Nga zonja Katerina
Perbërësit

1 pulë, 350-400 gr arra, 1 qepë e thatë, 1 lugë kurkuma, 1-2 lgj vaj ulliri, 1 lgj koncentrat perimesh, 2-3 filxhanë lëng pule
2 lgj lëng limoni, 1 filxhan pekmez (shege, rrushi, thane), 2 filxhanë oriz basmati, 4 filxhanë ujë, 1 lgj vaj, Kripë, piper
Dafinë, rozmarinë, Lëkurë limoni.

Përgatitja

Fillimisht përgatisim pulën me arra. Vendosim 1 litër ujë të vlojë. Lajmë pulën mirë dhe e vendosim në tenxhere dhe sapo uji të vlojë hedhim kripë dhe e lemë pulën të ziejë mirë.

Pasi pula është zier e largojmë nga soba dhe e lemë të ftohet në mënyrë që më pas ta pastrojmë nga kockat dhe ta copëtojmë.

Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit dhe kaurdisim qepën e grirë hollë për 2-3 minuta. Më pas shtojmë arrat të grira në blender dhe vazhdojmë kaurdisjen. Shtojmë dhe kurkurmën dhe më pas lëngun e kulluar të pulës, koncentratin e perimeve, pekmezin, pak lëng limoni dhe pulën e copëtuar. E lemë gatimin në temperaturë të ulët të lidhet dhe mishi të aromatozhet për 15 minuta.

Ndërkohë përgatisim orizin basmati. E lajmë mirë orizin 2-3 herë dhe më pas e kullojmë. Vendosim një tenxhere me ujë (masa 1 me 2) dhe sapo uji të marrë valë shtojmë 1 lugë vaj, kripë, 1-2 gjethe dafine, rozmarinë dhe lëkurë limoni. Shtojmë dhe orizin dhe e lemë të ziejë për 15 minuta në temperaturë mesatare. Fikim sobën, heqim kapakun, e mbulojmë orizin me një pecetë dhe lemë të pushojë për 5 minuta dhe më pas e kemi gati për ta servirur me pulën me arra.

(Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb