Nga: ZONJA VJOLLCA*
500 gr fileto pule
2 kokrra vezë
100 gr miell
100 gr peksimadhe
40 gr susam
2 lugë gjelle vaj

Për salcën:
4 kokrra portokalle
15 gr xhinxhër
2 thelpinj hudhër
2 lugë gjelle salcë soje
1 lugë gjelle sheqer kaf
1 lugë gjelle niseshte
Kripë
Piper i zi
2 qepë të njoma

Fillimisht parangrohim furrën në temperaturën 200 gradë Celsius. Presim filetot e pulës në copa mesatare dhe vendosim tre tasa: një me miell, një me vezë, kripë dhe piper dhe tjetrin me peksimadhe. I kalojmë filetot fillimisht në miell, më pas në vezë dhe në fund në peksimadhe dhe i vendosim në një tavë ku kemi vendosur një letër kuzhine të lyer me pak vaj. I vendosim në furrën e parangrohur në temperaturën 200 gradë Celsius për 25-30 minuta. Ndërkohë përgatisim salcën shoqëruese. Shtydhim portokallet dhe lëkurën e një portokalli e grijmë në rende. Vendosim tenxheren në zjarr me lëngun e portokallit, lëkuren një portokalli të grirë në rende, xhinxhërën e grirë imët gjithashtu në rende, dy thelpinjtë e hudhrës, sheqerin kaf dhe salcën e sojës. I trazojmë mirë dhe i lëmë të ziejnë në zjarr të ulët për 20 minuta. Në fund të këtij minutazhi shtojmë piperin e zi dhe niseshten të holluar me pak ujë të ftohtë. E trazojmë salcën mirë dhe e lëmë për 1 minut në vlim të trashet paksa. Në një tigan kaurdisim për 2-3 minuta farat e susamit sa ato të fillojnë të zverdhen pak. Më pas servirim filetot e pulës me salcën e portokallit duke i pudrosur në fund me qepë të njomë të grirë hollë dhe fara susami. Sipas dëshirës këtë recetë mund ta servirim dhe me pak oriz.

(ma.ar/Vila24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb