TIRANE – Sipas dosjes së Prokurorisë, E. Shkalla, punonjëse në magazinën e bimëve medicinale, të ndodhur në Xibrakë, shumë pranë magazinës objekt këqyrjeje, në deklarimet e datës 14.01.2015 nuk ka dhënë të dhëna në funksion të çështjes. Sipas saj, magazina e ndodhur pranë magazinës ku punonte, ishte në pronësi të një shtetasi me emrin Zeni nga Elbasani dhe në të shumtën e kohës rrinte e mbyllur. Shtetasja Këze Dalipi, nëna e të arrestuarve Kelmend Dalipi dhe Arjan Dalipi, në deklarimet e saj nuk ka dhënë të dhëna në funksion të çështjes. Ajo ka pohuar se djali i saj Kelmendi e kishte dhënë magazinën me qira, por nuk dinte personin dhe nuk kishte parë të hynin apo të dilnin njerëz në të.
BABAI
Shtetasi Zeni Dalipi, babai i dy të arrestuarve Kelmend dhe Arjan Dalipi, në deklarimet e datës 14.01.2015 deklaroi faktin e dhënies me qira të magazinës nga djali i tij Kelmend te një person nga Tirana dhe faktin e hyrjes dhe daljes në të të rreth katër personave, të cilët qëndronin në magazinë gjithmonë me dyer të mbyllura. Ai mohoi faktin e hyrjes së djemve të tij në magazinë, ndërsa pohoi interesimin e Arjanit vetëm për magazinën ku ndodheshin lopët e tyre. Shtetasi G. Maksuti në deklarimet e tij ka pohuar se në ambientin në të cilin ushtronte aktivitetin e grumbullimit të bimëve medicinale, e kishte marrë me qira nga shtetasi Arjan Dalipi. Ai ka pohuar njohjen e shtetasit Klemend Dalipi si vëlla i Arjanit dhe mohoi të kishte dijeni për ndonjë aktivitet kriminal të tyre. Shtetaset Gj. Shkalla dhe V. Poka, punonjëse në magazinë e bimëve medicinale, në deklarimet e tyre nuk kanë dhënë të dhëna në dobi të çështjes. Ato kanë pohuar se nuk kishin dijeni për aktivitetin që kryhej në magazinën e ndodhur pranë magazinës së bimëve medicinale.
DEKLARIMI I KELMENDIT
Sipas Prokurorisë, të gjithë shtetasit e arrestuar gjatë operacionit policor “Xibraka” kanë zgjedhur te heshtin, duke mos dhënë deklarime në momentin e parë të arrestimit. I vetmi që ka folur, ka qenë i dyshuari Kelmend Dalipi. Ai ka sqaruar për oficerët e Policisë gjyqësore një telefonatë që ka pasur në 14 janar me nipin e tij Ergest Dangsi. Ky i fundit u prangos nga policia gjatë operacionit, por u lirua disa orë më vonë me urdhër të Prokurorisë. Gjatë deklarimeve Dalipi ka sqaruar se e ka njoftuar nipin të shkonte dhe të merrte në shtëpinë e tij lekët që mbante, pasi ai ishte menaxher i biznesit të reklamave dhe loto sportit dhe paratë i duheshin për pagesat e lotos. Në lidhje me sendet e kundërligjshme të gjetura në kapanon, i dyshuari Dalipi ka thënë se nuk i përkisnin atij, pasi magazinën e kishte dhënë me qira te një person që nuk i kujtonte emrin.
(er.nu/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: