Nga Ben Andoni
Një përgjigje e cila të vjen ndërmend është kjo: Shqiptarët kanë shumë komplekse sa i përket heronjve të tyre. Nëse për një pjesë ata janë heronj, për një pjesë, ata nuk janë të tillë ose nuk ka pse të respektohen. Në Kosovë i vlerësojnë disi më shumë ata të Luftës së Fundit, por shumë syresh tani po zbehen prej atij roli që u vishet në luftë. Pasoja, varre të braktisura dhe varreza të bjerrura.

Ndaj, po të duash të kuptosh fatin e nderimit të dëshmorëve të kombit tonë, atëherë bindesh se gjërat që ndodhën më 5 Maj 2018 tek “Nëna Shqipëri” e kanë një sens. Ai lidhet me mosrespektimin realisht të luftës nga vetë shqiptarët, por edhe vlerësimin për njerëzit që dhanë jetën për vendin e tyre pa asnjë kusht.

Në një koncept më të përgjithshëm, Dita e Dëshmorëve të Kombit, përmbledh nderimin ndaj atyre që dhanë jetët për lirinë e Shqipërisë, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin kombëtar. Data përmbledh sot me të drejtë edhe përkujtimin që i bëhet në Kosovë e Maqedoni, duke i dhënë të gjithë peshën e duhur kësaj lufte.

Fillesa e datës nis nga akti i të riut Qemal Stafa, që më 5 Maj 1942 në një lagje periferike të Tiranës dha jetën, kurse shokët e tij shpëtuan. Për shumë vite, nxënësit e të rinjtë e të gjithë vendit, do të sodisnin në muzeun e qytetit pulovrën e tij të bërë shoshë nga plumbat dhe ky mesazh ishte më i drejtpërdrejti për vetë Luftën në sytë e tyre. Propaganda e fshehu për shumë vite se cili ishte me të dhe aktin e vdekjes, që në vetvete nuk përmblidhte ndonjë trimëri nga ato që blatojnë shqiptarët, porse një akt vërtetë dhe i zakonshëm lufte, ku i riu komunist mbeti i vdekur në një moment prite. Mu nga ato që realisht e respekton një njeri të vërtetë. Asokohe, nga ky personazh pritej shumë dhe vdekja e tij pati shumë impakt tek të rinjtë. Ishte shprehur hapur si komunist, ndërsa gjurmohej prej kohësh. Askush nuk është në gjendje të parashikojë sot se çfarë pozicioni do kishte Qemal Stafa: nëse do kish jetën e gjatë me shokët e tij komunistë, ashtu si specialistët e letërsisë e kanë të vështirë të thonë se çfarë mund të shkruante Migjeni, nëse do të ishte gjallë.

Koha tregoi se ata që u rreshtuan nga lufta ishin në kahun e duhur sepse ishte pikërisht kahu që mbajtën Fuqitë e Mëdha Anti-fashiste, kundër murtajës naziste të Evropës.

Në Konferencën e Paqes më 1946 Shqipëria bëri një sforcim të jashtëzakonshëm të mbeste pikërisht në këtë trend, sepse plot argumente të tjera e rendisnin në vendet kolaboracioniste. Për fat, jetët e rëna qoftë edhe ato si të Qemal Stafës, ndihmuan shumë në këtë logjikë. Dhe, njësoj si ai, ata që u vranë në Luftën Nacional-Çlirimtare ishin të rinj, naivë dhe patriotë të pakusht. Një gjë, që degjeneroi më vonë, nga patetikët, përfituesit dhe ata që do mbanin pushtetin. Por, ndërsa në Shqipëri procesi mori dekada dhe emri i dëshmorëve të binte dhe të përfolej sepse miqtë e tyre u transformuan, në Kosovë e Maqedoni, njerëzit që dolën nga lufta uzurpuan gjithçka për pak vjet, duke u transformuar nga persona fare të paemër në më pasunarët e vendit.

***
Shqipëria, e trandur në djepin e legjendave nuk është marrë aq shumë me statusin e dëshmorëve para Luftës, derisa më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit të atëhershëm Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ligji ndihmoi familjet e patriotëve që kishin dhënë jetën për atdheun, qoftë edhe para Luftës së Dytë Botërore, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke sistemuar përpjekjen e parë për një ligj më logjik për dëshmorët e Atdheut. Vitet ’60 shënuan një koncept krejt ndryshe për nderimin dhe madje e përcaktuan më mirë termin ”Dëshmor i Atdheut”. Nga këto vite, pothuaj çdo qytet kishte edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit.

Por gjithçka u zbeh në vitet ’90, kur pinjollët e kolaboracionistëve dhe një masë nga ish-të dënuarit kërkuan rikonceptim të Ligjit dhe statusit të Dëshmorit, por edhe bënë provokime. Filloi me lëvizjet në Varrezat e Dëshmorëve, një akt që e kishin bërë dhe vetë komunistët dhe me akte të tjera. Me të drejtë, qeveritë shqiptare nxorën Ligjin me Nr. 8607 ku “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, përfshinte të gjithë dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës, por edhe ata që ranë nga arma e policisë kundër kriminelëve të shumtë.

Në të gjitha rastet, Shqipëria u luhat mes kontributeve reale dhe bëmave dhe ky element është përdorur, qoftë nga nostalgjikët, ashtu si nga nacionalistët.

Pak ditë më parë, habitshmërisht disa të rinj (kinse demokratët), iu përveshën po kinse veteranëve (të kemi kujdes janë me gishtat e dorës veteranët e luftës së Dytë) për praninë e imazhit të Enver Hoxhës dhe sloganeve komuniste. Ashtu si në momente të tjera, vetë përfaqësuesit e Partisë fantazëm komuniste bëjnë provokime, për të fituar pikë në raste të tilla, por që impakti i tyre harrohet që në orët e pasdites të 5 Majit.

Nëse 5 Maj do të përmbante shenjtërinë e datës së dëshmorëve, liderët e PD-së do të respektonin si duhet luftëtarët, gjë e cila nuk ndodh ose është modifikuar shëmtuar prej tyre duke zhvendosur dhe hequr vare, ashtu si komunistët para tyre nuk do bënin modifikime dhe do bënin ndryshime të pafundme statusesh.

5 Maj është një ditë përkorje fillimisht për familjarët e këtyre martirëve, por edhe duhet të jetë një ditë paqtimi, një element i cili nuk ndodh sepse sensi për protagonizëm i njerëzve që nuk e njohin luftën antifashiste, apo atë të Kosovës, apo beteja të tjera prevalon mbi gjithçka. Ashtu si 5 Majin e fundit, kur një grup fatkeqësh nostalgjikë, që bëhen qesharakë me simbolet e tyre u përplasën me të fortët, që gjetën të tregonin anti-komunizmin atje ku s’duhet në tempullin e lirisë së të gjithë shqiptarëve.

Larg duart nga 5 Maji! Është dita e vërtetë e pak shqiptarëve, atyre të vërtetëve që janë nën dhé e shpesh turpërohen për ato që ne po i bëjmë këtij vendi. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: