Sikur skandalet e qeverisë së fundit shqiptare të ishin më të pakta, arroganca dhe ligjërimi i krerëve socialistë të ishte më i maturuar, atëherë gjithkush do të ishte më i interesuar për të mësuar fatin e Reformës në Drejtësi. Por, kjo nuk ndodh, pasi për ditë qeveria e Ramës zhytet ndër akuza që po provohen, kurse ligjërimi i krerëve prej kryeministrit deri poshtë është dhe mbetet tejet agresiv. Duke i shtuar edhe protestën e studentëve, organizimin e të cilës ende sot nuk po e kupton askush, atëherë Reforma po mbetet krejt e harruar. Shkundja e vetme ishte pak ditë më parë, kur Gent Ibrahimi u zgjodh kryetar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kumtoi se tashmë rruga për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri është e hapur. Po a mund të kursehej disi zgjedhja e tij? Jo. Pa mohuar cilësitë e kryetarit të ri të KLP-së, kandidatura kishte probleme pasi tre herë ishte kthyer pas nga Gjykata e Strasburgut, për të qenë gjyqtar në të. A paraqet kjo ndonjë problem? Mund të themi jo për qeverisjen, përderisa e mundësoi kandidaturën, por asesi për opozitën që gjeti një mal me akuza ndaj tij, duke e konfuzuar krejt publikun dhe vetë arritjet dhe problemet për Reformën.

Duhet të kujtojmë se plot një vit më parë, shorti i muajit dhjetor 2017, përcaktoi 57 subjektet e listës së përparësisë. Qëllimi: nevoja për të avancuar procesin e ngritjes së organeve të

drejtësisë dhe për të përshpejtuar fillimin e ngritjes së Gjykatave KKKO dhe SPAK. Një vit më vonë, finalizimi i rivlerësimit për subjektet e kësaj liste nuk ka përfunduar ende. Ndoshta qëllimi për të gjetur deficiencën, mbetej një nga objektivat kryesorë për t’u përcaktuar te Raporti i Monitorimit mbi Ecurinë e Procesit për Ngritjen e SPAK (Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) dhe Gjykatave të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, material i përgatitur prej QSDG. Për hir të së vërtetës, pakkush kishte dyshim që “Reforma në Drejtësi” do të ndryshonte shumë gjëra, por deri më tani në publik besohet se thjesht po lëviz një drejtësi e korruptuar dhe po ia lë vendin një tjetre të kapur krejt politikisht.

Sfida më e madhe e Reformës në Drejtësi ishte dhe mbetet krijimi i Institucioneve, që do ta menaxhonin dhe zgjedhja e individëve të cilët do e drejtonin dhe do i përbënin institucionet e saj. Ato janë Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Gjykata e Apelit, si dhe nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Për ata që nuk e dinë: SPAK do të jetë një strukturë, e cila përbëhet nga dy komponentë: Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Prokuroria e Posaçme ka për mision të ushtrojë ndjekjen penale dhe ta përfaqësojë akuzën në të tre nivelet e gjyqësorit (Gjykatën e Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatën e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe Gjykatën e Lartë). Kurse Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, do të jetë një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, e cila do hetojë veprat penale në juridiksionin penal të kësaj Prokurorie. Veçse, paçka arritjeve, ” edhe pse ngritja e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të Reformës në Drejtësi, proceset kanë hasur në pengesa, të cilat kanë bërë që të tejkalohen afatet e parashikuara në ligj për ngritjen dhe vënien në funksion të tyre. Sipas ligjit për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, brenda 300 ditëve nga hyrja në fuqi e tij, konkretisht në fund të muajit gusht 2017, parashikohet që Prokuroria e Posaçme të kishte filluar ushtrimin e funksioneve të ndjekjes penale nëpërmjet kalimit automatik të çështjeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Ky afat jo vetëm që nuk është arritur, por procesi duket se do të zgjasë edhe më, pasi ngritja e SPAK është parashikuar si një proces kaskadë, i cili nuk mund të fillojë pa emërimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (DPP)”, citojmë raportin e Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, që është asistuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Vallë a dihen të gjitha këto? Duket se politika shqiptare është e interesuar që pas qerthullit të problematikave të përditshme ta lerë mënjanë Reformën dhe për këtë të akuzojë, në mënyrë që kjo gjendje të zgjasë pa fund. Kujtojmë se politika duhej të siguronte mëvetësinë e strukturës së Drejtësisë, standardet, pajisjen me kapacitete adekuate njerëzore, kushtet financiare, teknike dhe logjistike të Gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (dy shkallët) dhe SPAK-un, proceset për kushtet e sigurisë dhe aftësive profesionale, përzgjedhjes, emërimit, shkarkimit, kontrollit, mbikëqyrjes, etj., ku në legjislacion parashikohet ndërthurja e veprimtarisë së një sërë aktorësh institucionalë, afatesh dhe procedurash, të cilat e bëjnë të pashmangshëm anashkalimin apo kapërcimin e tyre. Kur i rendit të gjitha këto gjetje të raportit të QSDG, kupton se pse vetingu i politikanëve nuk e gjeti dot rrugën në parlament. Teksa vonesa ka bërë që qytetarët, për shkak të problemeve në Drejtësi, te jenë gjithnjë e më shumë indiferentë me të, ndërsa transparenca të mungojë krejtësisht, ashtu si një mal me vështirësi të veçohet për parametrat e duhura ligjore si p.sh. ato të parashikuara për të garantuar meritokracinë dhe integritetin e punonjësve, të cilët do të rekrutohen në Prokurorinë e Posaçme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Në fakt, raporti i realizuar nga një grup ekspertësh të pavarur që synoi një përshkrim të detajuar të proceseve ligjore për krijimin e gjykatave ndaj korrupsionit dhe krimit, por edhe SPAK-u, krijoi një peizazh të këtij momenti të reformës, ndërkohë që gjykatat tona vazhdojnë të japin vendime skandaloze, tashmë të apeluara nga publiku vetëm në emisionet e skandaleve në Tv. Pasi edhe kur ka kaluar më shumë se një vit nga koha e parashikuar për ngritjen e Gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe SPAK-ut, ky proces ende lë shumë për të dëshiruar. “Si rezultat i natyrës komplekse dhe të ndërlidhur të reformës në sistemin e drejtësisë ende nuk janë përmbyllur proceset pararendëse, të cilat do të krijonin kushtet për fillimin e procedurave ligjore të ngritjes së institucioneve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”,- citojmë QSDGNdërkohë problem mbeten ritmet e punës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe zgjatja e procesit të rivlerësimit për kandidatët anëtarë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, elementë përgjegjës për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatat KKKO dhe prokurorëve në Prokurorinë e Posaçme. Duket se përcaktimi i afateve dhe transparenca për to, do të rikthejë besimin e publikut, por edhe do të krijojë një proces të rregullt ligjor, sa i përket procesit të rivlerësimit, si edhe  një kalendar më të mirëpërcaktuar kohor dhe administrativ për zhvillimin e aktivitetit dhe vendimmarrjes së Komisionit. Po deri më atëherë do vijojmë të pyesim njësoj: Pse po vonohet kaq shumë Reforma e Drejtësisë?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb