Ku është pika e përbashkët e pushteteve të Ramës në Shqipëri dhe Viktor Orban në Hungari? Të dy akuzohen nga opozitat vendase se kanë instaluar regjime autoritare. Por dallimi është tek opozitat që nuk po adoptojnë të njëjtën ligjëratë. Në Shqipëri, mesazhi i opozitës anon më shumë nga politika (Shteti i të drejtës) ndërkohë që një opozitë e re po lind në Hungari me një mesazh që anon më shumë nga ekonomia. Dhe rezultatet e para “pozitive” po fillojnë të bien për opozitën hungareze: për herë të parë pas 14 vitesh në pushtet në Hungari, Orban dhe partia e tij Fidesz kanë pësuar një rënie masive në sondazhe. Ai dhe partia e tij ndodhen tani 11 pikë më poshtë se rivali i tij i opozitar Peter Magyar i partisë Tisza ndërkohë që Orban i fitoi masivisht zgjedhjet e fundit europiane të qershorit të kaluar. Le t’i hedhim një vështrim krahasues të këtyre dy metodave.

Doktrina opozitare e PD-së bazuar tek të drejtat politike
Në 23 dhjetor, tre dekada e gjysëm pas dhjetorit studentor të kryengritjes për demokraci, lideri i Partisë Demokratikë të Shqipërisë fton simpatizantët dhe të gjithë shqiptarët që e ndjekin të organizojnë një protestë tjetër të radhës për demokraci. Kjo protestë e re do të jetë më e fuqishmja sipas tij në vazhdën e lëvizjes së PD-së për mosbindje civile. I inkurajuar dhe nga rezoluta e fundit e grupimit botëror të partivë të djathta “IDU”, Berisha si politikan me përvojë, kërkon të kapitalizojë në opinion pakënaqësitë që po krijon në nivel ndërkombëtar devijimi autoritar i pushtetit të Ramës. Sipas Berishës që citon për këtë dhe pjesë nga rezoluta e partive të djathta në botë, Shqipëria e Edi Ramës po njeh që prej 12 vitesh “përqendrimin e pushtetit në duart e një personi i cili i ka reduktuar zgjedhjet në një farsë. Udhëheqësit e opozitës po përballen me persekutim politik. Përgjimet zbulojnë bashkëpunimin mes zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve kriminale të karteleve të drogës për pastrim parash dhe për të manipuluar zgjedhjet”. Ndaj, bën thirrje Berisha, në kuadrin e protestës së 23 dhjetorit, “opozita shqiptare ka zgjedhur mosbindjen civile si rrugën kryesore, të vetme për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori që kërkon të marrë njëlloj si Lukashenko mandatin e katërt duke e grabitur atë”.

Në mënyrë të qartë, dhe pa asnjë ekuivok, opozita shqiptare e PD-së e ka vënë kështu luftën për demokraci në krye të axhendës së saj, dhe kjo pa asnjë devijim nga kjo mënyrë e të bërit opozitë që prej tre vjetësh kur Berisha bëri një “come-back” në krye të PD-së.

Rasti hungarez nuk ka qenë shumë më ndryshe se ai shqiptar deri tani.

Të njëjtat lejtmotive politike janë përdorur për më shumë se një dekadë nga opozita hungareze kundra pushtetit pa kufi të Viktor Orbanit akuzuar se ka sheshuar si me rryl kundra-pushtetet. Veçse ky mobilizim i kahershëm i opozitës hungareze faktualisht është përkthyer në më pak rezultate pozitive për të, si në kutitë e votimit ashtu dhe në sondazhe. Kjo megjithë përpjekjet reale të opozitës hungareze për të treguar sesi shtypet realisht demokracia në Hungari nga pushteti i Orbanit që ka marrë të gjitha pushtetet e tjera në dorë, nga mediat te drejtësia duke përfshirë Parlamentin, Presidencën, dhe pa dyshim pushtetin ekonomik me korrupsion galopant.

E megjithatë asgjë nuk po ndodhte. Në zgjedhjet e fundit, ato europiane në qershorin e kaluar, sërish partia Fidesz e Orbanit dominoi totalisht me 45% të votave ose dy herë më shumë se opozita.

Por ja që një parti e re opozitare u krijua këtë vit në vorbullën e zgjedhjeve europiane, Partia Tizsa. Krijuesi dhe drejtuesi i saj, Peter Magyar, avokat 45 vjeç që e njihte thellësisht nga brenda regjimin e Orbanit sepse ish-bashkëshortja e tij, Judit Varga, me të cilën është divorcuar para një viti, ishte ministre e Drejtësisë e Orbanit dhe “ylli në ngjitje” i Orbanizmit.

Peter Magyar, ka vendosur që partia e tij e re të ndjekë një strategji të re, duke vënë në qendër të luftës së tij politike, ekonominë më shumë se politikën. E megjithatë ashtu si Berisha që konsiderohet si i persekutuar nga pushteti i Ramës, dhe vetë Peter Magyar ka përjetuar muaj të vështirë këtë vit, ku ish-bashkëshortja e tij, bashkëpunëtore e ngushtë e Orbanit hapi padi kundra tij për dhunë fizike në mënyrë që t’i mbyllej goja. Kryeopozitari i ri hungarez mendon se strategjikisht do të jetë më efikase të vihen në plan të parë vuajtet e hungarezëve në lëmin ekonomik sesa makiavelizmi politiko-juridik i Orbanit.

Ekonomia si erzat më stimulues për “masat” sesa politika
Peter Magyar po shfaqet si një kundërshtar që po e godet Orbanin aty ku i dhemb. Inflacioni ka rënë kudo në BE (2.3% mesatarja), por në Hungari është dyfishi (4%). Në vend që të sulmojë Orbanin për çështjet e shtetit të së drejtës që është refreni kryesor kundra Orbanit si në Hungari dhe në Europë, kryeopozitari i ri e ve gishtin te degradimi i shërbimeve publike dhe rënia e standardeve të jetesës për hungarezët. Nga maja e mitingjeve të tija por dhe nga Parlamenti Europian ku ai është eurodeputet, Peter Magyar i flet Orbanit në mënyrë të veçantë për nivelin ekonomik të hungarezëve: paga minimale është 668 euro në Hungari, por në Slloveni 1253 euro, në Poloni 1000 euro, si shpjegohet kjo pyet shefi i opozitës hungareze. Biles dhe “vende që ishin pas nesh si Rumania, po ia kalojnë Hungarisë ekonomikisht”, thotë Peter Magyar, duke dhënë shifra krahasuese tronditëse për hungarezët: “Rumania i ka rritur rrogat 5-fish ! Ushqimet janë atje deri 30% më lirë së tek ne në Hungari”, këmbëngul ai duke vazhduar me dështimet në sistemin shëndetësor: “Një në tre hungarezë vdes para moshës 65 vjeç. Mungojnë 40 mijë infermierë që të merren me shendetin e hungarezëve. Në spitale nuk ka detergjent, as dezinfektues, biles as letër higjenike”, lëshon kështu ai fraza që shkojnë më shumë se kapja e pushteteve nga Orbani.

Opozitari i tij numër 1, nuk lë pasdore as çështjen e emigracionit pasi të rinjtë nuk gjejnë më shpresë. “Një në dy të rinj hungarezë të moshës 18 vjeç thotë së mendon të largohet nga Hungaria”, ia rikujtoi Peter Magyar Viktor Orbanit në një fjalim pasionant nga salla plenare e Parlamentit Europian duke konkluduar: “Të gjithë e dimë se fundi yt është i afërt megjithë kërcënimet tuaja. Pa ty, hungarezët do të ndërtojnë një Hungari paqësore, evropiane dhe të jetueshme”.

Rezultati i kësaj strategjie të re opozitare bazuar tek një shpresë e re ekonomike duket se po reflektohet për herë të parë në sondazhe. Vetëm në pak muaj që nga vera e kaluar kur doli në skenë Peter Magyar me një ligjërim të ri bazuar të ekonomia, 10% më shumë e hungarezëve duan ndryshim politik. Një shifër që mund të shtohet shumë më tepër deri në zgjedhjet e ardhshmë legjislative më 2026.

Në Shqipëri, mosbindja civile e Opozitës duhet të shoqërohet detyrimisht nga një program ekonomik. Deri tani, ka patur aty tek – tuk idera programatore ekonomike të lëshuara si me pikatore nga kryetari i PD-së, por në më pak së 6 muaj para zgjedhjeve nevojitet një përqasje ekonomike në formën e një programi të strukturuar qeverisës.

Përvoja e fitores së fundit elektorale të Trump është po ashtu domethënëse. Ai foli gjatë fushatës më pak për dhunën e drejtësisë që po binte padrejtësisht mbi të se sa për nevojën urgjente të uljes së çmimeve për amerikanët. Një stratëgji e ndjekur aktualisht dhe nga Le Pen në Francë, që ndonëse po bllokohet nga drejtësia franceze që mos të marrë pjesë në zgjedhje, ajo e motivon luftën e saj politike deri në rrëzimin e qeverisë për hir të interesave ekonomike të francezëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb