Ish-presidenti katalanas Carles Puigdemont do të jetë kandidat për grupin politik ‘Së bashku për Katalonjën’ në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, pavarësisht se qeveria spanjolle e konsideron atë si refugjat.


Grupi separatist, i cili i përket Partisë Demokratike Evropiane të Katalonisë (PDeCAT), njoftoi se Puigdemony do të jetë kandidati kryesor i saj për zgjedhjet e PE më 26 maj. PDeCat aktualisht ka një deputet në Parlamentin Evropian, sipas Associated Press.


“Është koha për të bërë një hap të ri përpara dhe për të ndërkombëtarizuar të drejtën e Katalonisë për vetëvendosje: të drejtën nga zemra e Evropës në të gjithë botën”, tha Puigdemont dje  në Twitter.


Tani nuk është e qartë nëse Spanja mund të bllokojë kandidaturën e Puigdemont për PE ose nëse qeveria socialiste e Spanjës do të donte ta bënte këtë pasi përpiqet të qëndrojë në pushtet pas zgjedhjeve parlamentare të 28 prillit. Puigdemont, 56-vjeç, bëri një përpjekje për të ndarë Katalonjën nga Spanja në 2017 dhe, pas një referendumi të paligjshëm mbi pavarësinë e Katalonisë, iku në Belgjikë për të shmangur arrestimin.

Gjykata e Lartë e Spanjës në korrik 2018 bëri kërkesë për ekstradimin e gjashtë separatistëve katalanë të akuzuar për trazira, duke përfshirë Puigdemont dhe tërhoqi fletarrestin ndërkombëtar për arrestimin e tyre.

Gjykata në Gjermani, ku Puigdemont kaloi disa kohë në paraburgim, vendosi që ai nuk mund të dërgohej në Spanjë në bazë të akuzave për kryengritje dhe nxitje për rebelim, por vetëm për shkak të keqpërdorimit të fondeve publike, për të cilat akuzohet nga prokuroria spanjolle.