NGA: Fatos Çoçoli
Edhe pse nuk ka një studim të mirëfilltë, në tetor 1996, numri i kryefamiljarëve që në periudhën prill 1994-shtator 1996 kishin shitur shtëpitë për t’i vendosur paratë e tyre në skemat piramidale të kompanive si “Sudja”, “Populli”, “Vefa”, “Gjallica” etj., nga një studim i një instituti joqeveritar, shifra e përafërt (dalë nga anketa të institutit) shkon në 13 mijë vetë. Pra, rezultuan 13 mijë kryefamiljarë, “të punësuar” nën ethet e Eldorados së fajdeve shqiptare për të shkatërruar familjet e tyre! Sot, 22 vite më vonë, kemi ethet e basteve, kemi bastomaninë! “E ç’të keqe ka të vësh një bast sportiv?”, mund të pyesë shumëkush. Asnjë të keqe. Por, jo kur kthehet në qëllim jete.

Jo kur arrin aty ethja, sa roja i fabrikës të vërë në bast gjithë rrogën e muajit dhe në kushte depresioni, të hidhet nga maja e oxhakut të saj, duke i dhënë fund jetës! Shumica e atyre familjeve që kishin vënë “bast” shtëpitë e tyre në ethet piramidale të viteve 1995-1996, nuk i pa më paratë e shtëpive të tyre të ktheheshin. Sot, pikat e basteve dhe qendrat e lojërave të fatit janë shtuar tri herë brenda 24 muajve! Duke shkatërruar mijëra ëndrra të pastra për sukses në jetë, duke thithur energjinë dhe shpresat jo vetëm të të rinjve tanë që mblidhen aty si mizat rreth kalit të ngordhur, por edhe mesoburra e të moshuar! Krahas rekordit botëror në numrin e bar-kafeneve, duke ia kaluar edhe Spanjës (654 bar-kafene për 100 mijë banorë), kemi thyer edhe rekordin e pikave të basteve për 100 mijë banorë! Na e kalojnë për numrin e lojërave të fatit në një sipërfaqe mbi 1000 ha vetëm Monte Karlo dhe Las Vegas. Për fatin e keq të të gjithëve ne, në 12 kompanitë më të mëdha private në Shqipëri, që kanë më shumë se 1000 punëtorë, tri janë kompani të lojërave të fatit.

Fitimi i deklaruar, jo ai informal, në një vit si 2017-a, pa ngjarje të mëdha sportive si, për shembull, Kupa e Botës në futboll, arriti në 18 milionë euro në vit. Duke pasur parasysh evazionin e lartë të sektorit, fitimi duhet të ketë qenë rreth 4 herë më shumë, pra aty tek 70-75 milionë euro. Për këtë vit, me ethet e “Botërorit 2018” në Rusi që sapo i kaluam, fitimi parashikohet mbi 120 milionë euro! Kjo është ekonomia jonë parazitare, përtace dhe primitive, ku njerëzit nuk punojnë, por… luajnë. Vënë baste nëpër loto, diskutojnë gjithë ditën për shanset e fitores, mes një gote raki, dy krikllave birrë apo 5 qofteve.

Në vend që paratë e shqiptarëve të kanalizohen në sektorë prodhues e premtues për shërbimet, si turizmi, agro-turizmi, produktet bujqësore për eksport etj., shumica shkojnë në të 6700 pikat e lojërave të fatit, të përhapura në të gjithë trupin e vendit, si çibanë të shëmtuar. Këto pika thithin edhe shpresën e fundit për energji pozitive dhe nisma biznesi, ku protagonistë të jenë të rinjtë. Në të kundërt: këta mësohen të fitojnë para duke… hedhur zare! Zarin elektronik të kryqeve tek skedina e lotos, të bastit sportiv apo të ruletës. Dhe të gjithë e dinë se ku kanë përfunduar kumarxhinjtë e sëmurë (me pasion të pakontrolluar), por asnjë nuk ndalet, nuk frikësohet “ç’po i bëj vetes”.

Madje, këtë lloj kumari e nxisin reklamat në televizione private dhe edhe në atë publik. Ky është shkallmimi i moralit të të bërit shtet, apo të formatimit të një ekonomie të shëndoshë. Nuk na mjafton ajsbergu i tmerrshëm i 600 milionë eurove të kanabisit dhe tregut të kokainës që përpiqet të depërtojë nëpër dërrasat e çara të ekonomisë sonë formale. Tani na duhen edhe këto 120 milionë euro kumar. Dhe qeveria rri e vështron. Madje edhe më keq. Një propozim absurd mund të shkojë deri në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend, duke kërkuar që për lojërat e fatit, tatimi mbi xhiron të llogaritet pasi të jenë zbritur shpenzimet operative dhe fitimi i ditës nga klientët që luajnë. Kësaj i thonë: bie shi mbi tokë të stërlagur!

Biznesi i lojërave të fatit renditet ndër sektorët me normën më të lartë të fitimit që shkon edhe në 80% të xhiros. Është ndoshta i fundit i sektorëve që mund të ketë nevojë për ndihmë nga politikat fiskale të qeverisë. E megjithatë, qeveria duket se nuk ka ndërmend të kursehet për të. Cili grup lobimi ia ka marrë mendjen Ministrisë sonë të Financave dhe Ekonomisë kësaj radhe? Nëse ky projekt do të kthehet në ligj, atëherë do të kemi rastin më të shëmtuar të shndërrimit të përpjekjeve për një ekonomi reale të qytetarëve, me forca të përqendruara në sektorët tanë prodhues, në një ekonomi që punëson me lojëra fati, me dyqane, butikë, restorante, motele e hotele të përfituara nga para të dyshimta.

Sistemi bankar prej disa vitesh tashmë nuk po e shton numrin e punonjësve. E njëjta dukuri vërehet dhe me punësimin në kompanitë e telekomunikacioneve. A mos duhet të varim shpresat tek punësimi nga kumari dhe të themi: Të na rrojnë bastet që shpëlajnë një pjesë të parave të pista dhe qethin rrogat tona!
Burimi:  http://www.gsh.al/2018/07/18/punesimi-i-kumarit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: