TIRANË

Analisti Fatos Lubonja komentoi në emisionin “Real Story”, në News24, kërcënimin e kryeministrit Edi Rama ndaj ndërtuesve, se do të përfundojnë në burg, nëse nuk ndërtojnë banesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit.

Lubonja tha se Rama nuk mund t’i kërcënojë ndërtuesit, pasi sipas tij, ky është shtet i ndërtuesve dhe në Durrës kryebashkiaku është kryebetonieri i qytetit, ndaj dhe siç thotë Lubonja, hetimi ndaj ndërtuesve do të nxirrte shumë përgjegjes.

Ndër të tjera, analisti iu drejtua me një pyetje live inxhinieres Luljeta Bozo, që ka bërë bujë këto ditë me sqarimet për tërmetin dhe shembjen e shumë ndërtesave, se pse nuk e ka ngritur zërin më parë, ndërsa shtoi se Rama nuk i dëgjon specialistët dhe nuk ka për të bërë as në këtë rast emergjence, duke i shkaktuar sërish dëme vendit.

“Po e kap te paralajmërimi i Ramës për ndërtuesit, që do shkojnë në burg, nëse nuk ndërtojnë banesat e shembura. Po me ç’tagër ky i thotë një ndërtuesi shko ndërto atë që është shembur, sepse duhet të ketë një përgjegjësi ky ndërtuesi që të shkojë ta ndërtojë atë.

Po cfarë ka ndodhur këtu? Kryetari i Bashkisë së Durrësit është kryebetonieri i qytetit. Ai ka interesin të ndërtojë sa më shumë pallate, që të shesë sa më shumë. Pra, ky është shteti i ndërtuesve.

Një ndërtues që është i rregull i thotë këtij që nuk shkoj fare se unë e kam bërë punën, e bëri natyra këtë. Nëse funksionon shteti, këtu ka shumë përgjegjës. Por ne s’kemi shtet, kemi këtë njeriun, që ka krijuar idenë “një pallat, një votë”.

Ajo që duhet të bënte, por që s’e bën dot, është të marrë përgjegjësi. Sot për herë të parë ne shohim specialistët që dalin e na shpjegojnë gjërat që ne i kemi ditur, siç ishte dhe Luljeta Bozo. Pyetja që ngre unë është “Pse nuk e ngritën zërin këta, nuk e shikonin më parë”?

Problemi është se ky nuk dëgjon fare, as specialistët. Këtu te ne është bërë një grumbullim këtu në Tiranë e Durrës dhe ngrij pallate që të pasurohen këta. Për mua Rama nuk pyet njeri, as specialistët, dhe sërish do na bëjë dëme të mëdhaja, siç kanë bërë paraardhësit e tij”, tha Lubonja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb