PUKË – Ambasadori amerikan Alexander A. Arvizu është pritur sot me valle tradicionale në qytetin e Pukës nga fëmijët e Qëndrës Kulturore. Ai ka hapur atje Panairin e Shëndetit ku dhe ka dhënë një këshillë: “Nëse doni të bëni një ndryshim për shëndetin tuaj, do t’ju nxisja të lini duhanin”.


Arvizu, në fjalën e rastit ka përgëzuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Korpusin e Vullnetarëve të Paqes për promovimin e jetesës së shëndetshme nëpërmjet këtij panairi.


“Ky aktivitet është për ju, prandaj dua t’ju nxis të gjithëve që të zbuloni stendat dhe të bëni pyetje, në mënyrë që të mësoni si mund të parandaloni sëmundjet dhe të përmirësoni shëndetin tuaj dhe të familjarëve tuaj. Dhe nëse doni të bëni një ndryshim për shëndetin tuaj, atëherë unë do t’ju nxisja që të lini duhanin,” – ka thënë ai.


Ambasadori shprehu mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve të Pukës për mikpritjen e ngrohtë, vlerësoi bukurinë dhe burimet natyrore të qytetit, dhe nxiti qytetarët për të punuar së bashku për të kapërcyer pengesat që mund të dalin përpara, e të gjejnë mënyra për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqënien e komunitetit të tyre.