Nga Luan MALLTEZI

Të gjithë kemi dëgjuar për luftërat për liri që kanë bërë në vitet ’60 të shekullit të kaluar popujt kolonialë. Pas fitores së lirisë kemi shpresuar se këto vende do të shkonin para, por nuk ka ndodhur kështu; disa prej tyre sot janë në luftë civile?! A nuk është kjo tronditëse për këdo që ndjek lajmet sot, luftë për liri kemi bërë edhe ne shqiptarët. Një nga faqet më të ndritura të luftërave për mbrojtjen e vendit është periudha 25-vjeçare e luftërave që zhvilluan të parët nën udhëheqjen e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut kundër rrezikut të pushtimit osmanë.

Edhe pas pushtimit osman shqiptarët u ngritën si komb në këmbë kundër vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit (1878), që vuri në rrezik tërësinë territoriale të tokave shqiptare. Të parët tanë vazhduan qëndresën deri në fitoren e tyre historike: krijimin e shtetit të pavarur shqiptar dhe të qeverisë së dalë nga Kuvendi i Vlorës me në krye plakun Ismail Qemali(1912). Deri atëherë të parët tanë luftonim të bashkuar. Problemet lindën pas fitores historike të 28 nëntorit 1912; të parët tanë ishin të varfër atëkohë, toka, mjeti kryesor i prodhimit ishte në duart e feudaleve të mëdhenj. Këto zotërinj ishin me peshë në jetën politike të vendit, kishin luajtur rol në luftën për krijimin e shtetit shqiptar. Rrjedhimisht pas shpalljes së pavarësisë politika në Shqipëri është shoqëruar me përplasje midis nacionalisteve dhe grupeve dhe klaneve për pushtet.

Të tilla ishin përplasjet midis Ismail Qemalit dhe Esat Pashës dhe këtij të fundit me princ Vidin më pas. Përplasje të tilla kanë vazhduar edhe pas Kongresit të Lushnjës, në qeveritë e viteve 1921-1924. Zgjedhjet elektorale që filluan në vitin 1921, bëheshin me premtime të bujshme elektorale “Për popullin dhe interesat e tij”, por, në fakt, gjatë zgjedhjeve bëheshin mashtrime, blerje votash, kërcënime dhe vrasje politike. Kjo situatë vazhdoi edhe pas mërgimit të qeverisë së Nolit dhe kthimit të Zogut në pushtet në dhjetor të vitit 1924. Pa kundërshtarë politikë Zogu nuk e pati të vështirë të realizonte zgjedhjen e tij president i Republikës më 1925 dhe Mbret i Shqiptarëve më 1928. Shqipëria nën pushtetin e Zogut, bënte propagandë për sukseset e arritura nën monarkinë. Me rastin e festimeve të 25 vjetorit të pavarësisë (1937), shtypi zyrtar shkruante se: Nën drejtimin e lartmadhërisë së tij, Zogut I – Shqipëria ishte shndërruar nga një shoqëri me fise në një shtet me institucione të konsoliduara.

Koha, në fakt, tregoi se këto institucione ishin të dobëta; zhvillimi i vendit shoqërohej me probleme korruptive. Megjithatë, monarkia siguroi mbrojtjen e pronës dhe ruajtjen e zakoneve e traditave të vendit. Situata ndryshoi pas ardhjes në pushtet të komunisteve shqiptarë. Për herë të parë “pas Çlirimit” të vendit, shteti zbatoi idenë e luftës së klasave në shoqëri; dënoi dhe ekzekutoi me procese të montuara gjyqësore të gjithë kundërshtarët politikë si dhe shumë nacionalistë e intelektualë të shquar të formuar në Perëndim. Pushteti i ri filloi të ndërmerrte shtetëzime të dhunshme për krijimin e pronës së madhe shtetërore. Me “reforma të tilla” të majta, u asgjësua ekonomia tradicionale, prona private mbi tokën që ishte zhvilluar në shekuj në qytetet dhe krahinat e ndryshme të vendit; prona private në qytet dhe në fshat i la vendin pronës kooperativiste. Në këto procese nëpër të cilat kaloi vendi u krijua “njeriu i ri socialist”, siç quante shtypi zyrtar i kohës klasën punëtore. Ngjarjet historike të viteve ‘90 të shekullit të kaluar, migrimi biblik i shqiptarëve me anije në vendet e Perëndimit treguan se “njeriun e ri” nuk e lidhte asgjë me “atdheun” e vet të mbyllur dhe të varfër “socialist”.

“Reformat” e ndërmarra për dekada me radhë “në emër të popullit dhe interesave të tij” sollën krizën e rëndë ekonomike shoqërore politike në vitet ‘90, zhvillimin e pluralizmit dhe lindjen e PD, që përmbysi regjimin e vjetër, diktaturën më të egër në Europën Lindore, të mbushur me burgje dhe kampe përqendrimi për 45 vjet me radhë. Por pak pas “fitores së demokracisë”, Shqipëria hyri përsëri në krizë për shkak të zgjedhjeve elektorale “jo demokratike” të vitit 1996 siç i cilësoi PS. Më ‘97 bota mbarë u trondit nga shembja me dhunë e institucioneve të shtetit demokratik, hapja e depove të armëve, dalja e grupeve të armatosura, grabitjet kriminale dhe vrasjet me qëllim rrëmbimin e pronës dhe pasurisë. Arsyet e kësaj tronditje të thellë shoqërore, që vuri në rrezik të ardhmen e vendit, janë të shumta, por shkaqet gjithsesi duhen kërkuar në faktin se shqiptarët dolën të humbur ekonomikisht në situatën e krijuar pas viteve ’90. Pas proceseve të privatizimit të pronës së madhe shtetërore ku u pasurua një pjesë e vogël e popullsisë, shqiptaret mbeten në përgjithësi të varfër, dhe pa pronë private mbi të cilën mbështetej shoqëria pas viteve 90. Ekonomia “socialiste”, (ish-fabrikat, uzinat) u shkatërruan plotësisht pas viteve ’90. Investimet e huaja, që mund të siguronin vende pune, munguan për shkak të pasigurisë në vend dhe problemeve të pronësisë mbi tokën.

Në këtë situatë njerëzit për të mbijetuar hodhën paratë në firma private mashtruese që mbinë kudo në Shqipëri. Pasojat dihen…Kjo kohë e mbrapshtë në Shqipëri ka kaluar, dhe asnjë nuk ka dëshirë ta kujtojë, por mos harrojmë se kaloi me ndërhyrjen e forcave të armatosura të komunitetit europian, sepse ngjarjet në Shqipëri mund ta kishin çuar vendin në luftë civile. Sot shoqëria ka shkuar para, por mos harrojmë se eshtë krijuar edhe një brez i ri që vë në rrezik të ardhmen e vendit. Për këtë brez, të lindur pas viteve ’90, situata ekonomike është dramatike, pa punë, pronë dhe pasuri. Brezi i ri është para një shoqërie që nuk afron asgjë për ta, përveç korrupsion shtetëror nga qeveritë që shkojnë e vijnë. Zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri deri më sot kanë qenë të dyshimta për partinë fituese; zgjedhjet janë shoqëruar me tensione midis partive në Kuvend. Shprehje e kësaj situate janë edhe zgjedhjet e fundit të 25 qershorit. Kryeministri socialist deklaroi se këto zgjedhje i fitoi PS, “ministrat teknikë” të PD, që ndoqën procesin nga lart dëshmuan të kundërtën. Zgjedhjet, sipas tyre, nuk ishin të lira dhe demokratike, shumë mandate në Kuvend “janë blerë” nga njerëz të pasur që nuk i lidh asgjë me popullin e varfër. Kjo deklaratë tronditëse për demokratët përmbysi tek ata shpresat që kishin te marrëveshja Rama-Basha bërë para zgjedhjeve. Me këtë marrëveshje të njohur nga shqiptarët, shpresohej se punët në Shqipëri mund të shkonin mbarë. Tani e tutje, me rëndësi ishte fakti se shpresohej se do kishim zgjedhje të lira demokratike. Dështimi i zgjedhjeve riktheu edhe një herë deziluzion te njerëzit e ndershëm, të majtë e të djathtë, që duan një Shqipëri të lirë demokratike, një Shqipëri ku në zgjedhje të radhës të konkurrojnë partitë me programet e tyre. Në Shqipëri ka shumë njerëz që nuk shqetësohen për zgjedhjet, nëse ishin apo jo të lira e demokratike, por ne që njohim pasojat e zgjedhjeve jo të lira nuk mund të mos pyesim të shqetësuar: A mundet vallë të shkojnë punët mbarë midis partive në Kuvend kur dihet se aty ka përsëri deputetë me vota të blera? Pse vallë nuk jemi në gjendje të zhvillojmë zgjedhje të lira demokratike për të sjellë në Kuvend njerëz të ndershëm, të lidhur me fatet dhe interesat e vendit? Ҫ’vlejnë këta “deputetë” në Kuvend kur vendi ka kaq shumë probleme që kërkojnë zgjidhje nga politika? /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb