Temperaturat disa gradë nën zero dhe prania e ujit ka bërë që rrugët e lagjes së re të qytetit të Bulqizës të mbulohen nga akulli.
Qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo situatë ka ardhur si rezultat i pranisë së ujërave në sipërfaqe. Ata thonë se punimet që po kryhen për ndërtimin e rrjetit të ujërave të ndotura në këtë lagje, kanë bërë që të ketë prani të ujit në sipërfaqe.
Gazetari Enver Doçi raporton për BalkanWeb se qytetarët shprehen se në ditët me shi, situata përkeqësohet akoma më shumë për shkak se shtohet prania e ujërave të zeza, ndërsa dy ditët e fundit, uji është kthyer në akull duke u bërë burim i rrezikshëm aksidentesh qoftë për këmbësorët e qoftë për drejtuesit e mjeteve.
Qytetarët kërkojnë që të merren masa sa më parë për eliminimin e këtyre ujërave, pasi temperaturat e ulëta do të vijojnë dhe prania e akullit i rrezikon.
Qytetarët i kërkojnë mbikëqyrësit të zbatimit të projektit për rehabilitimin e ujërave të zeza në lagjen e re të Bulqizës, t’i kërkojë llogari firmës dhe të rregullojë problemin.