Në tri dekadat e tranzicionit, arsimi i lartë në Shqipëri ka synuar të reformohet në kurrikulën arsimore dhe teknologjinë e mësimdhënies. Ndryshimet në programet mësimore dhe përshtatjet e kurrikulës mësimore janë orientuar nga ndryshimet që kanë ndodhur në mjedisin e huaj, dhe deri diku, edhe kërkesat e brendshme të tregut të punës. Duke mos pasur një treg pune dinamik dhe konkurrues, fatkeqësisht universitetet kanë bazuar mësimdhënien më shumë në qasjen teorike, duke mos pasur po ashtu edhe mundësinë e një harmonizimi më të mirë me qasjen aplikative, siç është praktika e universiteteve, në vendet e zhvilluara. Aktualisht ka dy momente të rëndësishme që mund të shërbejnë si shtysë për të vazhduar procesin e reformimit në arsimin e lartë:

Së pari, ndryshimet që kanë ndodhur në tregun e brendshëm të punës e kanë rritur shumë më tepër interesin e sektorit privat për të bashkëpunuar me universitetet për formimin e profesionistëve të ardhshëm. Rritja e kërkesave për punë dhe profesionistë të aftë e ka shtyrë sektorin privat drejt kërkimit të punëtorëve dhe profesionistëve nga tregjet e huaja. Pra, ka një kërkesë të lartë të tregut të punës për më shumë profesionistë të kualifikuar.

Së dyti, gjatë këtyre viteve, përkundrejt një arsimi pothuajse të mbyllur ndaj studentëve të huaj, ka ndodhur një rritje e vazhdueshme e “Credit-mobile students” të ardhur veçanërisht në kuadër të programeve “Erasmus Exchange”. Vetëm në UET kanë ardhur më shumë se 100 studentë nga vende e universitete të ndryshme europiane (dhe kanë shkuar jashtë vendit 400 nga studentët tanë).

Të dyja këto zhvillime besojmë se kanë hedhur bazat e kalimit në një fazë të re, atë të ndërkombëtarizimit të plotë të universiteteve, duke shkuar drejt tërheqjeve të studentëve të huaj për kryerjen e plotë të një cikli apo disa cikleve të studimeve universitare, si dhe mundësive të shtuara edhe për sektorin privat vendas duke i diversifikuar ato për tregun e punës.

Në dekadat e fundit, vendet e zhvilluara kanë filluar të konkurrojnë agresivisht për tërheqjen e studentëve të huaj, duke krijuar politika lehtësuese për sa i përket studimit në universitetet e tyre. SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Gjermania, etj., po ofrojnë mundësi të shumta bursash, procese të thjeshtuara për viza dhe akses më të lehtë në tregun e punës për studentët ndërkombëtarë. Numri i studentëve ndërkombëtarë në botë ka arritur 6.4 milionë në vitin 2023, nga 2 milionë që ishin në vitin 2020 dhe që shënon rritje të vazhdueshme vit pas viti. Kryesisht janë vendet e zhvilluara ato që kanë tërhequr më shumë studentë, por edhe vendet e rajonit janë tashmë pjesë e kësaj gare. Për shembull, Serbia kishte mbi 12,000 studentë ndërkombëtarë në vitin 2023, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte rreth 4,800. Në kontrast, Shqipëria ka tërhequr vetëm më pak se 2,000 studentë të huaj në të njëjtin vit. Tërheqja e studentëve të huaj sjell përfitime të rëndësishme në shumë aspekte: Së pari, kjo do të krijonte një presion pozitiv për vetë universitetet, që ato të reformohen në vazhdimësi dhe të jenë më të hapura prej konkurrencës nga jashtë. Kjo i vjen në ndihmë objektivit të qeverisë për të reformuar në brendësi veçanërisht universitete publike. Do të krijohej një ambient multikulturor që do të rriste interesin për edukim cilësor edhe nga studentët tanë. Cilësia e arsimit do të përmirësohej ndjeshëm.

Së dyti, do të kishte një ndikim afatshkurtër, pasi një komunitet i studentëve të huaj do të ndikonte në rritjen e tregut të brendshëm, fuqisë blerëse dhe ekonomisë së vendit.

Së treti, në një periudhë afatgjatë, studentët që do diplomohen në Shqipëri, do të jenë një kontingjent potencial për sektorin tonë privat. Në të kundërt, ata që largohen do të kishin një efekt përhapës “spillover” në vendet e huaja.

Sfida, pikësëpari qëndron tek vetë universitetet, duke nisur nga programet e reja mësimore në gjuhë të huaja, krijimi infrastrukturës së përshtatshme për mikpritjen dhe mbështetjen e tyre e deri te rekrutimi i stafeve akademike të aftë për mësimdhënie në gjuhën e huaj. Por, mbështetja e qeverisë dhe lehtësimi i proceseve burokratike mbetet sfidë reale. Që nga pajisja me viza qëndrimi për studim, lehtësitë në tregun e punës që studentët e huaj të kenë mundësi të punojnë part-time, njohja e dokumentacionit arsimor të vendeve të tjera nga Ministria e Arsimit (diploma, dëftesa, kreditë, etj.), kërkojnë që administrata publike të ndërtojë një qasje miqësore ndaj studentëve ndërkombëtarë dhe të ndryshojmë praktikat e derisotme që janë shumë penguese ose dhe bllokuese. Kjo është një konkurrencë që edhe vendet e rajonit janë në një garë dhe nuk ka arsye që Shqipëria të mos jetë konkurrente e denjë në këtë treg. Tërheqja e studentëve ndërkombëtarë është një garë që duhet fituar brenda dekadës së ardhshme nga Shqipëria. Vendi ynë i ka kapacitet të tërheqë dhe të presë deri në 50.000 mijë studentë të huaj.

*President i Universitetit Europian të Tiranës, fjala e mbajtur më 12.12.2024, në krijimin e Ligës së Universiteteve “Gjon Durrahium”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: