“‘Dritare’ do të jetë e njëjta, ndryshe. E njëjta sepse dritaret një funksion kanë, të sjellin dritë, të sjellin informacion nga jashtë brenda, të përmirësojnë ajrin e dhomës kur hapen. Ndryshe, sepse unë kam ndryshuar në vite”,- nga viti kur dritarja e Rudina Xhungës u hap për herë të parë në RTSH, kanë kaluar 20 vite.

Përgjatë tyre, në jetën e saj kanë ndryshuar shumë gjëra, por ka mbetur i palëkundur mendimi se gazetarët jo vetëm mund të ndikojnë, por të frymëzojnë e përmirësojnë këtë vend. Bindja u forcua edhe më me ardhjen në jetë të vajzës së saj, Alanës. Për kë më shumë se sa për të, për kë më shumë se sa për një fëmijë, prindërit, gazetarë ose jo, do t’i bënin të gjitha për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Rudina ka zgjedhur të flasë nga një dritare për të bërë jetën e Alanës më të mirë, për të bërë jetën e fëmijëve në klasë të parë, bashkë me të, më të mirë. Sot, në këtë intervistë, ka zbuluar diçka, por të gjitha copat do t’i shohim bashkë nga 9 tetori, të martave, në NEWS 24, në prime time. Ashtu siç doli që herën e parë. Ishte viti 1998 kur një vajzë u bë për herë të parë fytyra e politikës në televizionin më të madh që kishte vendi, RTSH-së. Shumë shpejt, do të bëhej fytyra e prime time të TCH, për 14 vjet.

Përveç politikës, në të gjithë këto vite, përmes një cikli me pothuaj 40 shkrimtarë, filozofë, ndërkombëtarë përfaqësues të më së mirës bashkëkohore, njohëm një “Shqip” tjetër që nuk ishte dëgjuar më parë e as është dëgjuar më pas. Turizmi u bë gjithaq qëllim i këtyre 14 viteve. Siç e tregon edhe vetë, sa e sa vende të Shqipërisë janë tjetërsuar sot që nga koha kur janë ekspozuar së pari në “Shqip”.

Pas viteve të gjata, erdhën për gazetaren 2 vitet në “Vizion Plus” dhe prej këtij tetori, do ta shohim në “News 24” ku duket se do jetë gjatë sepse nga sa vetë Rudina tregon në intervistë, e sheh jo si rikthim në televizion, por rikthim në ekranin më të besueshëm e në median më ndikuese të shqiptarëve.

Pa hequr dorë kurrë nga dritarja e saj. Ajo në këtë televizion vjen jo më si moderatore e autore, por si botuesja e “Dritare”. Net që sjell “Dritare” me Rudinën çdo të martë në orën 21 nga 9 tetori.

Çfarë mendon se shkakton kaq shumë ndryshime, si këtë vit, në televizione?!

Mendoj se i shkakton kërkimi i lavdisë së humbur. Po është një çështje e vetë televizionit, jo thjesht e televizionit shqiptar. “Netflix” solli një epokë te re. Rrjetet sociale, media dixhitale po rrëmbejnë vëmendjen e shikuesit të dikurshëm. Njerëzit jetojnë pa televizor, jo dot pa celular. Televizioni po kërkon publik në mënyra të tjera. Unë p.sh. lajmet e BBC i ndjek në “Instagram”. Sapo më del video, hyj dhe kontrolloj për të. Në këtë atmosferë, televizioni në Shqipëri po rikërkon veten, po në mënyrën e vet. Çdo televizion po përpiqet të ndryshojë dhe përshtatet.

Për shkak të dritares online, ti nuk i je larguar ndonjëherë aktualitetit, megjithatë ndalove pak dhe ndoshta ke mundur të shohësh emisionet politike me syrin e dikujt që do të ndryshonte diçka. Nga kjo pikëpamje, si do të jetë “Dritarja” e re në “News 24”?

“Dritare” do të jetë e njëjta, ndryshe. E njëjta sepse dritaret një funksion kanë, të sjellin dritë, të sjellin informacion nga jashtë brenda, të përmirësojnë ajrin e dhomës kur hapen. Ndryshe, sepse unë kam ndryshuar në vite. Është viti im i 20 në prime time të televizioneve kryesore ne vend. E nisa një të premte tetori 1998, në studion e madhe të RTSH. Përballë kisha një njeri, mjeshtrin Stefan Gajo. Kur dritat e studios u ndezën dhe Ylli Pepo, tha gati, fillojmë, unë pyeta Naçin: Po unë, si do i mbaj duart? Kanë kaluar plot 20 vjet. Do dal në transmetim më 9 tetor 2018. Me “Dritare”, sërish. Dhe Stefan Gajo do jetë sërish aty. Por unë nuk do e pyes më për duart. Se do rri në këmbë.

Ti e thua dhe e shkruan vazhdimisht që kontributi i secilit, sidomos gazetarëve, do t’i ndryshojë gjërat. Tani që do kesh sërish “Dritare”-n tënde edhe me zë, cili do të jetë kontributi yt?

Unë besoj se kur je gazetar dhe drejton një emision, ai nuk është thjesht emision, është mision. Edhe emisioni më i parashikuar ka audiencën e vet, ka përgjegjësinë e vet, ka njerëzit që e presin dhe presin prej tij. Jo më, kur ke mundësi të bësh lajm dhe sidomos krijosh edhe jehonë për lajmin tënd, siç mund të ndodhë kur je pjesë e një grupi të madh mediatik si tërësia e mediave, ku bënë pjesë “News 24”, “BW”, “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, “Radio Rash”. Kjo ta bën të pamundur të mos ndikosh në jetën e atyre që janë sy e vesh për ty. E di çfarë më bëri shumë përshtypje. Mesazhet e njerëzve në fb e “Dritare”-s, kur shkruani: Mirëserdhe në ekranin tonë. Sepse është ekran i njerëzve besnikë, që e ndjekin në vite dhe çfarëdo lajmi dëgjojnë, sikur është tërmet, thonë; Ktheje te News, të shohim a ka ndodhur. Janë dashur shumë vite, shumë njerëz, shumë punë, të vinte një moment i tillë për këtë media, ndaj jam e lumtur që po i bashkohem me “Dritare”-n time, duke besuar dhe pritur më të mirën të vijë

Fokusi yt nuk ka qenë asnjëherë vetëm politika, a do të jetë sërish turizmi, te i cili ti beson se do të ndikojë në ndryshimin e këtij vendi, i pranishëm?

Unë besoj pafundësisht që dalja nga varfëria e vendit tim, ndryshimi i ekonomisë, punësimi dhe sidomos fundi i braktisjes dhe fillimi i kthimeve do ndodhin paralelisht me zhvillimi e turizmit. Nuk e besoj si përrallë propagande, e besoj si fakt. Kam qenë në kasolle në Valbonë, për të bërë emision në 2003-n dhe Bujar Kokonozi, Elin Kafillari e gjithë stafi i TCH, që më shoqëronte, e mban mend mirë si flinim në një dhomë, ku ngjitur qe bagëtia. Epo kur shkova vite me pas, pronari i bujtinës kishte ndërtuar kompleks hotelesh dhe më tregoi se pas atij emisioni në TCH, ai nuk i përballonte dot më kërkesat. Unë besoj fort te imazhi që krijon media.

Kur më pyesin njerëz të afërt, për një vend që kam treguar në televizion apo online, a duhet të shkojnë, apo e kam treguar me superlativa siç e kam zakon, ju them: Po nuk shkuat ju, si do bëhet ashtu siç e tregoj unë. Sepse zhvillimi është i pashmangshëm, nëse shkojnë njerëz dhe vendet e bukura bëhen vende të vizitueshme, pasi shkon njeriu dhe i njeh e i do. Kjo më ka ndodhur me Durrës – Kavajë, qytete ku emisionet e para në vitet 2002 i kisha në pyetjet: A keni ujë? Po me dritat si i bëhet? E dini çfarë ndodh në 2018-n në këto zona? Çudia. Janë akoma plot skandinavë, kanë punësuar gjithë zonën, kanë vënë të prodhojë gjithë fshatrat përreth. Shqipëria e re, është aty. Ashtu do bëhet Semani, Plazhi i Vjetër, do bëhen agroturizmi, do bëhet Shqipëria e njerëzve punëtorë dhe të mençur që i thotë jo drogës dhe parave të shpejta që sjellin krim dhe vdekje, braktisje dhe mjerim për shumicën.

Ndaj nuk heq kurë dorë së foluri për turizëm dhe jam e lumtur për çdo postim e çdo emision e shkrim të gazetareve, që e duan këtë vend e besojnë si unë, se do ia dalim bashkë duke e kthyer në ar këtë pasuri natyrore e njerëzore që kemi. Funksioni i një mediaje, që e sheh veten si misionar, nuk është vetëm të informojë e kritikojë, por të frymëzojë. Duke treguar histori të vogla, që do sjellin një ditë tregimin tonë të madh për turizmin fantastik të një vendi të vogël.

Si mund të bëhet një emision politik vërtet i dobishëm, pa bërë zhurmuesin shterpë?

Duke e trajtuar si mision, duke e dashur publikun tënd, duke e besuar se ai është i mençur dhe bën diferencën. Duke hapur dritaret. Për njerëz të mençur, për njerëz që duan ketë vend dhe nuk ikin, por përpiqen të ndikojnë në mënyrën e tyre, qoftë edhe duke folur në studio. Ata u kanë ikur studiove tona, sepse nuk e durojnë dot zhurmën e tyre boshe, ata duhen rikthyer, sepse kemi nevojë të përmirësohemi dhe besojmë, jo të shahemi e stimulojmë ulërimat e kaosin. Nëse bërtet dhe stimulon sherrin, do të thotë që ti nuk ke asgjë për të thënë, por shumë për të fshehur, injorancë, padrejtësinë, paratë informale dhe të pamerituara dhe je shërbëtor i së keqes, pandryshueshmërisë dhe pandëshkueshmërisë. Nuk je kurrë gazetar. Gazetarët janë elita e një vendi. Janë ura më e mirë që lidh të pamundurin të reagojë me mundësinë për të folur e përmirësuar vendin.

U bë shumë kohë që në ekranet shqiptare nuk ka më intervista me shkrimtarë dhe filozofë ndërkombëtarë. Çfarë të presim nga kjo fushë?

Unë kam realizuar në “Top Channel” një cikël me pothuaj 40 shkrimtarë, filozofë, përfaqësues të më të mirës bashkëkohore, ndërkombëtare. E kam bërë se doja, e kam bërë se munda, e kam bërë se besoja, e kam bërë se më besuan. I kujtoj me nostalgji kohët kur më shkruanin pas një interviste me Amos Oz, psh, ‘ti ndryshove ditën time’. Apo kur më pyesnin, kur del Houellbecque apo kur Rushdie në “Shqip”. Por besoj se ato do rikthehen sërish. Sepse besoj gjithmonë që ka publik që e kërkon botën t’i flasë shqip. Siç ka publik, që mezi pret telenovelën turke. Ka publik për të gjitha. Duhet vetëm ta njohësh dhe duash publikun tënd dhe të kërkosh ta ushqesh me më të mirën.

A funksionon mirë një çift që bën ekzaktësisht të njëjtën punë? A flisni bashkë për personazhe, ngjarje që do trajtoni, për të shmangur përplasjet?

Ne nuk përplasemi, përballemi, unë me eksperiencën time 25-vjeçare në median e shkruar dhe televizive dhe Dritani me nervin e editorialeve të tij dhe qetësinë e njohjen e thellë të temave historike që trajton, duke dashur të krijojë ishullin e tij të njerëzve të mençur në një “Ora News”. Unë e ndjek dhe e ndiej, ai bën të njëjtën gjë me mua, duke më rrethuar me besim dhe kujdes. Komunikimi është e vetmja mënyrë për të të mbajtur bashkë. Më shumë se sherret, njerëzit i vret heshtja. Ne të dy flasim dhe bëjmë të tjerë të flasin, sepse jemi prindër të një vajze, që duam ta rrisim këtu. Ndaj, kjo “këtu” është jeta jonë. Duam të bëhet një vend më i mirë për vajzën tonë dhe nuk ia del dot të ndikosh kur bën para dhe kujton se i sigurove jetën. Jo, ky është një mashtrim i ëmbël. Po nuk u përpoqe të bësh më të mirën për ambientin jashtë derës tënde, çfarë është jashtë, një ditë vjen brenda.

Çfarë është “News 24” për ty?

Është dritarja ime e re për publikun, është vendi ku më duket se ia nis nga e para, me modesti dhe merak, me kujdes dhe dashuri për të thënë e dhënë më të mirën e eksperiencës sime të primetime në 20 vjet në ekranet kryesore shqiptare. Dhe e gjej të lehtë, se e pashë veten menjëherë të rrethuar nga një staf njerëzish që nuk bërtasin, por punojnë, që janë të gatshëm të punojnë me ty, si për vete, që nuk të shohin si “erdhi kjo”, po sa mirë që erdhe, do jemi bashkë! Erdha në “News”, në ditët me të mira të këtij televizioni, për t’u bashkuar me një grup gazetarësh, që sikur janë vënë me dorë të gjithë bashkë në këtë çast.

Do të punoj me Fatos Lubonjën, Andi Bushatin, Adi Krastën, Ylli Rakipin, Andi Telën, Arjon Sulon, Robert Rakipllarin, Erl Muratin, Anila Jolen, Klodiana Lalën dhe të tjerë që po i njoh e takoj rrugës. Nuk mund të prisja më shumë se kaq. Ky është vërtet një grup i pazakontë ndikues mediatik. Dhe ajo çfarë me çuditi, sepse nuk e dija, ishte profili i liderit të grupit mediatike, Irfan Hysenbelliu, që është motivues dhe përkrahës, i tillë sa unë vetëm Tanin e “Top”-it kam njohur.

Më duket sikur po rikthehem pas në kohërat e arta të punës në grup, që e bëri një televizion të ri si “Top”-i, dashurinë e madhe të mbarë shqiptarëve. Është kohë tjetër dhe rregulla të reja loje, po një gjë nuk ndryshon: nëse e do televizionin, edhe ai do të të dojë. Nëse e përdor televizionin, ai do të të përdorë ty. Mezi po pres të filloj në tetor, në një ekran të dashur për shqiptarët.

Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb