PSG vijon të dominojë në Francë. Me ose pa Kylian Mbappe, skuadra e teknikut Luis Enrique vijon të mos ketë rival në Ligue 1. Këtë sezon të gjithë ata që menduan se kampionët francezë me ikjen e “yllit” të ekipit Mbappe drejt Real Madrid do të dobësoheshin, gabohen rëndë. Skuadra pa Mbappe duket se është më kompakte dhe lojtarët luajnë lirisht me njëri tjeterin. Për momentin liderin e skuadrës e ka marrë përsipër ta bëjë Osmane Dembele.
Edhe në sfidën e kësaj fundjave ish sulmuesi i Barcelonës realizoi dy herë për fitoren e parizienëve 3-1 me përmbysje ndaj Brest. 12 pikë në 4 javë dhe kreu i renditjes për momentin është pronë e PSG. Monaco dhe Marsei janë ndjekësit më të afërt e sidomos këta të fundit shihen nga specialistët se mund të jenë skuadra e vetme që mund të rivalizojë deri në fund PSG-në.
Skuadra e drejtuar nga De Zerbi ka potencialin të garojë pse jo edhe për titull teksa së fundi ekipit i’u shtua edhe një lojtar shumë i rëndësishëm. Adrien Rabiot ish mesfushori bardhezi pasi nuk gjeti gjuhën e bashkëpunimit për rinovimin e kontratës me Juventus, mbeti një lojtar i lirë për afro gjithë kohëzgjatjen e merkatos.
Ai ishte objektivi i shumë skuadrave mes të cilave Milan, Gallatasaray apo Atletico Madrid, por në fund mesfushori i ‘Gjelave” do të rikthehet në Francë, por këtë herë për të veshur fanellën e rivalëve të PSG. Me ardhjen e Rabiot në skuadër, De Zerbi do të ketë jo vetëm një futbollist me shumë kualitet por edhe më shumë mundësi zgjedhje në formacion. Për momentin skuadra e Marsei është e pozicionuar në vendin e dytë të renditjes me 10 pikë së bashku me Monaco.