NGA ARMIR MEHAJ*

PUKË- Një tjetër rast tronditës i dhunës në familje shënohet në rrethin e Pukës. Historia rrëqethëse vjen nga fshati Fierzë i komunës me të njëjtin emër në rrethin e Pukës, ku   djali nuk kursen dhunën ndaj nënës së tij të moshuar.

Lajmi është konfirmuar nga Policia e Pukës që ka arrestuar 41-vjeçarin Vladimir Kola, i cili paturpësisht ka nxjerrë nga banesa të ëmën duke mos kursyer dhe dhunën fizike ndaj saj.

Ka  qenë  62-vjeçarja, e cila mësohet të ketë pohuar para bluve të Pukës se pasi i biri e  kishte nxjerrë nga banesa e ka qëlluar disa herë me shuplaka ndërsa e kërcënonte vazhdimisht duke ushtruar dhe dhunë psikologjike ndaj saj.

Historia rrëqethëse me objekt dhunën e djalit ndaj nënës e para e këtij lloji e shënuar   në rrethin e Pukës, duket se nuk ka përfunduar me kaq pasi 41- vjeçari Kola ka kanosur  me sëpatë edhe vëllain e tij,  i cili kishte ndërhyrë në situatën e krijuar.

Policia e Pukës, e cila ndërhyri në kohë rekord bëri të ditur se ndaj Vladimir Kolës  rëndon vepra penale e dhunës në familje dhe kanosjes. Kushtet ekonomike në të cilat fatkeqësisht jetojnë shumë familje në veriun e Shqipërisë janë kthyer në shkakun kryesor të dhunës, ndërsa mungesa e organizatave që operojnë në këtë drejtim por dhe puna minimale e strukturave të shtetit po thellojnë frikshëm bilancet e këtij fenomeni, i cili  vijon të mbetet i izoluar për shkak dhe të mentalitetit. Në rrethin e Pukës por dhe në shumë fshatra të Veriut të vendit shumë vajza të dhunuara nga baballarët, shumë bashkëshorte të dhunuara nga burrat por dhe nëna që përjetojnë dhunën e të bijve vijojnë të mbajnë të fshehtë dhunën në familje si pasoje e mentalitetit rural dhe dhunës se  denoncimet në organet ligjzbatuese mund tu shkaktojnë pasoja me të rënda si prishjen e familjes, divorcet, apo dhe  drejtimin e armëve mbi ta.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: