Lagjen e Spitalit në kryeqytet. Aty janë plagosur katër persona, një prej të cilëve ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.


Gazeta Express mëson nga dëshimtarët se në këtë incident kanë qenë të përfshirë babë e djalë, njëri prej të cilëve edhe ka vdekur. Rasti dyshohet të ketë ndodhur për çështje pronësore.


Sipas dëshmitarëve, dy nga viktimat janë të moshës rreth 30 vjeçare, derisa kanë thënë se të shtënat kanë qenë me kallashnikovë. Një nga të plagosurit është një kalimtar rasti, i cili ishte munduar të qetësojë situatën.


“Djalë e babë janë të përfshirë në incident, njëri nga ta ka vdekur. Rasti ka ndodhur për çështje pronësore. Dy nga viktimat janë nën moshën 30 vjeçare. Njëri prej tyre ka qenë kalimtar i rastit dhe është afruar që t’i ndajë. Kanë gjuajt me kallashnikovë”, ka thënë ky dëshmitar.

Rastin për Express e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën Muharrem Fejza në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të cilat kanë hasë në katër persona të plagosur, të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Për çdo detaj rreth rastit do të njoftoheni me kohë”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.