Nga: PETRIT HALITI*
Një përplasje e re serioze diplomatike u shënua në marrëdhëniet e SHBA me qeverinë tremujore të kryeministrit grek, Aleksis Cipras, sapo parlamenti grek miratoi në 18 prill ligjin e debatueshëm për reformat në sistemin e burgjeve. Sipas këtij ligji, të dënuarit qoftë dhe me burgim të përjetshëm mund të dërgohen ta kryejnë dënimin në shtëpi, në rast se aftësitë e tyre fizike janë të kufizuara. Sipas partive politike të opozitës, shoqatave të shoqërisë civile dhe familjeve të viktimave të sulmeve terroriste, ligji është miratuar posaçërisht për një nga terroristët dhe kriminelët më të mëdhenj të Greqisë, Savas Kseros, anëtar i organizatës terroriste greke “17 nëntori”, e cila, nga viti 1975 deri në vitin 2000 ka kryer dhjetëra atentate me bomba, duke vrarë 23 njerëz, ndër të cilët edhe diplomatë amerikanë, turq dhe britanikë, të akredituar në Athinë.

Qeveria e partisë së ekstremit të majtë e kryeministrit, “Syriza”, ka hartuar dhe miratuar në parlament këtë ligj, i cili ka shkaktuar shumë protesta brenda në Greqi dhe jashtë saj, si një ligj i cili duket se është hartuar posaçërisht për t’u ardhur në ndihmë terroristëve të organizatës terroriste greke të ekstremit të majtë “17 nëntori”, të cilët ndodhen në burg dhe po vuajnë dënimet e rënda. Raporti lehtësues dhe favorizues i ligjit të ri me terrorizmin është edhe arsyeja, e cila provokoi një krizë të menjëhershme në marrëdhëniet midis SHBA dhe qeverisë së re greke. Ambasadori amerikan në Athinë, David Pearce ndërmori një protestë të ashpër në 20 prill, pas miratimit nga parlamenti grek të ligjit të mësipërm, duke shprehur qëndrimin e qeverisë amerikane në adresë të qeverisë greke: “Nëse Savas Kseros ose ndonjë tjetër, që i ka duart të lyera me gjakun e diplomatëve amerikanë dhe të anëtarëve të misionit amerikan, do të lërë burgun, kjo do të shihet si një akt thellësisht armiqësor”. Një ditë përpara tij, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit njoftoi shqetësimin e qeverisë amerikane për veprimin qeveritar dhe parlamentar grek.

Protesta e ambasadorit në emër të qeverisë amerikane u bë të njëjtën ditë që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, do të zhvillonte takimin e tij të parë në Uashington me sekretarin amerikan të shtetit, Xhon Kerri. Kjo temë zuri vendin kryesor të bisedimeve dhe sekretari i shtetit, sipas pohimit të vetë ministrit të Jashtëm grek pas takimit, i bëri të qartë qeverisë së Greqisë se “kjo është një çështje me rëndësi themelore për politikën e jashtme të SHBA dhe përgjithësisht për imazhin, që do të ketë Greqia në institucionet amerikane”. Është një qëndrim i vendosur parimor dhe konkret amerikan, të cilin sekretari i shteti e theksoi si çështje kryesore edhe në deklaratat e shkurtra në konferencën e përbashkët të shtypit me ministrin e Jashtëm grek. E përmbledhur shkurt, mund të thuhet se takimi i parë i ministrit të Jashtëm grek me sekretarin amerikan të shtetit ishte një dështim për të dhe një dush i ftohtë për politikën e jashtme të qeverisë së re greke. Të nesërmen e vizitës së ministrit të Jashtëm grek në Uashington dhe si përgjigje për miratimin e ligjit proterrorist nga parlamenti grek, qeveria e SHBA shpalli vendosjen në listën e zezë të terrorizmit ndërkombëtar të dy militantëve grekë të së majtës ekstreme, njëri nga të cilët vëllai i terroristit Savas Kseros.

Qëndrimi tolerant i qeverisë dhe i parlamentit grek ndaj terrorizmit, është pa dyshim shkaktari i kësaj çarjeje mes SHBA dhe qeverisë së Greqisë. Savas Kseros, si përfitues kryesor i ligjit të ri favorizues, është direkt përgjegjës për vrasjen e atasheut ushtarak amerikan në Athinë në vitin 1988 dhe të një togeri të forcave ajrore amerikane në vitin 1991, dhe është dënuar me burgim të përjetshëm. Gjykatat greke i kanë refuzuar kërkesat e avokatëve të terroristit për lirim për arsye shëndetësore, meqë ai u plagos kur i plasi në dorë bomba që do të hidhte në portin e Pireut në vitin 2002. Atë që refuzuan gjykatat, po e lejon tani qeveria greke me ligjin e ri. Qeveria amerikane u përpoq dhe ndërmori disa përçapje prej aleati për t’i tërhequr vëmendjen qeverisë greke që të shmangte hapin e gabuar.

Ambasadori i SHBA në Greqi në datën 2 prill bëri një demarsh zyrtar pranë ministrit grek të Drejtësisë lidhur me efektet negative të ligjit, si në planin parimor të raportit të drejtësisë me terrorizmin, ashtu dhe në planin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, i shprehu kryeministrit grek në një bisedë të posaçme telefonike shqetësimin e qeverisë amerikane për pasojat e miratimit të këtij ligji. Dhe kryeministri revolucionar i Greqisë, që nuk kishte argumente për t’u mbrojtur, i jepte leksion sekretarit amerikan të shtetit se “rreziku më i madh në Europë sot vjen kryesisht nga terrorizmi asimetrik i xhihadistëve”, sikur Kerri kishte nevojë që t’ia mësonte Ciprasi se kush përbën rrezik.

Kanë lindur shumë pikëpyetje lidhur me motivet, që e shtynë qeverinë e ekstremit të majtë të kryeministrit Cipras të miratojë një ligj kaq tolerant dhe favorizues për terroristët e organizatës terroriste greke të ekstremit të majtë “17 nëntori”. Argumentet publike të kryeministrit, të ministrit të Jashtëm dhe të anëtarëve të tjerë të qeverisë, se e kanë miratuar ligjin për motive humanitare, se duan të pakësojnë mbipopullimin e burgjeve etj., nuk kanë bindur dot as opinionin publik grek dhe as SHBA dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s. Edhe Britania e Madhe, edhe Turqia, dy shtete diplomatët e të cilave janë vrarë në Athinë nga sulmet terroriste të organizatës “17 nëntori”, i kanë shprehur qeverisë greke protestat e tyre për ligjin. Ambasadori i SHBA i hodhi poshtë menjëherë justifikimet qeveritare greke, duke deklaruar se “çështja nuk është reformë e burgjeve, as lehtësim i mbipopullimit, as mundësi kujdesi shëndetësor, as përmirësim i kushteve humanitare. Çështja është që terroristët dhe vrasësit e dënuar duhet ta kryejnë dënimin e tyre në burg dhe jo në komfortin e shtëpive të tyre”.
Është një mendim gjerësisht i pranuar nga ekspertët juridikë dhe nga opinioni publik në Greqi se miratimi i këtij ligji, që favorizon terroristët e dënuar me burgim të përjetshëm të organizatës terroriste greke “17 nëntori”, ka një frymëzim politik. George Momferratos, djali i një botuesi të vrarë nga grupi terrorist grek në vitin 1985, deklaroi këto ditë se ligji është i motivuar politikisht dhe se nuk është fjala se në burgje ka 100 të burgosur, që hyjnë në kategorinë e të paaftëve fizikisht. Ai theksoi se në mesin e terroristëve nuk ka të penduar dhe “ata janë krenarë për atë që kanë bërë”. Motivimi politik duhet kërkuar në rrënjët e ngjashme të spektrit të njëjtë të ekstremit të majtë, nga vijnë gjithë grupet ekstremiste majtiste greke, qofshin maoiste, kastriste, staliniste, trockiste, anarkiste, të cilat bashkohen në ideologjinë antiatlantike, antikapitaliste, antiperëndimore dhe antiamerikane. Motivimi politik duket vjen nga edhe nevoja, që po ndjen qysh tani qeveria e Ciprasit për të siguruar mbështetje më të gjerë në spektrin e ekstremit të majtë. Tre muaj pas zgjedhjes së tij, popullariteti i kryeministrit dhe i qeverisë po bie poshtë. Shfaqja revolucionare e “grushtit” të Ciprasit kundër neoimperialistëve europianë mori fund shpejt dhe ai duhet të zgjidhë problemet konkrete të ekonomisë dhe të financave të shkatërruara greke, të zgjidhë detyrën e rëndë të pagesës së pagave dhe të pensioneve, kur arkat e shtetit janë bosh dhe nuk i mbush dot retorika revolucionare.

Popullariteti i tij po bie me shpejtësi dhe në skenë ka dalë përsëri alternativa e zgjedhjeve të parakohshme në muajin qershor të këtij viti, një perspektivë, e cila sipas sondazheve më të fundit greke, e kalon pesëdhjetë përqindëshin e mundësisë. Në këtë kuadër, kryeministrit i duhen skalionet e përkrahjes në spektrin e ekstremit të majtë. Nuk duhet harruar se ai vetë dhe partia e tij Syriza vijnë nga i njëjti kamp ideologjik i së majtës ekstreme greke dhe i filozofisë së luftës revolucionare, pavarësisht mjeteve të ndryshme të kësaj lufte, që zgjedh në periudha të caktuara historike njëri apo tjetri grup ekstremist majtist.

Përplasja diplomatike midis SHBA dhe Greqisë për ligjin e të burgosurve, i cili favorizon terroristët e organizatës greke të ekstremit të majtë, lidhet me qëndrimin, që shtetet duhet të mbajnë ndaj terrorizmit në ditët e sotme. Qëndrimi dhe veprimi i qeverisë dhe i parlamentit grek i jep një mesazh shumë të keq bashkësisë ndërkombëtare. Sepse me ligje të kësaj natyre inkurajohen elementet dhe organizatat terroriste brenda në Greqi dhe jashtë saj. Sepse alternativa e lirimit të tyre shtëpiak, në një formë apo tjetër, është amnistim qeveritar i krimit terrorist. Situata juridike e ligjit të ri krijon hapësirë për terroristët që nga shtëpitë e tyre të organizojnë dhe urdhërojnë më lirisht atentate të tjera terroriste dhe do të thotë që të mos i tremben as shtetit dhe as një dënimi gjyqësor.

Miratimi i ligjit hedh dyshime për angazhimin dhe gatishmërinë e qeverisë së re greke për t’u bashkuar realisht dhe për të qenë aleat efektiv në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. Është një qëndrim, i cili vështirë se përputhet me statusin e anëtarit të NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
Veprimi i qeverisë së re greke duhet parë në një kuadër më të gjerë ndërkombëtar, dhe konkretisht të prirjes tepër të lexueshme për një anim të saj drejt aleancave më të ngushta me shtetin ish-komunist dhe një qendër botërore e filozofisë majtiste si Rusia. Aleksis Cipras duket i inkurajuar nga vizita dhe bisedimet, që zhvilloi në Moskë me presidentin Vladimir Putin në fillim të muajit prill dhe nga dhurata, që i premtoi presidenti rus, për t’i dhënë Greqisë menjëherë një kapar prej pesë miliardë dollarë për taksën e kalimit në territorin grek të gazsjellësit rus “South Stream 2”. Gazsjellësi, as nuk është projektuar dhe as është miratuar, dhe duket se dhurata ruse është dhënë për shkaqe të tjera, që lidhen me joshjen e qeverisë së re të ekstremit të majtë të Greqisë në drejtim të Rusisë. Flirtet ruse duket se kanë krijuar te kryeministri i ri grek iluzionin se Greqia nuk ka shumë nevojë për Amerikën dhe për Europën, dhe se ëndrrat e tij të vjetra antiimperialiste, antikapitaliste, antiamerikane dhe anti-NATO, mund të gjejnë terrene të reja lindore për t’u jetësuar.
Kjo shpjegon kursin e ri konfrontues të qeverisë së re greke me Amerikën, me Gjermaninë, me NATO-n, me BE-në etj., sepse vizionit dhe retorikës ultramajtiste të kryeministrit të ri grek i duket më e lehtë të sajojë alibinë e fajit të krizës së papërballueshme financiare të Greqisë te shtetet perëndimore. Në këtë klimë Athina po nxiton të bëhet pjesë e planeve energjetike të Rusisë dhe të “Gazprom”-it për rritjen e dominimit energjetik rus në Europë nëpërmjet “South Stream 2”; në këtë klimë duhet parë edhe ligji favorizues grek për terroristët e ekstremit të majtë. Përveç acarimit të krizës financiare, qeveria e re po i shton vendit edhe izolimin diplomatik perëndimor.

Shtetet ballkanike e kanë traditë të maten me hijen e mëngjesit. Ashtu po vepron edhe qeveria e ekstremit të majtë, që drejton sot Greqinë. Është një mënyrë sjelljeje dhe qeverisjeje, që nuk mund ta çojë larg anijen e shtetit grek, që fut ujë në të gjitha anët. Gardistët e kuq të grupeve nostalgjike revolucionare të Ballkanit, që u entuziazmuan aq shumë nga fjalimet maoiste të kohës së revolucionit kulturor kinez, të mbajtura nga Aleksis Cipras gjatë zgjedhjeve të fundit në Greqi, nuk duket se do të kenë kohë gjatë për të shijuar tragjikomedinë qeveritare greke. Qeveria e kryeministrit Cipras do të ketë kohën e mjaftueshme për të mësuar se, sa më shumë të largohet Greqia nga Amerika dhe nga Perëndimi, aq më shumë do të shtohet kriza dhe aq më shumë do të dobësohet Greqia. Kjo që po ndodh me qeverinë e Athinës, është një parametër i rëndësishëm strategjik për ta marrë në konsideratë shtetet fqinje të Greqisë në formulimin e qëndrimeve të tyre ndaj qeverisë së re greke dhe diplomacisë së saj.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: