TIRANE

Pas nisjes së punimeve në autostradën Tiranë-Durrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor ka bërë të ditur planin e përditësuar të devijimit të trafikut në këtë aks me qëllim shmangien e bllokimit të qarkullimit të mjeteve.

Sipas ARRSH, trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje. Punimet do të zgjasin për dy javë.

Njoftimi i plotë nga ARRSH:

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë median dhe opinionin publik se ne vijim të njoftimit të mëparshëm, lidhur me ndërtimin e dy (2) tombinove në segmentin rrugor (autostrada) Tiranë – Qafë Kashar (kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati” & Alba-Elettrica), plani i përditësuar i devijimit të trafikut me sinjalistikën e duhur të përkohshme për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren do të jetë si më poshtë:

1. Autostrata Tiranë – Durrës në segmentin Mbikalimin Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.

2. Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.

3. Dalja në rrugët dytësore është e mundur te Sipitali Hygeia, QTU si dhe te kthesa e Domjes (ku është krijuar një rrugë aksesi e përkohshme).

4. Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe drejtim të Jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

  • foto galeri
  • foto galeri

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb