KAVAJË

Policia pas ngjarjes së djeshme në Kavajë ku një punëtor humbi jetën ka arrestuar përfaqësuesin e firmës që kryente punimet, ndërsa ka shpallur në kërkim administratorin dhe drejtuesen teknike. Sipas policisë, punëtori që humbi jetën nuk kishte kontratë punë me subjektin në fjalë.

Njoftimi i policisë

Arrestohet përfaqësuesi i firmës që kryente punimet dhe shpallen në kërkim policor administratori dhe drejtuesja teknike, në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në Golem, ku në një objekt ndërtimi u rrëzua nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital punëtori D. H. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë bënë arrestimin e shtetasit:  M. K., 37 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas, me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem ka shkelur rregullat e mbrojtes në punë, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punëtori D. H. (i cili ra nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital) nuk ka qënë i siguruar dhe nuk ka patur kontratë pune me firmën e punimeve që shtetasi M. K. përfaqësonte.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim policor administratori dhe drejtuesja teknike e firmës që kryente punimet, shtetasit I. K. dhe E. S., pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb