Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, ka folur për aksionin opozitar, pjesë e të cilit është bërë ditët e fundit edhe çështja e Teatrit Kombëtar.


E ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News 34, ish-deputetja Duma deklaroi se është bërë edhe vetë pjesë e protestës së artistëve para teatrit, duke u shprehur se nuk është futur brenda godinës, pasi sipas saj, ai është tempulli i artistëve dhe dera që ndan politikën me artin.



“Kam qenë aty, nuk jam futur brenda skenës, sepse mendoj se ai është tempulli i artistëve. Është nënshkruar kontrata mes opozitës dhe artistëve, që do doja të mos mbetej në kufijtë e një kontrate. Ky vend do bëjë ndryshime, nëse ne i kthejmë ato në ndryshime në sistem. Duhet të kemi senatorë të artit dhe t’i kemi patjetër në dhomën e dytë të parlamentit. I duhet shtuar diçka diskurit të teatrit. Është një lloj spekulimi i kryeministrit ajo që nuk mund të punohet në atë teatër. Për këtë situatë ne duhet të na shërbejë referenca te vendet e huaja, siç është psh. SHBA. Duhet të shohim si janë trajtuar raste të tilla atje, siç është teatri i Detroit. Ata kanë bërë gjithë konsultat e mundshme që teatrin ta ruajnë, pa e shembur dhe uzurpuar. Turpi i zi, që nuk është bërë një referendum këtu te ne. Edhe një teatër që kemi, duam ta zhdukim. Kemi përgjegjësi 30 vite që teatri ka mbetur i rikonstruktuar. Godinat e vjetra historike sjellin më shumë harmoni në mënyrë si i prezantohen njerëzve, turistëve”, tha Duma.

A po e shfrytëzon opozita si kauzë teatrin?
Si mund t’i përkasë një grupi të caktuar një godinë publike? Nëse opozita do kishte bërë gabimin të mos përfshihej, duhet ta gjykonim për keq. Nëse opozita nuk do e kishte bërë këtë që po bën, sa i përket respektimit të vlerave, do ishte gabim. Ky presion është jashtë institucional, vjen si pasojë e qartësisë që kanë shqiptarët se pushteti i Ramës është rikthim në diktaturë.

Ju vjen keq që ju themi ish-deputetja?
Buzëqesh, sepse opozita ka një fitore të saj te kjo pjesa ‘ish’, pasi ka fituar kartën morale. Një pjesë e suksesit të saj ka qenë se i ka provuar popullit se kauza që ngriti është e fituar.

A është e vakët opozita pas 30 qershorit?
Tani më vjen për të qeshur më shumë, sepse disa gazetarë thanë se “na latë pa pushime”. Nuk ka pasur asnjë verë më të angazhuar se kjo, është opozita që po udhëheq trenin. Të shkuarit në territorin e gjithë Shqipërisë, ka një lëvizje të kryetarit Basha, duke takuar qytetarët për të mbajtur fort qëndresën qytetare. Opozita është e angazhuar me çështjen e teatrit.

(BalkanWeb)