TIRANË- Psikologia e emisionit “Me zemër të hapur”, Katerina Mullallai ka rrëfyer vetë sot në këtë program në News24 incidentin e rëndë që ndodhi në mitingun e PD-së ku edhe vetë mbeti ‘viktimë’ e helmimit, ende të pazbardhur.


Ajo ka dhënë detaje nga ngjarja, duke pohuar se helmi është hedhur para podiumit, ndërsa ata që ishin në pjesën e pasme ishin më të prekurit. Mes tyre, në radhën e parë ka qenë edhe ajo vetë. Katerina ka folur edhe për mbështetjen nga përfaqësues të PD-së.


Çfarë mban mend nga mitingu, kë kishe pranë?
Ishin njerëzit e mi, miqtë e mi. ishte një vajzë e vogël 6-vjeçare, edhe për atë më thanë se ishte rëndë. Përveç simptomave që ndjeva, djegie, ndihesha pak e lodhur, por mendova se ishte për shkak të aktiviteteve gjatë ditës.


Pe diçka të dyshimtë?
Jo, s’kam parë njeri të dyshimtë. Personat më të dëmtuar ishin personat që ishin pas podiumit, ku unë isha e para. Ata që ishin pas kanë lëndime në shpinë. Nuk jam eksperte por me sa kam kuptuar, një zonjë që ishte me mua në dhomë kishte probleme më shumë me shpinën.

U mendua për një helm që është hedhur, hipoteza të ndryshme. I bie që diçka është hedhur në pjesën para podiumit.

Çfarë të thanë mjekët për gjendjen aktuale?
Kur kam mbërritur në spital, unë kam dashur të largohem, por mjekët nuk donin të më linin duke më thënë se isha rëndë. Po nuk po shikoja asgjë, nuk isha mirë dhe u shtrova. Dëgjova nga doktorët që thoshin se kjo goca është në gjendje të rëndë dhe badigardi i zotit Basha. Nuk e di se si mediat e kanë transmetuar por kemi qenë në gjendje shumë të rëndë.

A iu kanë komunikuar ndonjë informacion nga policia?
Organet përkatëse nuk na kanë thënë asgjë për çfarë na ka ndodhur. Ky ishte një kërcënim, dhunë në formën e vet.

Ke dhënë shpjegime?
Duke qenë se isha në gjendje të rëndë, kam dhënë një shpjegim 5 minutësh dhe kam vënë firmën ndoshta në mënyrë të pavullnetshme sepse po humbja ndjenjat.

Ju kanë vizituar në spital?
Ishin të gjithë miqtë e mi të PD-së, miket e mia, familjarët e mi. Nuk e prisja që nga PD të kisha mbështetje kaq të madhe.

Kush ka qenë pranë jush?
Të gjithë janë interesuar, miku im Ervin Salianji, Ervin Kapllani. Zonja Grida Duma është interesuar shumë. Mbështetja ishte shumë e madhe. Qenka shumë e rëndësishme gjendja psikologjike.

(m.k/BalkanWeb)