Nga: ERJON SKENDAJ*
TIRANE – Vendimi i drejtoreshës së Qendrës Sociale në Shkozë, për të shkarkuar nga puna një person të verbër, për më tepër Rom, ka bërë që të reagojë ashpër institucioni i Avokatit të Popullit.

Në një prononcim për “News24”, kreu i institucionit Igli Totozani lajmëron se ka nisur një investigim administrativ për çështjen, për të cilën thotë se nuk ka gjetur bashkëpunimin e drejtoreshës së Qendrës Sociale Shkozë.

“Në datën 18 jam paraqitur pranë zyrës së drejtoreshës që ka marrë këtë vendim. Për fat të keq, drejtoresha ka qenë në mungesë njohurie të ligjit të Avokatit të Popullit dhe ka konsumuar një shkelje administrative në rastin konkret duke mos ia dhënë materialet institucionit të Avokatit të Popullit, pra duke penguar hetimin administrativ.”- deklaroi Igli Totozani, Avokati i Popullit të Shqipërisë.

“Shkarkimi nga puna i Arben Bastrit, i njohur si aktivist i çështjes rome, përbën një shkelje dyfishe të ligjit”, – thotë Institucioni i Avokatit të Popullit.

“Personi konkret ka një status që hyn në kategorinë njerëzve në risk. Aftësia e kufizuar dhe rom nga ana tjetër, se bashku krijojnë një tablo të një individi me një status mjaft të mbrojtur të paktën nga pikëpamja ligjore nga ana e shtetit shqiptar.”- deklaroi Totozani.

Avokati i Popullit i bën thirrje administratës publike në nivel qendror dhe lokal të tregojnë kujdes maksimal me shtresat e margjinalizuara.

Reagimi i Avokatit të Popullit vjen pak ditë pas denoncimit të rastit në “News 24” nga punonjësi i Qendrës Sociale, Arben Bastri, i sapo pushuar nga puna, i cili deklaron se çështjen e tij do ta ankimojë deri në Strasburg.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: