Nga: Mentor NAZARKO

Njëra nga gazetat më serioze greke, ”Kathimerini”, ka bërë të ditur tri ditë më parë se negociatat me Shqipërinë (për paketën e marrëveshjeve që kalojnë nga çështje që lidhen me luftën me çështjet aktuale moderne si ajo e kufirit detar), do të marrin fund në vitin 2019. Sipas interpretimit të kësaj gazete, – media e mirinformuar, që ka kontaktet e veta pranë qeverisë greke,- ky vendim mendohet se lidhet me faktin që mbi qeverinë aktuale në lidhje me marrëveshjen me Maqedoninë ka presion nga ana e opozitës, e cila është një lloj avantazhi në sondazhet parazgjedhore.

Kush e lexon vetëm këtë pjesë të lajmit që vjen nga “Kathimerini”, bën pyetje se çfarë lidhje ka marrëveshja me Maqedoninë për çështjen e emrit, me pakon e marrëveshjeve me Shqipërinë. Kjo pyetje meriton përgjigje. Sipas “Kathimerini”, një moment tjetër pse grekët e shohin të vështirë që të ketë përparim në firmosjen e pakos së marrëveshjeve, për të cilën janë dhënë afate të ndryshme, është dhe fakti që Presidenti i Republikës së Shqipërisë nuk është i gatshëm që të firmosë plotfuqitë që lidhen me përmbylljen e marrëveshjeve me Greqinë.

Kështu që, në një kontekst të tillë, gjithmonë sipas medias greke, është zgjedhur viti 2019, kur, sipas saj, marrëveshja me Maqedoninë pritet që të kalojë në Parlamentin grek.

Sot bëhet e ditur ndërkohë se në samitin e vendeve të Bashkimit Europian, plus Ballkanin që po zhvillohet në Londër, pritet që Kryeministri Rama të takohet me Kryeministrin Tsipras. Opozita po bërtet se do të ketë firmosje të marrëveshjes së detit, por kjo nuk ka mundësi të ndodhë. Presidenti Meta nuk ka dhënë plotfuqi: maksimumi mund të firmoset ndonjë marrëveshje e partneritetit strategjik në terma të përgjithshëm, por jo përkufizuese e marrëveshjeve të tjera, pra dhe asaj të detit.

Në këtë kontekst, i cili është i fokusuar te faktori kohë, ka një analizë që do duhet zhvilluar, në atë se çfarë fiton dhe çfarë humb njëra palë dhe pala tjetër nga kjo shtyrje.

Kur shkojmë te Greqia do duhet të mbajmë parasysh që në pushtet është një qeveri e majtë, e cila pritet që të hyjë në zgjedhje të parakohshme ose zgjedhje të rregullta, në të cilat opozita e udhëhequr nga djali i ishKryeministrit Kostantin Mitsotakis, vëllai i Bakojanisit që firmosi asokohe marrëveshjen me Bashën, është në rritje të vazhdueshme.

Politikanët i bëjnë hesapet e tyre me zgjedhjet e ardhshme. Kështu që në këtë kuptim, duke u nisur nga ky disavantazh parazgjedhor, qeveria aktuale greke supozohet se nuk ka guximin që të përballet me krahun tjetër politik, me trajtimin e dy çështjeve njëherësh – dy marrëveshjeve me Shqipërinë dhe me Maqedoninë dhe kështu ka vendosur që t’i ndajë ato përkohësisht.

Ama dhe t’i bashkojë në 2019-n, se në fund të fundit, në qoftë se thuhet që marrëveshja me Shqipërinë do të pritet që të shqyrtohet, të përfundojë në Parlamentin grek, atëherë kur përfundon edhe marrëveshja me Maqedoninë, pra, i bie që të dy marrëveshjet po bashkëlidhen me njëra-tjetrën.

Por ky është vetëm një shikim sipërfaqësor!

Ka një moment tjetër që do të duhet mbajtur parasysh: 2019 është një vit në të cilin, siç u tha nga Bashkimi Europian, nga Këshilli Europian, pra, nga mbledhja e përbashkët e presidentëve, kryeministrave të vendeve anëtare, 2019, saktësisht vera e 2019-s, është viti kur Shqipëria me gjithë Maqedoninë do të duhet të çelë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Ngjan kësisoj se pala greke, jo vetëm ka vendosur që të shtyjë trajtimin e çështjes së marrëveshjes me Shqipërinë apo edhe me Maqedoninë, pas zgjedhjeve parlamentare të vendit, por edhe pas zgjedhjeve europiane.

Rrjedhimisht, duket se Greqia ka vendosur që të arrijë suksesin më të madh, të arrijë presionin më të madh, qoftë mbi Shqipërinë, qoftë edhe mbi Maqedoninë, pikërisht në momentin kur Greqia e ka fuqinë më të madhe, pikërisht kur çelen negociatat, kur duhet të çelen negociatat, dhe fjala e një shteti të vetëm, qoftë edhe të një shteti të vogël brenda Bashkimit Europian, ka peshë maksimale.

Të njëjtin skenar Greqia u përpoq që ta jetësonte edhe në prag të kësaj mbledhjeje të Këshillit Europian, e cila u zhvillua në 28 qershor. Greqia duke shfrytëzuar këtë afat, pra, 28 qershorin, rriti presionin mbi dy vende, mbi Maqedoninë edhe mbi Shqipërinë, në mënyrë të tillë që të kishte një marrëveshje sa më të shpejtë dhe eventualisht më të favorshme për të. Pse?

Kjo marrëveshje për dy vendet, Shqipërinë dhe Maqedoninë, do të shihej si përparim i tyre në rrugën drejt Bashkimit Europian, por ndërkohë, Greqia, e cila ishte në pozitë më të favorizuar për shkak se ishte vendi që do të shqyrtonte kandidaturën e Shqipërisë dhe Maqedonisë, kishte maksimumin e presionit mbi të dy vendet. Dhe do të ishte njëlloj avantazhi dhe mbi Turqinë. Por në qoftë se ky presion funksionoi mbi Maqedoninë, e cila ka nënshkruar marrëveshjen,- të paktën jemi në fazën e parë, – me Shqipërinë kjo gjë nuk ka funksionuar.

Greqia pra pret, sipas kësaj analize, që 2019, periudhë kur Shqipëria, Maqedonia do të paraqiten sërish në provimin europian, të rrisë maksimumin e presionit për të përfituar marrëveshjen në termat siç e do.

Faktori i tretë

Sigurisht, për të kuptuar edhe më shumë rreth pozicionit grek, mund të futen në analizë, në shqyrtim të ekuacionit edhe deklaratat publike të ministrit të Jashtëm grek Kotzias në fakt, i cili është personazhi që është shprehur më shumë rreth saj, i cili e ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë, por jo vetëm.

Natyrisht, ka përdorur edhe një “thumb”, i cili lidhet me fuqitë e treta, me Turqinë, kur tha që: ”ne nuk do të tërhiqemi, ne asnjëherë nuk do të flasim për çështjen çame. Ne kemi arritur një lloj marrëveshje, e cila është shumë e mirë për ne, duke shpresuar që nuk do të bëjë të pakënaqur palën turke”. Pra në një kuptim, pala greke mendon që në këto bisedime është e pranishme edhe “hija turke” dhe me siguri ndoshta ka të drejtë. Tema e marrëveshjes së detit, termat e saj, nuk mund të mos jenë diskutuar në kontaktet e fundit turko-shqiptare.

Por le të shkojmë tek analiza e pjesës shqiptare.

Është krejt e qartë që në qoftë se Shqipëria arrin që të firmosë një marrëveshje që zgjidh çështjen e ligjit të luftës me Greqinë, ky është një përparim i madh historik. A është më e mira? Sa kohë që nuk kemi informacione të plota se çfarë forme do të ketë marrëveshja lidhur me këtë çështje, do të duhet të jemi të vëmendshëm për të kuptuar më shumë. Aq më tepër që bëhet fjalë për një zgjidhje shumë komplekse, e cila në qoftë se duhet të jetësohet drejtësisht, realisht nënkupton prekjen e një sërë ligjesh apo pse jo edhe të vetë kushtetutës greke, e cila i konsideron ligjet që lidhen me shpronësimet e shqiptarëve si pjesë të kësaj kushtetute. E kjo nuk pranohet lehtë nga pala greke. Ndaj, duhet të jemi skeptikë ose duhet të jemi të vëmendshëm për llojin e marrëveshjes që Shqipëria ka përfunduar me Greqinë për ligjin e luftës.

Kur shkon puna te marrëveshja e detit, kemi informacione kontrastante, drejtpërdrejt të kundërta.

Shqipëria thotë se ka një marrëveshje më të mirë se sa ajo e 2009-s; Greqia thotë se, në fund të fundit, kemi fituar parimin e 12 miljeve si det territorial. Ky pohim është i paspecifikuar: ku aplikohet, për shembull, parimi i 12 miljeve? A aplikohet edhe në ishullin Othonoi, i cili është shumë afër me Shqipërinë, ndonëse, ka hapësirë për të pasur 12 milje secili prej brigjeve, por në një kuptim Othonoit i jepet dinjiteti i një toke kontinentale?

Ka megjithatë dhe pikëpyetje të tjera: siç bën me dije edhe gazeta greke, është Presidenti Meta që ka vendosur në njëfarë mënyre veton e vet për të dhënë blanko plotfuqitë për secilin prej hapave të negociatave. Ky i fundit, ka një dokument referues për sjelljen e tij, që është vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2011-s.

Ky vendim nuk ka hyrë vetëm në procedurën e negocimit, por ka hyrë edhe në përmbajtjen e marrëveshjes së detit të 2009-s, duke imponuar piketat e marrëveshjes së ardhshme me Greqinë. Kësisoj, Meta që brenda komisionit negociator ka edhe përfaqësues të vet, është duke bërë super të kujdesshmin me plot të drejtë, përkundrejt llojit të marrëveshjes që po negocion pala qeveritare.

E këtu është një moment që duhet mbajtur parasysh: është hera e parë që një bashkëpunim nga dëshira, nga zgjedhja apo nga imponimi i institucioneve të shtetit shqiptar, po e forcon Shqipërinë përballë Greqisë. Pra, produkti i negociatave me Greqinë ka mbrapa të gjitha institucionet. Shteti shqiptar është i përforcuar në raport me Greqinë dhe është shumë e vështirë që të kalojnë propozime të imponuara, propozime, të cilat nuk i nënshtrohen një shqyrtimi më të gjerë të institucioneve shqiptare. Po ashtu ngjan, se mbështetur në të kaluarën paqësore dhe të matur të tij kundrejt Greqisë, pala greke e ka të vështirë që të atakojë Presidentin Meta për sjelljen e tij në rastin e negociatave aktuale.

Nuk mund të thuhet me siguri, por ka gjasa të mëdha që pala turke apo edhe palë të tjera janë duke e shikuar me vëmendje këtë që po ndodh midis Shqipërisë dhe Greqisë. E fakti është që kemi arritur te ky vendim: që të shtyhet firmosja e marrëveshjeve deri në 2019-n, që është vit eventual i zhvillimit të zgjedhjeve greke, zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare europiane.

Por çfarë duhet thënë, çfarë ngelet pa u thënë në lidhje me këtë çështje që me siguri do të trajtohet në takimin Rama-Tsipras që do zhvillohet në Londër?

Do duhet thënë që, nga shtyrja deri në 2019-n, arrihet të kuptohet që pala greke nuk ka ndonjë ngut aq të madh sa mendohej më përpara kur thuhej që asaj i duhet me çdo kusht marrëveshja sepse synon që të bëjë kërkim të naftës dhe të gazit në zonën afër ishujve grekë të Jonit. Po duket qartë që nuk ka ndonjë ngut të madh për të ashtuquajturën kërkim nafte nga ana e palës greke, ose ky ngut nuk është aq shumë i justifikuar sa të shtyjë në firmosje të shpejtë të marrëveshjes me Shqipërinë, që të rrezikojë të shpërthejë polemika në Greqi, të cilat do ta dobësonin qeverinë apo partitë që përbëjnë qeverinë aktuale në raport me zgjedhjet.

Reagimi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Kjo parti, gjithmonë duke interpretuar qëndrime që filtrohen nga shtypi grek dhe të përcjella në shtypin shqiptar, duke interpretuar këto qëndrime apo deklarata të caktuara të ministrit Kotzias, po reagon me një lloj force duke pretenduar se çështja çame ka dalë nga diskutimet, se çështja çame po barazohet me çështjen e Vorio-Epirit, se do të hiqen emërtimet Çamëri, po, nga ana tjetër, pala greke do të pranojë të hiqen emërtimet Epiri i Veriut. Për të ndaluar gjithë këtë, PDIU ka organizuar një sërë aktivitetesh, reagimesh, protestash.

Edhe ky qëndrim i këtij faktori të politikës shqiptare është një qëndrim që e përforcon Shqipërinë përkundrejt Greqisë.

Reagimi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është një reagim që, si të thuash, i tregon palës greke se qeveria shqiptare e ka të vështirë të pranojë çdo lloj marrëveshje që i imponohet nga pala tjetër, sepse krijon reagime të forta brenda vendit. Brenda opozitës, partia më e madhe, PD-ja, nuk ka asnjë qëndrim dhe Berisha ngjan i vetmuar në reagimet e tij që i hedhin në kurriz PS-së, Ramës, bash ato që socialistët ia hodhën atij në 2009-n. Sot ai foli për firmosje marrëveshjeje, që i heq 1200 kilometra Shqipërisë, por në Londër nuk ka firmë, pra, nuk ka as tradhti hëpërhë.

E vërteta është se si në çdo çështje me rëndësi kombëtare është e domosdoshme që faktorët që janë nacionalistë apo ekstremistë të bashkëpunojnë me faktorë të tjerë institucionalë, apo të moderuar, në mënyrë të tillë që ky pozicion, pozicioni shtetëror, të optimizohet, të arrijë maksimumin.

Për PDIU-në vlen ky arsyetim profesional dhe jo politik: nëse të dy vendet arrijnë një marrëveshje, e cila i jep mundësinë shtetasve shqiptarë të cilët kanë pronat në Greqi, që të trajtohen njëlloj si grekët dhe të kenë mundësi që të pretendojnë apo rivendikojnë këto prona, një vendim, një ligj i tillë nuk mund të përjashtojë në asnjë mënyrë nominalisht shtetasit shqiptarë me origjinë çame.

Kjo është pak, por e sigurt, sepse gjithë legjislacioni aktual grek në lidhje me luftën, e vuan këtë dobësi, pra, është legjislacion i atakueshëm, veçanërisht në Gjykatën e Strasburgut, sepse aplikon diskriminimin mbi bazë feje, mbi bazë kombësie dhe duket e vështirë të besosh që Greqia do ta përsërisë këtë gabim dhe sot, pra, të kemi një marrëveshje që do ta firmosë edhe Shqipëria, e cila të parashikojë një diskriminim të tillë, nominal në dëm të çamëve.

Për ta mbyllur, çdo lloj përparimi që bëhet në marrëdhëniet shqiptaro-greke është në favor të gjithë shqiptarëve pa dallim, qofshin çamë, qofshin joçamë.

Këto ishin disa konsiderata të mbështetura në informacionet e bëra publike tashmë në lidhje me këtë çështje të madhe midis shqiptarëve dhe grekëve, që në fund të fundit nuk është krejt pa rëndësi në marrëdhëniet e Shqipërisë me Ballkanin apo dhe me vetë Europën

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: