Në kapacitetin e ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-n, kam ndjekur me interes të shtuar rreth 850 ditë/netët e fushëbetejës së përgjakshme të Rusisë – Putiniste ndaj Ukrainës si dhe interesave të Aleancës Euroatlantike dhe vlerave perëndimore. Në të njëjtën kohë kam publikuar 10-ra vlerësime strategjike si dhe i kam ndarë ato me koleg/personalitete të sigurisë të Këshillit të Atlantikut dhe Institutit të Luftës në Washington; Qëndrën Marshall, Gjermani; Bruksel, Kolegjin e NATO-s, Romë, etj.

Pa pretenduar kurrësesi të “privatizoj të vërtetën shteruese” kam refuzuar me vetëdije të bëhem pjesë e “revanisë konspiracioniste”, pasi nuk kam kohë të shpërdoroj me mjerimin e kuvendarëve të emëruar, dalldisjet analistëve të gjithëditur dhe sekserëve të vetë (de)graduar Gjeneral, që turfullojnë nëpër banaqe mediatike për skenarë ogurzi, avionë, tanke, raketa; “pronarin e çelësit të valixhes atomike, për ditën e qametit”, duke e trajtuar kështu, “luftën jo vetëm për Ukrainën” me rrethanat e Luftës së II-të Botërore; të luftës së ftohtë apo fushatave kriminale të Bollshevikëve, Nazistëve, Stalinistëve, Putinisteve, etj.

28 muaj pas nisjes së fushatës ushtarake të Kremlinit ndaj sovranitetit të Ukrainës, më duhet të ri-sjell në vetëdijen strategjike si dhe atë publike njeherësh, se udhëheqës të deformuar nga paranojat e përjetësisë së (mbi) pushtetit, nostalgjikë të “lavdisë së ushtrisë së kuqe”; politikanë mëndjendryshkur dhe kamikazë anti-perëndimor/USA, në Kremlin, Teheran, Phenian, Beograd, e gjetkë, ose “fërkojnë duart” ose vijojnë të mbivlerësojnë fuqinë ushtarake të Rusisë me peshoren tradicionale [numër mercenarësh, tankesh; Mig/29, raketa, armë bërthamore etj], si dhe me fuqinë e helmit të prapagandës bollshevike.

Gjithsesi, në respekt të opinionit mbarëkombëtar, Rajonal, NATO-s, etj si dhe këdo të frymëzuar apo të frikësuar nga “hija e rëndë e Kremlinit”, që parashikuan skenarin më të zi: “maksimumi 3-4 muaj, (9 Maj-22) Rusia do ta celebronte me valle në Kiev fitoren e lavdishme të pushtimit të Ukrainës si dhe triumfin ndaj Aleancës Euroatlantike”, më duhet “t’i qetësoj me 6 mesazhe gjeostrategjike:

Pikësëpari, në dhjetra opinione, jam përpjekur të ndaj këndvështrime por edhe të përcjell mesazhe euro-atlantike, sigurisht dhe optimiste. Thënë këtë: “kurrësesi nuk e kam menduar, as shkruar, që përballja me një superfuqi të pushtuar nga oshilacionet staliniste, do ishte e lehtë, as që Rusia do gjunjëzohej për 24 orë apo 14 muaj”. Në të kundërt, që në krye të herës si dhe në vijim kam përsëritur se: “do të jetë një luftë e përgjakshme, relativisht e gjatë, por që do ta rraskapisë dhe gjunjëzojë Rusinë – Putiniste. Por sigurisht Luftën do ta fitojë Ukraina martire dhe vendosmëria e Perëndimit”.

Dhe ja ku jemi, mbas 850 ditë/netë luftime. Falë sakrificave dhe rezistencës sublime të Ukrainës, falë mbështetjes së fuqishme dhe të pakushtëzuar të Aleancës Euro-Atlantike si dhe përtej prapagandës dëshpëruese të Kremlinit, Rusia-Putiniste mbasi në 28 muaj ka dështuar për të arritur objektivin strategjik: “pushtimin e Ukrainës” po përpëlitet dhe rrokulliset drejt humbjes turpëruese të Luftës.

Mbas 28 muaj luftime: “Kremlini ka humbur iniciativën strategjike të luftës. E vërtetë, ka disa përparime të sforcuara në rrafshin taktik dhe po bën gjithka të ri-marrë epërsinë operacionale në fushëbetejë”. Por, pavarësisht bombardimeve si shtet terrorist ndaj popullsisë civile, Spitaleve, Shkollave, Hidrocentraleve, tubacionit ndërkombëtar të amoniakut; avantazheve nga mbrojtja në transhe për të penguar kundërofensivën e Ukrainës, Rusia ka “ humbur mbi 50 % të territoreve të pushuara; mbi 500 mijë të vrarë dhe plagosur; më shumë se 11 Trilion € shpenzime për luftën, (ose 6 vjet të GDPse Neto), duke rrënuar kështu moralin e ushtrisë si dhe kombit rus rreth luftës !

Ndërsa për borizanët e “suksesit ekonomik gjatë luftës në Ukrainë”, referuar Bankës Botërore konfirmohet se: “në listën e GDP-së për 2023, Rusia është e rreshtuar e 11 me 1, 860 trilionë €, 14 herë më pak se USA (26,954); shumë mbas Gjermanisë (4,430), Francës (3,052), Italisë (2,190), etj”.

Së dyti, Pse Rusia e ka dështuar për të sfiduar fuqinë ushtarake, kufijtë dhe interesat e Aleancës Euro-Atlantike ? Pse lufta e ka forcuar “përtej çdo pritshmërie” solidaritetin për mbështetjen e Ukrainës si dhe kohezionin mes 32 vendeve të NATO-s ?

Për shkak të kësaj lufte neonaziste, është konfirmuar anëtarësimin de-jure i Ukrainës në BE ndërsa me Finlandën dhe Suedinë, NATO u zgjerua me 2-fishin që trashëgoi nga lufta e ftohtë (16/32). Po ashtu nga vetëm 5 vende para luftës (02/2022), sot 23 prej tyre (përfshi RSh) kanë arritur 2 % të GDP-së për buxhetin e mbrojtjes. Statusi Ukrainës në Samitin e Vilnus (para 1 viti), u ri-formalizua në nivelin e “Komitetit NATO – Ukrainë”, pra edhe më afër derës së anëtarësimit. Në më pak se 1 muaj para Samitit të Washingtonit, Sekretari Stoltenberg, konfirmoi se: “bashkë me fitoren e luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”.

Pra 850 ditë luftime të përgjakshme vërtetuan (me 2-3 përjashtime nga aktorë kontrovers), se Rusia-Putiniste e ka humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes NATO-s dhe BE, duke përdorur “gazin si armë gjeopolitike” apo duke kërcënuar (si shtet terrorist) me fuqinë bërthamore.

Miratimi i paketës shtesë (250 miliard) nga Senatit USA dhe 55 Miliard Euro nga BE; ndërsa në “takimin e G-7 për Ukrainën” u vendos përdorimi i aseteve (+1 miliard euro) nga saksionet e Rusisë për armatosjen e Ukrainës, etj. Kjo vendosmëri do të konfirmohet edhe në Samitin Washingtonit (9-11 Korrik 2024) si prova të forta se për Aleancen Euro-atlantike (USA/NATO/BE): “nuk ka asnjë opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës”!

Në planin e mbështetjes ushtarake, në terren kanë mbërritur paketa e zgjeruar e armatimeve të gjeneratës së fundit nga SHBA, UK, Gjermania dhe pothuaj të gjitha vendet e NATO-s (tanke Abrams, Challenger, Leopard, sistemeve Patriot, Dronë, Avion F-16, Helikopter luftimi, municione artilerie, etj), që janë garanci e mbështetjes deri në fitoren e Ukrainës me të keqen e përbashkët (Rusisë – Putiniste).

Shtojmë, se “kërcënimi delikuent i Putinit që Rusia do sulmojë çdo vend që armatos Ukrainën (duke nënkuptuar, USA, UK, Gjermani, Poloni, etj)”, ndërkohe që është e provuar botërisht që vetë Rusia – Putiniste po furnizon me armë shtetet dhe grupet terroriste: “këtë deklaratë e gjej edhe më cinike se e gjithë ndërmarrja e tij kriminale”. Përgjigjen me herët e ka marrë nga USA, UK, Gjermani, etj, ndërsa së fundi përgjigjen e fuqisë së forcës ushtarake e mori edhe nga Franca zyrtare, me “propozimin për ndërhyrjen edhe me trupa në Ukrainë”. Kjo vendosmëri e imponoi Putinin për të bërë “dhelprën”, pra nga kërcënimet te oferta për “marreveshje për paqen” dmth të nënështrimit të Ukrainës dhe Perëndimit për statuskuonë e territoreve e pushtuara, përfshi Krimenë. Marrëveshje (!) që jo vetëm askush nuk do ta pranojë, por as Lavrovi-Tij nuk do e besonte si ofertë për paqe të qëndrueshme!

Për sa pasojat fatale në rast përdorimi të armëve bërthamore (Rusia 5977 njësi kundrejt 5428 USA; 290 Franca; 225 UK) me të cilat Putini kërcënon se do “ti bëjë gjëmën qytetërimit”, përgjigja e perëndimit mbetet e ftohte: “nëse vetëm do të guxonte”, Rusia jo vetëm do të damkosej përjetësisht si “shtet terrorist” por edhe do të ndëshkohej/t në mënyrë shëmbullore nga fuqia e pamposhtur e USA/NATO/UK, ndërsa Putinistët do dënoheshin si nazistët: “për krime kundër njerëzimit”!

Së treti, Kremlini është vetëdemaskuar në luftën për të tronditur rendin e sigurisë globale. Që në krye të herës, (por edhe në mbi 28 muaj luftime) u konfirmua se agresioni ushtarak, nuk ishte vetëm kundër sovranitetit të Ukrainës por edhe: “kërcënim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, si dhe ndaj interesave dhe vlerave Trans-atlantike (USA/UN/NATO/BE)”!

Prandaj, pas 28 muaj luftimesh Rusia – Putiniste gjendet edhe më e izoluar por dhe më e diskredituar se asnjëherë më parë në historinë e saj gjeopolitike. Për shkak të kësaj lufte rrezikon potencialisht përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e Këshillit të Sigurimit/OKB ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare është lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit si dhe për listën e Gjeneralëve dhe zullumqarëve rreth tij; nga 195 (përfshi Kosovën) vetëm 4 shtete terroriste e njohën këtë aventure neo-naziste; është përjashtuar nga Samitet G-8/7 (me miratimin edhe të Kinës…), nga Kampionati i Futbollit (Euro-2024), si dhe i janë ngrirë mbi 200 miliard € asete përr shkak të saksioneve ndaj Rusisë.

Vetëm për shkak të kësaj lufte-neonaziste, Putinit refuzojnë t’i japin dorën edhe autokratët e Azis Jug-lindore. Për më qartë, ndërsa Putini pritet në bunkerin e Kim Jong-ut, në të kundërt, Presidenti Zelenski pritet “si hero” nga të gjitha kancelaritë dhe kryeqytetet e aleancës euroatlantike si dhe botës së qytetëruar.
Së katërti: megjithë jargavitjen dëshpëruese dhe ndihma të kufizuara në industrinë ushtarake, Rusia ka mbetur e “keq-zhgënjyer”, për të tërhequr Pekinin në një aventurë gjeostrategjike duke përfshirë Kinën në një front lufte ndaj Tajvanit. Në të kundërt, që në fillim të kësaj ndërmarrje kriminale, me qetësinë Aziatike, Pekini paralajmëroi Moskën për mos-vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi.

Kanë dështuar edhe llogaritë e pinjollit të KGB-së si dhe “diplomatët dhe gjeneralët e lemerisur” nga Putini, të cilët nga “deliri i fitores së padiskutueshme” as nuk e kishin konsideruan që: “kur vjen fjala për interesa gjeopolitike, Kina nuk mund të jetë kurrësesi aleate e natyrshme me Rusinë në luftën kundër USA dhe BE”.

Së pesti: me gjithë perden e hekurt diçitale, putinistët e kanë humbur edhe betejën për të mbajtur gjallë kohezionin e kombit Rus. Në të kundërt, mbi 500 mijë të vrarë dhe plagosur në fushëbetejë; më shumë se 11 trilionë € kosto në 850 ditë/natë lufte, ose mbi 5 herë më shumë se Prodhimi i Përgjithshëm vjetor Neto i Rusisë (2023 = 1, 860 trilionë €); etj e kanë leqendisur moralin e ushtrisë, epërsinë strategjike, peshën gjeopolitike dhe bashkë me këto edhe krenarinë dhe kohezionin e kombit Rus.

Ndoshta për “meritë të armës bollshevike të dezinformimit” krijuan një mjegullnajë rreth shpërdorimit (si limon i shtrydhur) të mercenarit të salsiçeve (Progozhin) dhe Dodikut në Ballkan, si ndër përpjekjet për të rikuperuar kohezionin, ndërsa Moska i ka mbështetur shpresat te rekrutimi mijra mercenare/fukarenj (që luftojne për para dhe jo për Rusinë) për të mbajtur dhe avancuar vijën e frontit në fushëbetejë.

Së gjashti: Rusia – Putiniste, fatëmiresisht ka humbur edhe betejën për të ndezur një front lufte duke frymëzuar grupet kriminale, axhendën e politikanëve të korruptuar, oshilacionet e neo-Millosheviçëve në Beograd apo ekstremistët e tipit Dodik në Ballkan, duke kërcënuar “deri me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe paqen, statuskuone dhe interest gjeopolitike të Aleancës Euroalantike në rajon.

E thënë edhe me gjuhën popullore, në këtë përballje të përgjakshme: “njëra veze do të thyhet”. Prandaj nuk besoj se edhe mendjet më të ndryshkura dhe ata që hanë nga sallata/prapaganda Ruse, mendojnë se: “është opsion që perëndimi ta humbasë këtë luftë për jetë a vdekje me të keqen e përbashkët”. Konsideruar këto, jam edhe më i bindur se bashkë me humbjen turpëruese të luftës neo-naziste për pushtimin e një vendi sovran, Ukrainës stoike, Rusia – Putinste do të gjynjëzohet në përballjen edhe fuqinë e pakonkurueshme ushtarake të USA/NATO-s, si dhe dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/BE)!

Në shtesë, faktorët me peshë politike (jo vulëhumbur dhe egocentrikë të sëmurë, që premtojnë parajsa piramidale, si 50 milion për FSK, toka në Mars për ish-pronarët, etj përralla si këto që do turpëronin edhe Ali Komikun e Bagdatit) si dhe aktorët shtetërorë të Tiranës do i këshilloja që: “humbja e luftës, kolapsi ekonomik dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret mbas lufte Rusinë (përfshi në Ballkan), mbart një rrethanë të favorshme gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/UN) si dhe për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat mbarëkombëtare në Rajon, Mesdhe, etj”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb