TIRANË- Publikohet videoja e grabitjes së bankës në kryeqytet. Ngjarja ndodhi të premten në filialin e një banke të nivelit të dytë pranë stacionit të trenit në Tiranë.

Në video shfaqen 4 grabitës të maskuar që transportojnë thasët me para. Autorët vrapojnë dhe largojnë personat që janë në rrugë, duke qëlluar një prej tyre, që mesa duket është roja. Grabitësit kanë qëlluar në ajër,me armë zjarri teksa janë larguar nga banka dhe një prej punonjësve të sigurisë e kanë kërcënuar me armë. Nga pamjet dhe lëvizjet e grabitësve duket se vjedhja është e mirëmenduar.

Autorët kanë zgjedhur kohën kur punonjësit e sigurisë po transportonin paratë nga banka në automjet, në orën 12:44 minuta. Nga drejtuesit e bankës është deklaruar se shuma e grabitur është 10 mln lekë të reja.

POLICIA: SHUMA E GRABITUR, 300 MIJË EURO
Policia e Tiranës ka zbardhur sot detaje të reja nga grabitja në bankën e nivelit të dytë. Blutë e kryeqytetit saktësojnë se shuma e saktë e grabitur në total është 300 mijë euro.

Po sipas të njëjtave burime, 4 thasët e grabitur kishin brenda monedha në euro, dollarë por edhe lekë, që në total kapin shifrën e 300 mijë eurove.

Polcia dyshon se autorët kanë pasur informacione për lëvizjen e parave. Nisur nga ky fakt polica po heton për gjetjen e ndonjë informatori brenda bankës dhe SHRSF-së.

POLICIA ARRESTON 6 PUNONJËS SIGURIE TË SHOQËRIMIT TË PARAVE

Në vijim të hetimeve për zbardhjen e vjedhjes me armë të “Union Bank”, mesditën e së premtes efektivët e policisë së Seksionit Kundër Krimeve ndaj jetës dhe Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë kanë bërë ndalimin e 6 punonjësve të sigurisë së ruajtjes së bankës, të cilët akuzohen për “Shpërdorim detyre”.

TË ARRESTUAR:

Isuf Gjici, 55 vjeç;

Artan Dervishi, 43 vjeç;

Dritan Duka, 24 vjeç;

Saimir Nikoçi, 32 vjeç;

Ilir Syla, 45 vjeç;

Tomorr Hidri, 42 vjeç;

Ndalimi i tyre u bë për  shpërdorim detyre pasi: Tre persona të maskuar e nën kërcënimin e armëve, duke qëlluar në ajër, i kanë çarmatosur dhe kanë vjedhur bankën “Union Bank”, duke marrë shumën e parave në 4 thasë dhe janë larguar me mjetin tip “Land Rover”, me targë AA 105 IV, pronë e kompanisë së sigurimit. Personat e maskuar dhe të armatosur  kanë braktisur automjetin në rrugën “Sulejman Vathi” dhe janë larguar me një automjet tjetër.

Me cilësinë e provës materiale në vendngjarje u gjetën dhe bllokuan 3 copë gëzhoja model-56, kalibër 7.62, si dhe mjetin tip “Land Rover”, me targë AA 105 IV. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan për veprime  të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ndërkaq policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

(m.k/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: