Nga: FATOS ÇOÇOLI*
Ka shumë përgjigje pse ithtarët e Shtetit Islamik dhe të organizuarit në luftën e shenjtë islamike, “xhihadin” (shumica fëmijë-terroristë 15-18 vjeçarë), zgjodhën sërish Parisin në “të premten e zezë” dhe të errët të qytetit të dritave, datën 13 nëntor 2015. Përgjigjja e shkurtër është se Franca lufton xhihadistët në mbarë botën. Ky shtet ndër më demokratikët në botë, ka një nga popullsitë më të mëdha myslimane në Evropë, 6 milionë vetë. Franca është ndoshta dhe shoqëria më e ndarë në Evropë, me lagjet periferike të Parisit dhe të qyteteve të tjera që nuk ndjekin mënyrën franceze dhe në tërësi perëndimore të jetesës, por janë kthyer në çerdhe të ndjenjave të skajshme fetare. Franca është ndër shtetet tregtare më të mëdha të armëve në botë. U shet armë palëve ndërluftuese në vendet në konflikt të armatosur. Ajo mban 10.000 ushtarë jashtë vendit, nga të cilët, mbi 3.000 në Afrikën Perëndimore, 2.000 në Afrikën Qendrore dhe 3.200 në Irak. Në vitin 2013, Franca ndërhyri në Mali kundër Al Kaedës, duke e dobësuar këtë grup xhihadist. Javën e kaluar, presidenti francez Fransua Holond (François Hollande) njoftoi se Franca do të vendosë një aeroplanmbajtëse në Gjirin Persik, për të ndihmuar luftën kundër Shtetit Islamik në Irak. Përgjigjja e gjatë ka të bëjë me ndjenjat e izolimit dhe përjashtimit që ka komuniteti mysliman në këtë shtet dhe në tërësi, në Evropën Perëndimore. Franca ndalon përdorimin e shamisë nga gratë myslimane në punët publike. Shtimi i peshës politike të partisë ekstremiste nacionaliste Fronti Kombëtar(me drejtues ekstremistin e njohur Le Pen), nuk i ka lehtësuar tensionet ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, përkundrazi. Një nga terroristët-fëmijë në teatrin “Bataklan” u thoshte pengjeve se “jemi këtu për atë që po bën në Siri presidenti juaj Holond”. Me goditjet e së premtes së zezë në Paris, Shteti Islamik ISIS nuk i ka shpallur luftë vetëm Francës, por mbarë botës së civilizuar dhe të qytetëruar. Shumë specialistë të çështjeve islame janë shprehur dje, se ISIS-i me 7 sulmet e organizuara në kryeqendrën e Francës praktikisht arriti apogjeun e ndikimit të tij dhe frikës e panikut që mund të sjellë në Evropë. Kjo masakër ka shumë mundësi të shënojë fillimin e fundit të tij. Kundërveprimi i botës së qytetëruar ndaj tij, nuk do të jenë më vetëm veprimet ushtarake të Rusisë në ndihmë të presidentit Asad, as edhe thjesht sulmet ajrore të aeroplanëve amerikanë apo francezë. Tani, njësoj si në rastin e sulmit ndaj diktatorit të Irakut, Sadam Husein, është e pritshme që të hyjë në veprim NATO-ja dhe forca të konsiderueshme ushtarake të saj, me në krye SHBA-të. Duhet thënë se deri tani, Shteti Islamik është toleruar shumë me krimet e tij ndaj popullsisë civile në Siri dhe Irak, si dhe me fushatat e rekrutimit të militantëve në vetë Evropën e Bashkuar. Tanimë kjo gjendje ka marrë fund. Nga ana jonë, kundërveprimi i qeverisë shqiptare, duke ngritur policinë dhe strukturat e Shërbimit Informativ Kombëtar në nivelin më të lartë të gatishmërisë, është i drejtë dhe ai i duhuri. Shqipëria, njësoj si dhe në luftën në Irak, do të renditet natyrshëm në krahun e forcave progresiste që luftojnë pa asnjë lëshim errësirën e ndjenjave të skajshme fetare dhe xhihadiste. Edhe “parajsa” xhihadiste e rekrutimeve të militantëve për ushtrinë e ISIS-it në Kosovë e në rajonet e varfra në Shqipëri ka marrë tashmë fund njëherë e mirë. Viktimat e së premtes së zezë të 13 nëntorit 2015 në Paris, njëlloj si tre mijë viktimat e sulmeve ajrore të 11 shtatorit 2001 në Nju-Jork dhe Uashington, do të prehen në altarin e luftës përfundimtare kundër terrorizmit fetar, kërcënimit më të egër ndaj lirisë së sotme të mendimit dhe jetesës jo vetëm në Evropë, por kudo në botë.


(g.b/GSH/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: