ANGLI- Një punonjëse britanike e zyrës së emigracionit ka fshehur një shqiptar në bagazhin e makinës së saj për ta rikthyer ilegalisht në Angli. Kelly Henderson, 39 vjeç, nëna e një fëmije, u dashurua me Fatos Demirnelin gjatë kohës që ai ishte në një kamp emigrantësh.

Punonjësja e sigurisë tentoi ta rikthente në Angli shqiptarin bukurosh, pasi ky u deportua nga Anglia. Ajo e futi në bagazhin e makinës së saj Nissan Micra dhe tentoi ta kontrabandonte në Angli. Por ajo u kap nga roja kufitare dhe u arrestua. Henderson thotë se i vjen keq për atë që ka bërë, por nuk e mendoi gjatë. Ajo u dënua me 18 muaj burg, por gjykatësi ia pezulloi dënimin, duke e liruar.

Gjykatësi tha se ajo “bëri një veprim idiotesk, por të kuptueshëm”. Duke folur pas vendimit, Henderson tha se i vjen keq për këtë që bëri, por shtoi se është sërish e dashuruar me shqiptarin dhe shpreson që një ditë ai do mund të vijë legalisht në Angli, për të qenë së bashku.“Isha bërë gati për të shkuar në burg”, tha ajo. “Jam në qiellin e shtatë”, tha ajo kur u lirua.

“Kur e takova Fatosin, ai ishte në një qendër emigrantësh. Ai më buzëqeshi, më dha numrin dhe nisëm të flasim. Gabimi im ishte që i çova mesazh. Kaq do të më kishte lënë pa punë”.

Ndërsa Gjykatësi i çështjes tha: “Ky është një rast i trishtuar i një nëne 39-vjeçare me një vajzë 14-vjeçare. Ajo ishte vulnerabël. Ajo lejoi që emocionet ta kontrollonin”.

Henderson kishte një lidhje të shkurtër me babanë e vajzës së saj, kur ishte 20 vjeç. Pak më vonë u ndanë. Henderson tha se Demirneli, 39 vjeç, ka një djalë gjashtë vjeç në Shqipëri. Ai erdhi në Angli në përpjekje për të shpëtuar pasi prindërit dhe vëllai iu vranë. Tani ai është deportuar në Shqipëri. “Ne flasim sërish dhe ai ka aplikuar për vizë. Vajza ime nuk e ka takuar, por ajo më mbështet. Ai po jeton me xhaxhain dhe po kërkon për punë. Edhe ai e pranon se kjo që bëmë ishte budallallëk”, ka treguar 39-vjeçarja.

 

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: