NGA ZONJA VJOLLCA
Përbërësit

1 pulë 1-1.2 kg
1 lç kumin
2 thelpinj hudhër
1 kokërr limon
½ lk piper djegës
2 lgj piper i kuq i ëmbël
350 gr speca të kuq
3 qepë mesatare
4 lgj vaj ulliri
400 ml lëng pule
350 ml salcë kosi
2 lgj salcë domate
2 lgj miell
20 domate qershi
Kripë, piper i zi
Përgatitja
Fillimisht presim pulën në porcione.
Në një tas vendosim pak kripë, një lugë çaji kumin, një lugë lëkurë limoni, specin djegës, piperin e kuq të ëmbël, piperin e zi dhe 2-3 lugë gjelle ujë. E trazojmë mirë derisa të na krijohet një salcë homogjene. Me këtë salcë lyejmë copat e pulës, i vendosim në një tas i mbulojmë mirë dhe i vendosim në frigorifer për 2 orë të marinohen.
Ndërkohë presim qepën në kubikë të vegjël ndërsa specat i presim në copa më të mëdha. Në një tigan ngrohim vajin dhe skuqim copat e pulës derisa ato të marrin një ngjyrë të verdhë. Në po atë yndyrë shtojmë dhe një lugë vaj dhe kaurdisim qepën së bashku me hudhrën. Sapo qepa të marrë pak ngjyrë shtojmë specat dhe i kaurdisim së bashku për 3 minuta, më pas vendosim copat e pulës në tiganin me qepë dhe speca duke shtuar dhe 400 ml lëng pule. E vendosim tavën në furrë në temperaturën 200 gradë Celsius për 30 minuta.
Përziejmë kosin me salcën e domates, me pak kripë, pak miell dhe 100 ml ujë ose lëng pule. Pasi të kalojë tava 30 minuta në furrë shtojmë kosin e trazuar me salcë dhe domate qershi. E rregullojmë gatimin me kripë dhe piper, e trazojmë mirë dhe e rivendosim në furrë dhe për 15 minuta të tjera. E shërbejmë më pas të shoqëruar me pak oriz.

(da.xha/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb