Në emisionin “Open” në News24 janë trajtuar ngjarjet kyçe të vitit 2024, ku SPAK duket se ka pasur një rol kryesor, veçanërisht përsa i takon arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndjekjes penale ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha, i cili akuzohet për korrupsion, apo hetimeve për Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Gazetarja e News24, Klodiana Lala, tha se SPAK ka dy fusha ku vepron: luftën ndaj korrupsionin në nivele të larta dhe luftën ndaj krimit të organizuar.
Lala tha se ndaj krimit të organizuar kemi një luftë frontale. “Mbi bazën e të dhënave nga partnerët ndërkombëtarë kemi një luftë të grupeve kriminale në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan.
Ka një panoramë të qartë të lidhjeve të krimit me politikën, apo se ku investohen paratë e krimit, përfshi edhe lingotat e arit. Sa i takon korrupsionit, nuk e mas punën e SPAK nëse ka goditur majtas apo djathtas.
Në 1 vit e gjysëm, SPAK ka goditur njerëz të njohur të politikës, i ka nën akuzë apo nën hetim, duke nisur me Sali Berishën, Ilir Metën, Ilir Beqajn, Ervis Berberin, kryebashkiakun e Tiranës, etj. Por a do të arrijë SPAK të kalojë edhe testin e çështjeve të rëndësishme, sikundër është ajo e inceneratorëve?”, tha Lala.
Sipas saj, çështja e inceneratorëve është një gur prove. Po kështu, gazetarja Lala, tha se kemi konçensionin e sterilizimit, që po konsiderohet si grup i strukturuar kriminal, dhe kreu i grupit cilësohet Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë. Ajo tha se SPAK ka përballuar një seri sulmesh që i kanë ardhur nga segmente të caktuara.
(BalkanWeb)