NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Dramat sociale në rrethin e Pukës nuk kanë të sosur. Janë dhjetëra e dhjetëra familje pa strehë e në vështirësi për të siguruar edhe bukën e gojës. Sikur të mos mjaftonte dhimbja e sëmundjes nga e cila vuan, Xhevit Lluka, një i sëmurë me Poliomielit, babai i katër fëmijëve sot vuan dhe nga varfëria ekstreme më të cilën fati ja solli të përballet ai dhe familja e tij.

Familja me gjashtë anëtarë në qytetin e Pukës, prej 5 ditësh jeton nën qiell të hapur. Banesa kur një familje pukjane i kishte lënë për mirësi prej 15 vitesh tashmë u desh të lëshohej duke shuar shpresat e kësaj familje për një zgjidhje tjetër.

Xhavit Lluka, bashkëshortja e tij dhe 4 fëmijët e tyre të mitur mbajnë frymën gjallë me 9400 lekë të reja në muaj, të cilat i zoti i shtëpisë i merr si ndihmë paaftësie.
Situata e dhimbshme tashmë shoqërohet veç me lot trishtimi, nëpër të cilët vjen dhe apeli drithërues për ndihmë.

“Kemi jetuar prej 15 vitesh në një banesë ku na kishin lënë për mirësi, tani ishte momenti ta lëshonim duke dalë mes katër rrugëve siç po na shikoni. Jam në hall të madh, nuk gjej dot një zgjidhje, Ju lutem më ndihmoni”, shprehet Xhaviti mes lotësh që nuk kanë të ndalur.

Edhe bashkëshortja e tij një e sëmurë me poliomielit teksa qan me dënesë thotë se ajo është e gatshme të qëndrojë pa ngrënë vetëm të mbarojë ky makth për katër vocërraket e saj. Deri sa dikush të mendojë për strehimin e tyre, familja Lluka do të qëndrojë me qiellin për çati, mes katër rrugësh jetojnë traumën e fatit për të ardhmen e tyre.
Për ndihmë ndaj kësaj familje mund të kontaktoni në numrin +355 68 20 31 657.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb