TIRANE- Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë sot në dorëzimin e vulës së cilësisë Kompanisë “Rea’s” në Xhafzotaj (Shijak), e cila e ushtron aktivitetin e saj në fushën e shpendarisë. Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti si dhe drejtues vendorë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit vlerësoi investimin e kryer në këtë sipërmarrje dhe shprehu angazhimin e institucioneve shtetërore për mbështetje me qëllim rritjen e kapaciteteve prodhuese.

“Është kënaqësi e veçantë që unë të jem sot këtu sëbashku me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Profesor Panaritin për të dorëzuar vulën e cilësisë që Ministria i jep kësaj sipërmarrjeje për shkak të standardeve të jashtëzakonshme të niveleve evropiane që ju garantoni, për shkak të sigurisë, për shkak të cilësisë. Kjo teknologji kaq e zhvilluar që ju përdorni për zhvillimin e shpendarisë, si në drejtim të prodhimit të vezëve, ashtu edhe për prodhimin për mish, padyshim që meriton mbështetjen më të madhe nga ana e Ministrisë, nga ana e shtetit dhe nga të gjithë. Dhe sidomos do të thosha dhe nga vetë konsumatorët të cilët kërkojnë prodhime të sigurta, prodhime të vendit, prodhime të cilat në radhë të parë garantojnë kushte higjeno-sanitare dhe mbrojnë shëndetin e tyre”, tha z. Meta.

Z. Ilir Meta përgëzoi dhe punën e kryer deri më tani për të rikthyer besimin tek partnerët tanë në mënyrë që së shpejti të fillojë edhe eksporti i vezëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian.

“Unë dua të shpreh vlerësimin më të madh për punën e mrekullueshme që ju keni bërë për këtë investim të standardeve evropiane, ashtu sikurse dua të përgëzoj edhe Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për punën shumë të mirë që ka bërë, për të rikthyer besimin tek partnerët tanë, sidomos evropianë, në mënyrë që së shpejti të fillojë edhe eksporti i vezëve në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian, gjë që do të bëjë të mundur dyfishim e kapacitetit prodhues në një kohë të shpejtë të vezëve në vendin tonë, siç e tha edhe Ministri Panariti nga 300 milionë në 600 milionë kokrra vezë”, tha z. Meta duke shtuar se njëkohësisht do të sigurohet edhe një mundësi e shkëlqyer për të fituar nga eksporti për këto kompani, por edhe për ekonominë tonë kombëtare sepse një nga sfidat tona kryesore padyshim është përmbysja e raporteve midis importit dhe eksporteve. “Prandaj e meriton kompania “Rea’s” këtë mbështetje, këtë vlerësim, prandaj e meritojnë të gjithë sipërmarrësit në këtë fushë, në fushën e ushqimit këtë përkrahje, sidomos ata në fushën e sektorit të shpendarisë. Ne i kemi të gjitha mundësitë, i kemi të gjitha resurset. Me më shumë mbështetje nga ana e shtetit, nga ana e

Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, jam i bindur që shumë shpejt Shqipëria do të ketë një burim shumë të mirë të të ardhurave nga eksporti në drejtim të vezëve dhe të shpendarisë, ashtu sikurse edhe në shumë fusha të tjera”, theksoi z. Meta.

Z. Ilir Meta tha se vizioni i qeverisë “Rama” dhe njëkohësisht vizioni i Ministrit Panariti është shumë i qartë, për ta shndërruar bujqësinë në një motor kryesor dhe të sigurtë të rritjes ekonomike në vend dhe njëkohësisht në rritjen e punësimit.

“Unë jam i bindur se jemi në rrugën më të drejtë. Është një kënaqësi e veçantë për mua që t’i dorëzoj sot dy aksionerëve të kompanisë “Rea’s”, z. Eduard Bregu dhe z. Muim Zeqaj vulën e cilësisë së Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe do të jap mbështetjen time maksimale për këtë sektor të shpendarisë. Padyshim edhe si Kryetar Kuvendi, edhe si politikan, edhe si një mik i bujqësisë dhe i ushqimit, por edhe si një konsumator. Dua të them se një nga sekretet e suksesit tim për rënien nga pesha dhe i dietës sime është se e filloj mëngjesin me një vezë të zier dhe përfundoj me pak mish pule të bardhë në darkë dhe është një kontribut i rëndësishëm për të pasur një dietë të suksesshme. Aq më tepër kur janë produkte të sigurta, bio, të garantuara, të certifikuara dhe jo vetëm kaq, por edhe të gatshme për eksport, për të qenë një prodhim “Made in Albania”, gjë që është shumë e rëndësishme. Sepse në rast se nuk do të prodhojmë vezë, nuk do të eksportojmë vezë. Sigurisht që nuk e kemi kaq të thjeshtë që të prodhojmë makina dhe të eksportojmë makina. Këto janë punë që i kanë bërë edhe të parët tanë, i kanë bërë edhe prindërit tanë , edhe gjyshërit tanë dhe përse të mos i bëjmë me kaq sukses?!”, tha z. Meta, ndërsa theksoi se kompania “Rea’s” është një model suksesi në këtë drejtim dhe meriton mirënjohje të thellë. “Të gjithë kompanitë në këtë fushë do të kenë mbështetjen tonë në mënyrë që zhvillimi i shpendarisë të jetë një burim i rëndësishëm i rritjes ekonomike të vendit, i rritjes së eksporteve dhe i rritjes së punësimit . Dhe jo vetëm kaq, por edhe një garanci e plotë në ndihmë të konsumatorëve, të shëndetit të tyre, gjë që është kryesore. Prandaj do të doja t’ia dorëzoja Edit vulën e cilësisë, t’i uroj suksese. Sikurse tha Ministri Panariti, kjo kompani tashmë i ka lidhur kontratat apo parakontratat me partnerët e saj evropianë. Ministria tashmë pothuajse i ka zgjidhur të gjitha pengesat e deritanishme për të hapur tregjet evropiane dhe sigurisht që do të jetë e shpejtë dita kur këto produkte, këto vezë do të shkojnë edhe në tregun gjerman dhe në të gjithë tregun e Bashkimit Evropian dhe do të ndjehemi mirë kur të shikojmë atje vezë të tilla, vezë “Made in Albania””, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, z. Edmond Panariti shprehu vlerësimin për investimin e kryer,ndërsa theksoi se plotësohen më së miri nevojat e vendit duke prodhuar në total rreth 300 milionë kokrra vezë në vit në total në të gjithë Shqipërinë.

“Vetë kompania në fjalë ka një kapacitet prodhues që shkon në 65 milionë kokrra vezë në vit dhe kjo kuotë prodhimi ka ardhur duke u shtuar vit pas viti dhe ka potenciale akoma më të mëdha për ta zgjeruar këtë prodhimtari të vezëve edhe përballë faktit që ka një interes të shtuar për të eksportuar. Një nga arsyet e pranisë tonë në këtë sipërmarrje është për të certifikuar që kjo ndërmarrje plotëson më së miri standardet më të larta të cilësisë dhe të sigurisë së prodhimit të vezëve të një teknologjie të avancuar. Duke e mbyllur ciklin e prodhimit, kjo ndërmarrje e prodhon ushqimin brenda saj, e certifikon, e kontrollon sipas të gjitha parametrave më të larta të cilësisë dhe të sigurisë, ka një teknologji të avancuar të rritjes dhe të mbarështimit të shpendëve, duke respektuar edhe kriteret evropiane të sipërfaqes që kërkon çdo shpend për t’u mbarështuar dhe për rrjedhojë plotëson më së miri kriteret më të avancuara që kërkon BE-ja”, tha z. Panariti.

Z. Edmond Panariti u shpreh se Instituti i Sigurisë Ushqimore, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave garanton se kjo sipërmarrje zbaton të gjitha kriteret e kërkuara në monitorimin për sëmundje infektive. “Kemi planin për kontrollin e Salmonelës, kemi Planin Kombëtar për kontrollin e mbetjeve dhe garantohet që prodhimi i kësaj sipërmarrje është bio”, tha z. Panariti.

“Ajo qene synojmë edhe me këtë certifikatë që është vula e cilësisë që Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u jep sipërmarrjeve të suksesshme, është që së shpejti të hapin eksportet për vezët në Bashkimin

evropian. Misioni i parë i ardhur nga Brukseli nga Zyra qendrore e Veterinarisë e cila dha një lajm shumë pozitiv të cilin shpresojmë që të na konfirmohet edhe në misionin e dytë dhe pularia dhe prodhimi i vezëve të Shqipërisë do të njohë një perspektivë të re sepse do të dalë në tregjet evropiane”, tha z. Panariti duke shtuar se nuk do të jetë e largët dita kur nga 300 milionë kokrra vezë në vit, që është prodhimi vjetor i të gjithë Shqipërisë, të shkojë në 600 milionë sepse këto janë ende potenciale të mëdha dhe të pashfrytëzuara që do të bëhen realitet me hapjen së shpejti të eksporteve.

“Sektori i shpendarisë do të zhvillohet jo vetëm për vezë, por edhe për mish. Ne kemi investuar në këtë drejtim për të inkurajuar investimet vendase dhe të huaja për të shtuar shpendët për mish. Ky vit do të jetë viti i blegtorisë, përpos faktit që sektorë të tjerë të bujqësisë si pemëtaria dhe perimet po zhvillohen intensivisht”, tha z. Panariti.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: